Në një vjershë klasike thuhet se "Edhe një vit tjetër përfundon në mes të fishekzjarrëve". Viti i Ri Kinez, që quhet edhe Festa e Pranverës, bie shpeshherë në fazën "Ftohtësia e madhe". Siç kemi thënë edhe më parë, meqë Kina është vend me territor të gjerë, moti në viset e ndryshme të saj ndryshon shumë. Gjatë ditëve të Festës së Pranverës, ndërsa banorët në qytetin Harbin të Kinës Verilindore admirojnë fenerët e akullit, qytetarët e Guangzhout të Kinës Jugore janë duke vizituar tregun e luleve të freskëta.
"Ftohtësia e madhe" është e fundit ndër 24 fazat stinore. Megjithëse temperatura është e ulët, kjo fazë i afrohet më tej pranverës. Në këtë kohë kinezët fillojnë të ruajnë ushqime në shëllirë dhe blejnë mallra të ndryshme për të festuar Vitin e Ri Kinez. Gjatë "Ftohtësisë së madhe" ka një festë tjetër shumë të rëndësishme për Kinën Veriore, e cila quhet "Laba" dhe kremtohet në ditën e 8-të të muajit të 12-të sipas kalendarit bujqësor. Në këtë ditë kinezët përdorin kokrra drithërash të ndryshme, kikirikë, gështenja, hide të kuqe, fara lotusi etj. për të bërë një lloj çorbe të shijshme, që quhet çorba e "Laba"-s. Ky është ushqimi kryesor në këtë ditë feste.
Dimri është koha e fjetjes së disa qenieve të gjalla dhe në këtë kohë metabolizmi i organizmit të njeriut është i ngadalshëm, prandaj duhet të flemë më herët, të ngrihemi më vonë, të mos jemi shumë të zënë me punë dhe të shmangim shqetësimin e zemërimin. "Ftohtësia e madhe" është termi i fundit i gjithë vitit dhe i gjashtë termave të fazave stinore të dimrit. Meqë moti në këtë fazë është shumë i ftohtë, pika kryesore e ruajtjes së shëndetit është "fshehja", e cila do të thotë që njeriu të kontrollojë aktivitetet e veta shpirtërore, të ruajë qetësinë shpirtërore dhe të fshehë ndjenjat e veta e të mos i shprehë lehtazi ato. Këto veprime na ndihmojnë për kalimin e dimrit në mënyrë të shëndetshme. (Shy Guan)