Para mbi 2500 vjetësh, në bazë të vrojtimit të Diellit, Kina përcaktoi ditën e "Solsticit të dimrit", që u bë termi i përcaktuar më herët ndër 24 fazat stinore. "Solstici i dimrit" është më 21, 22 ose 23 dhjetor sipas kalendarit ndërkombëtar dhe në vitin 2009 ra më 22 dhjetor. Në hemisferën veriore, "Solstici i dimrit" përfshin natën më të gjatë dhe ditën më të shkurtër të vitit. Kurse pas "Solsticit të dimrit", dita zgjatet vazhdimisht deri në "Solsticin e verës", që bie zakonisht më 22 qershor. Duke e shpjeguar "Solsticin e dimrit", kinezët e kohës së lashtë thoshin se ditët "me frymë pozitive" fillojnë në kohën kur ditët "me frymë negative" arrijnë kulmin. Në gjuhën kineze, togfjalëshi "solstici i dimrit" përbëhet nga fjalët "dong", që do të thotë dimër, dhe "zhi", që ka kuptimin "kulm". Prandaj "solstici i dimrit", në gjuhën kineze "dong zhi", ka kuptimin "kulmi i dimrit".
"Solstici i dimrit" është jo vetëm një term shumë i rëndësishëm ndër 24 fazat stinore në kalendarin hënor kinez, por edhe një festë tradicionale për kombësinë hane, kombësia kryesore e Kinës. Kinezët besojnë se, pas "Solsticit të dimrit", dita zgjatet dhe "fryma pozitive" ngrihet gradualisht. Prandaj "Solstici i dimrit" është një ditë e mbarëvajtjes që duhet të festohet. Deri më sot në shumë vise të Kinës ka mbetur zakoni i festimit të kësaj dite.
Në Kinë është i përhapur edhe sot zakoni i therjes së dashit dhe i ngrënies së ushqimit tradicional kinez "jiaozi" në ditën e "Solsticit të dimrit". Ky zakon ka lidhje të ngushtë me mjekun e famshëm kinez Zhang Zhongjing, autor i librit të njohur mjekësor "Mbi tifon dhe sëmundje të tjera", që është njohur dhe njihet në qarqet mjekësore kineze si një vepër e mrekullueshme klasike. Zhang Zhongjing jetoi në kohën e dinastisë Han Lindore (nga viti 25 deri në vitin 220 të erës sonë). Ai la një aforizëm të njohur, ku thuhet se "Në kushtet e favorshme punoj për shpëtimin e botës, kurse në kushtet e pafavorshme punoj për shpëtimin e banorëve; edhe sikur të mos bëhem një ministër i mirë, do të bëhem një mjek i mirë."
Në fillim ai punoi si guvernator i Çangsha-së dhe, gjatë atyre viteve, i mjekonte të sëmurët në rezidencën e vet. Më vonë dha dorëheqjen nga funksioni zyrtar dhe u kthye në vendlindjen e tij për mjekimin e të sëmurëve në fshat. Ai u kthye në dimër dhe vuri re se shumë banorë të thatë dhe të dobët fizikisht në brigjet e Lumit të Bardhë vuanin nga uria dhe të ftohtët, madje disa prej tyre i kishin veshët me plagë nga të ftohtët. Kështu, me porosinë e Zhang Zhongjingut, nxënësit e tij ngritën disa tenda për mjekimin e atyre banorëve. Ai gatoi një lloj supe me mish dashi e me disa lloje barnash të veçanta, si dhe një lloj ushqimi në formën e veshit të njeriut e me emrin "jiaoer".
Pastaj u dha banorëve nga një tas supë dhe dy "jiaoer"-ë. Çuditërisht, me të ngrënë supën dhe "jiaoer"-ët, të sëmurët e ndien veten të ngrohur dhe veshët e tyre u shëruan shpejt. Duke marrë shembull nga ai, pasardhësit filluan të përgatitin "jiaoer", por ia vunë emrin "jiaozi" dhe disa e quajnë "bianshi". Duke ruajtur zakonin e ngrënies së "jiaozi"-ve në "Solsticin e dimrit", kinezët e sotëm kanë për qëllim të kujtojnë mirësinë e mjekut Zhang Zhongjing, që është quajtur "Mjeku i shenjtë". Në krahinën Nanyang, vendlindja e Zhang Zhongjingut, është e përhapur edhe sot thënia se "Kush nuk ha jiaozi në ditën e 'Solsticit të dimrit', le të dëmtohet në veshë nga të ftohtit". (Shy Guan)