Pas "Dëborës së madhe", në krahinat veriore të Kinës temperatura ulet mjaft dhe bie më shumë dëborë. Era e fortë pas dëborës mund të shkaktojë shtimin e të sëmurëve nga të ftohtët. Disa lloje sëmundjesh kanë lidhje të ngushtë me moskujdesin e njerëzve për ruajtjen e ngrohtësisë. Mjekësia kineze është e mendimit se koka, gjoksi dhe këmbët sulmohen më lehtë nga të ftohtët. Një fjalë e urtë thotë se "Ftohtësia fillon nga këmbët". Meqë këmbët janë më larg nga zemra, qarkullimi i gjakut në këtë pjesë është më i ngadalshëm dhe yndyra nën lëkurën e këmbëve është relativisht e paktë, kjo pjesë e organizmit të njeriut është më e prekshme nga të ftohtët. Për të parandaluar prekjen e këmbëve nga të ftohtët, duhet t'i mbajmë ato të pastra dhe të thata, prandaj duhet t'i lajmë më shpesh dhe t'i ndërrojmë më shpesh çorapet. Në këtë fazë stinore duhet të këmbëngulim në larjen e këmbëve me ujë të ngrohtë dhe të ecim më këmbë së paku çdo ditë për gjysmë orë. Përveç kësaj, një palë çorape të rehatshme dhe të ngrohta në dimër janë të rëndësishme për ruajtjen e shëndetit.
Gjatë kësaj faze me temperaturë të ulët, disa të moshuarve u pëlqen të flenë të veshur trashë, por ky zakon është i padobishëm për shëndetin. Gjatë kohës së gjumit, truri dhe muskujt e njeriut hyjnë në gjendjen e pushimit dhe ritmi i rrahjes së zemrës ngadalësohet, ndaj fjetja zhveshur ngre cilësinë e gjumit dhe garanton pushimin e mirë të organizmit. Në të kundërt, veshja trashë pengon "frymëmarrjen" normale të lëkurës dhe avullimin e djersës; fërkimi dhe presioni i rrobave ndaj muskujve mund të pengojnë qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar humbjen e ngrohtësisë së trupit. Si pasojë, njeriu ndien të ftohtë, edhe sikur të flejë me një jorgan shumë të trashë. (Shy Guan)