"Fillimi i dimrit" është faza e parë stinore e dimrit sipas kalendarit bujqësor kinez. Kjo fazë fillon nga 7 ose 8 nëntori dhe përfundon më 22 ose 23 nëntor. Në vitin 2009 "Fillimi i dimrit" ra më 7 nëntor. Në programet e mëparshme kemi folur për 3 termat e tjerë të emërtuar me fjalën "fillim": "Fillimi i pranverës", "Fillimi i verës" dhe "Fillimi i vjeshtës". Këta katër terma simbolizojnë fillimin e një stine të re dhe shndërrimin e katër stinëve.
"Fillimi i dimrit" shënon periudhën nistore të dimrit. Në gjuhën kineze, ky term përbëhet nga dy hieroglife: "li dong". Në kinezishten e lashtë, "li" kuptohej si krijim ose fillim. Por "dong" simbolizon jo vetëm stinën e dimrit, por ka kuptime më të gjera. Sipas librit të lashtë "Shënime për 72 fenologjitë natyrore", "dong" simbolizon kohën e fundit të vitit, kur disa gjallesa fshihen për gjumin dimëror. Fjala "dong" tregon edhe përfundimin e korrjes së të gjitha bimëve bujqësore, ruajtjen e drithërave në hambar dhe fillimin e gjumit dimëror nga kafshët.
Termi "Fillimi i dimrit" tregon fazën e kalimit nga vjeshta në dimër. Sipas studimeve meteorologjike, gjatë kësaj faze shtohet dukshëm presioni i lartë atmosferik që vjen nga Siberia e Mongolia, era e ftohtë dhe e fortë sjell uljen e madhe e të shpejtë të temperaturës dhe sasi të madhe reshjesh.
Me ardhjen e "Fillimit të dimrit", barërat dhe pemët fishken, gjërat e gjalla, që hyjnë në gjendjen e gjumit dimëror, fillojnë të kursejnë fuqitë dhe të grumbullojnë energji. Kjo është edhe një përgatitje për ringjalljen e tyre në pranverën e ardhshme. Njeriu nuk bie në gjumë dimëror, por kinezët e kanë zakon të përdorin dietë të fortë në "Fillimin e dimrit", sepse kjo është edhe një periudhë shumë e përshtatshme për këtë lloj diete, e cila mund të na ndihmojë kundër ftohtësisë së dimrit. Sipas mjekësisë tradicionale kineze, me ardhjen e dimrit nuk duhet të përdorim shumë ushqime të ftohta, siç kemi përmendur në programin e kaluar mbi "Rënien e brymës". Prandaj, koha fillestare e dimrit është e përshtatshme për dietën e fortë. Përveç kësaj, meqë termi "Fillimi i dimrit" ka kuptimin e ruajtjes së të korrave vjeshtore gjatë dimrit, fshatarët kinezë bëjnë pushim në këtë ditë.
Në Kinë, ushqimi tradicional "jiaozi" është shumë popullor. Shqiptimi i emrit të këtij ushqimi është i ngjashëm me atë të emrit që shënon ndryshimin e kohës. Prandaj, në Vitin e Ri sipas kalendarit tradicional kinez, kinezët hanë "jiaozi" për të kremtuar kalimin e vitit të vjetër dhe ardhjen e një viti të ri. "Fillimi i dimrit" është edhe një kohë e kalimit nga vjeshta në dimër, prandaj zakoni i ngrënies së "jiaozi"-ve në "Fillimin e dimrit" është ruajtur deri më sot në Kinë. (Shy Guan)