PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
"Përfundimi i nxehtësisë", termi i 14-të i fazave stinore sipas kalendarit bujqësor kinez
2011-10-20 19:03:02 cri komenti juaj Printoni

Faza stinore "Përfundimi i nxehtësisë", që bie zakonisht më 22, 23 ose 24 gusht sipas kalendarit ndërkombëtar, është termi i dytë stinor i vjeshtës. Në almanakun e Kinës së lashtë lidhur me këtë fazë shkruhet: "Ajo do të thotë se vapa e verës përfundon në këtë kohë". Ardhja e kësaj faze tregon përfundimin e verës së nxehtë. Në programet tona të mëparshme ju njohëm me 2 faza stinore të emërtuara me fjalën "nxehtësi": "Nxehtësia e vogël" dhe "Nxehtësia e madhe". Të dy këto faza tregojnë rritjen graduale të temperaturës. Por në fazën "Përfundimi i nxehtësisë", që gjithashtu përmban fjalën "nxehtësi", moti tashmë nuk është aq i nxehtë.

Në lashtësi, tri gjëra ishin shenja treguese të fazës stinore "Përfundimi i nxehtësisë": shqiponja që fillonte të gjuante me shumicë shpendë trupvegjël; fishkja e pjesës më të madhe të luleve dhe pjekja e drithërave të vjeshtës, si e melit, orizit, sorgumit etj.

Në disa ditë para dhe pas fazës "Përfundimi i nxehtësisë", temperatura në shumicën e krahinave të Kinës qëndron mbi 22 gradë. Por era e ftohtë nga veriu fillon të fryjë dendur, duke shkaktuar uljen graduale të temperaturës. Prandaj kjo fazë stinore konsiderohej në lashtësi si shenjë e ftohjes së motit. Një veçori e dukshme e kësaj faze është temperatura e ulët natën. Por në pjesën jugore të Kinës, ku stina e vjeshtës vjen më vonë, koha me temperaturë të lartë vazhdon deri në fazën tjetër stinore, "Vesa e bardhë".

Reshjet në këtë fazë ndikojnë në shkallë të ndryshme edhe mbi pjesën jugore, edhe mbi pjesën veriore të Kinës. Në pjesën veriore, ku sasia e reshjeve është relativisht e paktë, reshjet në këtë kohë janë shumë të dobishme për rritjen e bimëve bujqësore dhe korrje të bollshme. Prandaj thuhet se "Çdo pikë shiu në 'Përfundimin e nxehtësisë' sjell kokrra drithi". Por është ndryshe për pjesën jugore të Kinës, ku sasia e reshjeve është relativisht e madhe, sepse shiu i tepërt u sjell bimëve bujqësore dëme të mëdha.

Moti në fazën stinore "Përfundimi i nxehtësisë" karakterizohet nga temperatura e lartë në mesditë dhe e ulët në mëngjes e në mbrëmje. Në këtë fazë, ndryshimi i temperaturës ndërmjet ditës dhe natës është shumë i dukshëm. Prandaj një fjalë e urtë popullore thotë se "Një shi i vjeshtës, një ulje e temperaturës." Në kushtet e motit të kësaj faze stinore, duhet t'i kushtojmë vëmendje ruajtjes së shëndetit në këto drejtime:

1. Për veshjet: Në këtë fazë stinore nuk duhet të vishemi trashë. Një fjalë e urtë popullore kineze thotë: "Vishu trashë në pranverë, por vishu lehtë në vjeshtë". Për t'iu përshtatur ndryshimit të motit në vjeshtë, temperatura e trupit nuk duhet të jetë e lartë. Por kur dalim jashtë natën, duhet të vishemi më shumë.

2. Për fjetjen natën: Duhet të biem në shtrat para orës 10 të mbrëmjes dhe të flemë një orë më shumë në krahasim me verën.

3. Për kalitjen fizike: Duhet të kalitemi më shumë në mëngjes ose në mbrëmje. Në këtë stinë mund të merremi me sporte të lehta, si alpinizëm, shëtitje, gjimnastikë e të tjera.

4. Për ushqimin: Duhet të përdorim më tepër fruta e perime që përmbajnë shumë vitamina, si domatet, piperkat, patëllxhanin, patatet, dardhët etj., si dhe ushqime alkaline, si mollët etj. Përveç këtyre, janë shumë të përshtatshme edhe ushqimet e pasura me proteinë të cilësuar, si vezët, mishi muskul, peshku, nënprodhimet e qumështit etj.

Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China