PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
"Solstici i verës", termi i 10-të i fazave stinore sipas kalendarit bujqësor kinez
2011-09-13 15:14:42 cri komenti juaj Printoni

"Solstici i verës", që është i 10-ti ndër termat e 24 fazave stinore, bie më 21 ose 22 qershor sipas kalendarit ndërkombëtar. Në këtë ditë dielli ndriçon pingul Tropikun e Veriut. Kjo ditë është dita më e gjatë e vitit për gjysmërruzullin verior. Në rajonet më veriore dita zgjatet më shumë. Në Kinë, që është një vend me territor të gjerë, koha e ditës ndryshon ndërmjet rajoneve jugore dhe rajoneve veriore. Në qytetin Haikou të Kinës Jugore dita zgjatet në afro 13 orë; në Pekin, që gjendet në pjesën veriore të vendit, dita arrin në afro 15 orë, ndërsa në Mohe, qyteza më veriore e Kinës, dita zgjatet në mbi 17 orë. Pas "Solsticit të verës", dielli, nga ndriçimi pingul, kthehet gradualisht drejt jugut dhe ditët në gjysmërruzullin verior shkurtohen pak nga pak.

"Solstici i verës" është jo vetëm kufiri specifik i ndryshimit të gjatësisë së ditës dhe të natës, por edhe pika e fillimit të verës me vapë. Një shprehje kineze thotë se "Periudha më e nxehtë vjen pas 'Solsticit të verës'". "Solstici i verës" simbolizon ardhjen e vapës, por nuk është koha më e nxehtë. Pas "Solsticit të verës" temperatura vazhdon të rritet dhe arrin kulmin pas 20 ditëve. Në disa rajone të Kinës temperatura maksimale arrin në afro 40 gradë.

Gjatë fazës së "Solsticit të verës", në shumicën e krahinave kineze dielli ndriçon shumë fort, prandaj bimët bujqësore rriten shpejt dhe kërkojnë më shumë ujë. Sasia e reshjeve në këtë kohë ka rëndësi të madhe për prodhimtarinë bujqësore, ashtu siç thotë edhe një fjalë e urtë: "Shiu në fazën e 'Solsticit të verës' është i shtrenjtë si ari". Në programin mbi fazën e "Ujit të shiut" ju njohëm me një proverb të ngjashëm, që thotë se "Shiu i pranverës është i shtrenjtë si vaji". Në këtë periudhë rriten shumë shpejt jo vetëm bimët bujqësore, por edhe barërat e këqija të ndryshme, të cilat rrëmbejnë ujë, pleh dhe dritë në konkurrencë me bimët bujqësore. Një proverb kinez thotë se "T'i lësh barërat e këqija pa hequr në fazën e 'Solsticit të verës', është sikur të mbash një gjarpër helmues." Lidhur me ruajtjen e shëndetit, mjekësia kineze thekson rëndësinë e rregullimit të gjendjes shpirtërore dhe të ushqimit sipas klimës në të katër stinët. Në librat e lashtë mjekësorë kinezë thuhet se njerëzit duhet të mbajnë qëndrim optimist dhe të jenë zemërgjerë. Në këtë stinë rrezet e diellit u sjellin qenieve në Tokë gjallëri dhe energji. Njerëzit duhet të interesohen për gjërat jashtë, se kjo gjë favorizon shkrifërimin e shpirtit. Në të kundërt, mërzitja dhe zemërimi për çdo gjë pengojnë metabolizmin, gjë që i sjell dëm shëndetit.

Në stinën e verës djersitja e tepërt mund të shkaktojë humbjen e një sasie të madhe kripe. Prandaj duhet të hamë më shumë ushqime të tharta e të kripura.

Me zgjatjen e ditës dhe shkurtimin e natës duhet të rregullojmë kohën e gjumit, të flemë më vonë natën dhe të ngrihemi më herët në mëngjes.

Sporti është një fushë tjetër e rëndësishme për ruajtjen e shëndetit. Kalitja fizike në verë duhet të zhvillohet në mëngjes ose në buzëmbrëmje, kur ajri është më i freskët. Si terrene sportive mund të zgjedhim një fushë buzë lumit, një park etj., ku ka ajër më të pastër. Veprimtaritë më të përshtatshme sportive në verë janë shëtitja, vrapimi i ngadalshëm dhe gjimnastika. (Shy Guan) (Artan)

Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China