Sipas kalendarit bujqësor kinez, një vit ka 24 faza stinore dhe çdo fazë ka termin e saj të caktuar. Këto "faza stinore" simbolizojnë ndryshimin e klimës, sasinë e reshjeve, kohën e brymës dhe dukuri të tjera natyrore. Një vit ndahet në periudha kohore me dukuri klimatike relativisht të qëndrueshme. Termi i secilës fazë stinore është dita e parë e kësaj periudhe kohore. Nocioni i fazave stinore lindi nga vëzhgimet, eksplorimet dhe përfundimet e arritura nga populli kinez i lashtësisë rreth astronomisë dhe meteorologjisë. Këto faza stinore ushtrojnë ndikime shumë të rëndësishme në punët bujqësore.
Në çdo muaj ka dy faza stinore. Për shembull, "Shkëlqimi i pastër" është në dhjetëditorin e parë të prillit, kurse faza e 6-të stinore "Shiu i drithit" në dhjetëditorin e 3-të të prillit. Në vitin 2009, "Shiu i drithit" bie më 20 prill sipas kalendarit ndërkombëtar.
Lidhur me "Shiun e drithit", në Kinë është e përhapur një fjalë e urtë, që thotë se "shiu favorizon rritjen e qindra drithërave". Gjatë kësaj faze bie shi i mjaftueshëm dhe në kohë, bimët bujqësore të porsadala vaditen me ujin e shiut dhe rriten të shëndetshme. Prandaj, në Kinën e lashtë, ishin të përhapura gjerësisht proverbat që thoshin se "të mbillen sa më shumë fidanë druri në 'Shkëlqimin e pastër', kurse në 'Shiun e drithit' të mbillen sa më shumë bimë bujqësore" etj., të cilat pasqyrojnë marrëdhëniet midis ujit të shiut dhe punimeve bujqësore.
Por faza stinore "Shiu i drithit" është edhe një periudhë me ndryshim të madh të temperaturës brenda një dite. Herë temperatura ngrihet, herë era e veriut shkakton uljen e shpejtë të saj, ose bën mot i keq e madje bie papritur breshër, gjëra që mund t'i sjellin bujqësisë dëme të mëdha. Gjatë fazës stinore "Shiu i drithit", ujërat e tepërta ose thatësira serioze ndikojnë negativisht në sasinë e prodhimit bujqësor. Mbi bazën e përvojës mijëravjeçare në bujqësi, kinezët e lashtë krijuan metodat e mbjelljes në ditët e përshtatshme përballë ndryshimit të motit në fazën stinore "Shiu i drithit". Për shembull, në krahinat jugore të Kinës, nëse nuk bie shumë shi, fshatarët i mbjellin bimët sa më herët pas "Shiut të drithit". Kështu, edhe sikur të mos bjerë shumë shi, fidanët rriten mirë dhe kanë rezistencë ndaj thatësirës.
Përveç kësaj, "Shiu i drithit" është një fazë e rëndësishme stinore për fshatarët që mbjellin çaj në jug të Kinës. Shumica e fshatarëve i vjelin dhe i përpunojnë gjethet e çajit para "Shiut të drithit". Sigurisht, ata e njohin mirë ligjin e punimeve bujqësore.
Siç dihet nga të gjithë, Kina është një vend i madh prodhues i çajit. Kultura e çajit, si një pjesë e rëndësishme e kulturës tradicionale kineze, ka përmbajtje të pasur dhe një histori të gjatë. Në shumë krahina të Kinës Jugore, si në provincat Hunan, Jiangsu, Zhejiang, Fujian, Yunnan etj., mbillet çaj dhe llojet e tij janë të shumta. Sipas kulturës kineze të çajit, gjethet e reja kanë shije më të mirë, domethënë duhet të shijojmë çajin e gjelbër të freskët që prodhohet në këtë vit. Por prodhimi i çajit lidhet ngushtë me fazat stinore. Kur gjethet e çajit të gjelbër vilen para fazës stinore "Shkëlqimi i pastër", ai quhet "çaji para shkëlqimit". Shumica e gjetheve të vjela në këtë kohë kanë vetëm një syth. Ngjyra, era dhe shija e tyre pasqyrojnë karakteristikat e pranverës së herët. Ato konsiderohen si gjethe të shkëlqyeshme të çajit të gjelbër. Gjethet e çajit të gjelbër që vilen pas "Shkëlqimit të pastër" dhe para "Shiut të drithit" quhen "gjethe çaji para shiut" ose "çaji i pranverës". Njerëzit që shijojnë çajin, pëlqejnë më shumë "çajin para shiut". Meqë në këtë periudhë temperatura është e përshtatshme dhe shiu është i mjaftueshëm, sythat e çajit janë më të mëdha dhe përmbajnë lëndë të pasura ushqyese. Ky lloj çaji ka shije më të freskët e që ndihet për një kohë më të gjatë në gojë. Ngjyra e tij është e gjelbër e thellë. Kur pini këtë lloj çaji, në fillim do të provoni një shije pak të hidhur, por më vonë shija ndryshon në të ëmbël dhe mbetet për një kohë të gjatë në gojë. Ky është çaji i gjelbër me shije më të mirë. Në provincën Zhejiang, çaji "Longjing" është shumë i njohur, por "çaji 'Longjing' para shiut" është çaji më i mirë dhe ka një çmim shumë të lartë. (Shy Guan) (Zheng)