Sipas kalendarit bujqësor kinez, një vit ka 24 faza stinore dhe çdo fazë ka termin e saj të caktuar. Këto "faza stinore" simbolizojnë ndryshimin e klimës, sasinë e reshjeve, kohën e brymës dhe dukuri të tjera natyrore. Një vit ndahet në periudha kohore me dukuri klimatike relativisht të qëndrueshme. Termi i secilës fazë stinore është dita e parë e kësaj periudhe kohore. Nocioni i fazave stinore lindi nga vëzhgimet, eksplorimet dhe përfundimet e arritura nga populli kinez i lashtësisë rreth astronomisë dhe meteorologjisë. Këto faza stinore ushtrojnë ndikime shumë të rëndësishme në punët bujqësore. Sipas të dhënave statistikore, këtë sistem kalendarik me faza stinore kinezët e hartuan në vitin 104 para erës sonë. Për ta mbajtur mend më mirë, kinezët e lashtësisë kanë krijuar edhe këngë e poezi për 24 fazat stinore.
"Sanatadita e pranverës" (që njihet ndryshe edhe si ekuinoksi i pranverës) është e 4-ta nga 24 fazat stinore sipas kalendarit hënor kinez, që quhet edhe "kalendari bujqësor". Sanatadita e pranverës bie më 19, 20, 21 ose 22 mars. Në vitin 2009, sanatadita e pranverës është më 20 mars. Në këtë ditë, dielli ndriçon pingul ekuatorin e Tokës dhe dita është e barabartë me natën. Pas kësaj dite, drita e diellit në Tokë lëviz dalëngadalë drejt veriut dhe dita zgjatet gradualisht.
Në gjuhën kineze, "sanatadita e pranverës" do të thotë se kjo ditë e ndan pranverën në dy pjesë të barabarta.
Në fazën stinore "Sanatadita e pranverës", temperatura mesatare në shumicën e krahinave të Kinës është mbi 0 gradë. Pas dimrit, temperatura ngrihet më shpejt dhe në krahinat e rrjedhës së lumit të Verdhë dhe të lumit Jance temperatura mesatare arrin mbi 10 gradë celsius. Bimët e mbjella para dimrit fillojnë të rriten shpejt dhe kërkojnë më shumë shërbim agroteknik. Në jug të Kinës, shkurret e çajit të pranverës nxjerrin sytha dhe duan plehra me efektivitet të mirë dhe shërbim për mbrojtjen nga sëmundja e insektet e dëmshme, që të sigurohet vjelja e çajit me cilësi të lartë.
"Sanatadita e pranverës" është edhe një periudhë e përshtatshme për pyllëzimin. Populli thotë se "në fazën stinore të Sanataditës së Pranverës pas Zgjimit të Insekteve, duhet të bëjmë pyllëzimin, plehërimin dhe lërimin e thellë".
Në "Sanataditën e pranverës", dhjetëra milionë njerëz në botë bëjnë lojën e "vendosjes së vezës pingul". Tani është e vështirë të vërtetohet se kur ka filluar kjo lojë në botë, që quhet "Loja e zakoneve kineze". Por kjo lojë është e thjeshtë dhe shumë interesante. Zgjedhim një vezë të freskët 4- a 5-ditëshe, pastaj e vëmë me kujdes pingul në tryezë. Shumë njerëz dështojnë në këtë lojë, lojtarët e suksesshëm nuk janë të paktë. "Sanatadita e pranverës" është periudha më e mirë për këtë lojë.
Por pse veza vendoset më lehtë pingul në këtë ditë? Kjo dukuri përmban në vetvete disa parime shkencore. Sanatadita e pranverës ndodhet në mes të pranverës dhe temperatura është shumë e përshtatshme. Njerëzit e kanë zemrën të qetë, e kanë mendjen të kthjellët dhe dorën të shkathët, prandaj e vendosin vezën pingul më lehtë.
Kalitja për forcimin e shëndetit në ditën e "Sanataditës së Pranverës" është një nga aktivitetet e rëndësishme. Tani, do t'ju tregojmë 3 fushat e rëndësishme të forcimit të shëndetit: fusha shpirtërore, fusha e jetës së përditshme dhe fusha e ushqimeve.
Në fushën e regullimit shpirtëror, duhet të ruhet një gjendje shpirtërore e shtruar dhe optimiste; të mos jemi herë të gëzur dhe herë të pikëlluarm, sepse klima në këtë fazë është e butë dhe as shumë e ftohtë, as e nxehtë. Kjo është edhe një kohë e mirë për ekskursion në periferi të qytetit.
Në fushën e jetës së përditshme, duhet të kemi kujdes për ndryshimin e temperaturës midis ditës dhe natës. Prandaj duhet të veshim më shumë në këmbë dhe më pak në trupin e sipërt. Ngrohtësia e këmbëve ka shumë rëndësi. Mund të ngrohemi më shumë në diell për të larguar ftohtësinë.
Në fushën e ushqimeve, duhet të hamë më shumë qepë, hudhër, patate, mish pule, mish peshku etj. (Shy Guan)