Sipas kalendarit bujqësor kinez, një vit ka 24 faza stinore dhe çdo fazë ka termin e saj të caktuar. Këto "faza stinore" simbolizojnë ndryshimin e klimës, sasinë e reshjeve, kohën e brymës dhe dukuri të tjera natyrore. Një vit ndahet në periudha kohore me dukuri klimatike relativisht të qëndrueshme. Termi i secilës fazë stinore është dita e parë e kësaj periudhë kohore. Nocioni i fazave stinore lindi nga vëzhgimet, eksplorimet dhe përfundimet e arritura nga populli kinez i lashtësisë rreth astronomisë dhe meteorologjisë. Këto faza stinore ushtrojnë ndikime shumë të rëndësishme në punët bujqësore. Sipas të dhënave statistikore, këtë sistem kalendarik me faza stinore kinezët e hartuan në vitin 104 para erës sonë. Për ta mbajtur mend më mirë, kinezët e lashtësisë kanë krijuar edhe këngë e poezi për 24 fazat stinore.
"Zgjimi i insekteve" është faza e 3-të stinore pas "Ujit të shiut". Kjo fazë stinore bie më 5, 6, ose 7 mars sipas kalendarit ndërkombëtar. Në vitin 2009, dita e "Zgjimit të insekteve" bie më 5 mars. Sipas shpjegimit popullor, pas "Zgjimit të insekteve", temperatura vazhdon të rritet dhe bubullimat e pranverës zgjojnë kafshët e ndryshme nga gjumi dimëror. Ato dalin nga dheu për të gjetur ushqim. Vezët e insekteve që kalojnë dimrin nën dhe, fillojnë të çelin. Prandaj, "Zgjimi i insekteve" është një term i fazës stinore që pasqyron dukurinë periodike të qenieve të gjalla në natyrë. Sigurisht, kafshët që flenë gjumin dimëror nuk zgjohen nga bubullimat e pranverës. Ato dalin nga dheu për shkak të rritjes së temperaturës.
Qysh nga kohët e lashta, kinezët i kanë kushtuar vëmendje të madhe kësaj faze stinore, duke i konsideruar si ditët e fillimit të punëve bujqësore në stinën e pranverës. Një proverb kinez thotë se "pas fazës stinore të 'Zgjimit të insekteve', nuk mund të ndalohet puna bujqësore në stinën e pranverës", sepse "kur dëgjohen bubullimat e pranverës, të gjitha bimët fillojnë të rriten". Në këtë periudhë, me ngritjen e temperaturës dhe rritjen e sasisë së shiut, bimët bujqësore kërkojnë më shumë punë. Në fund të shekullit të 4-t të erës sonë, për këtë fazë stinore poeti kinez Tao Yuanming shkroi në poezinë e tij se, kur gjëmojnë bubullimat e pranverës nga lindja, kafshët zgjohen nga letargjia dhe fillojnë aktivitetet në vende të ndryshme. Gjethet dhe lulet çelin për të mirëpritur ardhjen e pranverës.
Në gjirin e popullit ka disa thënie mbi lidhjen midis bubullimave dhe të korrave. Nëse bien pandërprera bubullimat e pranverës para fazës stinore të "Zgjimit të insekteve", do të bien reshje të pasura gjatë atij viti. Nëse bubullima e parë e pranverës bie pikërisht në ditët e fazës stinore "Zgjimi i insekteve", fshatarët me siguri do të marrin të korra të mira në atë vit. Por nëse nuk dëgjohet asnjë bubullimë deri në ditët e mëvonshme pas fazës stinore "Zgjimi i insekteve", kjo është shenja më e keqe natyrore që simbolizon mungesën e reshjeve gjatë atij viti dhe tregon të korra të këqija. Por në fakt, meqë Kina është një vend me territor të gjerë, në krahinat e ndryshme të saj bubullima e parë e pranverës bie në ditë të ndryshme. Në ditët rreth fazës stinore "Zgjimi i insekteve" mund të dëgjohen bubullimat e pranverës në krahinat jugore kineze rreth lumit Jance. Por në krahinat veriore, si Pekin, bubullimat e pranverës vijnë në dhjetëditëshin e dytë të prillit.
Në rajonet jugore të Kinës, si provinca Guangdong, janë të përhapura disa rite popullore kineze, si "Ceremonia e flijimit për tigrin e bardhë". "Tigri i bardhë" është një lloj shpirti i keq tigri dhe mund të hajë njerëz në këtë fazë stinore. Në shoqërinë e lashtë bujqësore, tigrat gjithmonë u shkaktonin dëme bujqësisë dhe jetës së njerëzve. "Ceremonia e flijimit për tigrin e bardhë synon të kërkojë fatmirësinë dhe sigurinë e jetës. (Shy Guan)