Sipas kalendarit bujqësor kinez, një vit ka 24 faza stinore dhe çdo fazë ka termin e saj të fiksuar. Këto "faza stinore" simbolizojnë ndryshimin e klimës, sasinë e reshjeve, kohën e brymës dhe dukuri të tjera natyrore. Një vit ndahet në periudha kohore me dukuri klimatike relativisht të qëndrueshme. Termi i secilës fazë stinore është dita e parë e kësaj periudhë kohore. Krijimi i fazave stinore vjen nga vëzhgimet, eksplorimi dhe përfundimet e popullit të lashtë kinez rreth astronomisë dhe meteorologjisë. Këto faza stinore ushtrojnë ndikime shumë të rëndësishme në punët bujqësore. Sipas të dhënave statistikore, në vitin 104 para erës sonë, kinezët hartuan këtë sistem kalendarik me faza stinore. Për ta mbajtur mend më mirë, kinezët e lashtë kanë krijuar këngë e poezi mbi 24 faza stinore.
Në artikullin e sotëm, do t'ju njohim me fazën e parë, "Fillimi i Pranverës". Kjo fazë stinore simbolizon nisjen e pranverës. "Fillimi i Pranverës" ndryshon nga festa e rëndësishme tradicionale kineze, "Festa e Pranverës". Dita e "Fillimit të Pranverës" nuk bie pikërisht në ditën e "Festës së Pranverës", që është Viti i Ri kinez. Për shkak të ndryshimit midis kalendarit bujqësor kinez dhe kalendarit ndërkombëtar, dita e "Fillimit të Pranverës" ndryshon çdo vit në kalendarin ndërkombëtar. Për shembull, në vitin 2009, dita e "Fillimit të Pranverës" bie më 3 shkurt. Faza stinore "Fillimi i Pranverës" është më e pëlqyeshme nga fshatarët, meqenëse në natyrë, pranvera është stina kur bimët lëshojnë sytha dhe kafshët rigjallërohen. Dita e "Fillimit të Pranverës" është pika e kthesës e klimës vjetore. Pas kësaj dite, ngrihet temperatura dhe shtohet koha e ndriçimit diellor, si dhe sasia e reshjeve. Për rritjen sa më të shpejtë të kulturave bujqësore, duhet bërë ujitja dhe plehërimi në kohë, për të nxitur rritjen e bimëve. Meqenëse Kina ka qenë një vend bujqësor, fshatarët kinezë i kushtojnë vëmendje të madhe periudhës stinore "Fillimi i Pranverës".
Në Kinën e lashtë bëheshin një sërë aktivitetesh festive për të kremtuar ardhjen e ditës së "Fillimit të Pranverës". Ndër to, "pritja e pranverës" ishte aktiviteti më i rëndësishëm, i cili zhvillohej një ditë para "Fillimit të Pranverës". Në ceremoninë e pritjes së pranverës, kinezët e lashtë përgatisnin qirinj aromatikë dhe raki kineze për të pritur ardhjen e "stinës pranverore" dhe ardhjen e "hyjnisë së pranverës".
Në disa rajone të Kinës, njerëzit hanin perime të freskëta në këtë ditë. Ata besonin se ky ushqim jo vetëm mund të parandalojë sëmundjet, por edhe të sjellë shijen e pranverës. Ngrënia e këtyre perimeve quhet edhe "ngrënia e pranverës".
Në Kinë, ka një proverb të vjetër, që thotë se "të gjitha punët e vitit varen nga një fillim i mirë në pranverë". Ardhja e ditës së "Fillimit të Pranverës" jo vetëm i lajmëron fshatarët për fillimin e stinës së ngarkuar me punë bujqësore, por edhe u tregon të gjithëve fillimin e një viti. Kinezët ua tregojnë këtë proverb fëmijëve të tyre qëkurse janë shumë të vegjël, duke i edukuar ata që të kenë një nisje të mirë në mësim dhe jetë gjatë vitit të ri. (Shy Guan)