Nëpërmjet saj, janë shënuar dhe ruajtur mendimet e thella të filozofëve, ndjenjat delikate të shkrimtarëve, mençuria taktike e politikanëve, zbulimet e rëndësishme të shkencëtarëve dhe dosjet serioze të historianëve. Prej letrës, janë mundësuar librat, gazetat, fletoret, dokumentet, etj. Ashtu si edhe në vende të tjera, mjetet për shkrimin e karaktereve kanë ndryshuar hap pas hapi, ashtu kanë ndryshuar edhe ato për shkrimin e gjuhës kineze.
Në fillim, kinezët "shkruanin"(ose gdhendnin) hieroglifët mbi zhguallin e breshkës ose me kockat e shpatullave të kafshëve. Më vonë, ata provuan mjete të ndryshme, si sendet prej bronzi, pllakat prej bambuje, drurin dhe mëndafshin.
Në krahasim me kockat, pllakat prej bambuje ishin më të leverdishme pasi mund të ripërdoreshin. Por, pllakat prej bambuje dhe mëndafshi kanë të metat e tyre. Libri për shembull me bambu, ishte shumë i rëndë dhe zakonisht duhet të mbahej me një ose disa karroca. Dijetari i njohur, Hui Shi, që jetoi para 2300 vjetëve, shpesh shkonte jashtë derës, duke marrë me vete 5 karroca për të mbajtur pllakat e bambusë. Thuhet gjithashtu se një funksionar i paraqiti perandorit Hanwudi (156p.erës.-87p.erës), një memorandum, të shkruar në pllaka bambuje, i cili ishte aq i rëndë sa që për tu çuar në pallatin perandorak, duheshin dy burra të fuqishëm. Ndërsa, perandori harxhoi 2 muaj për të lexuar këtë memorandum.
Në krahasim me bambunë, mëndafshi është i lehtë në peshë, por një material i shtrenjtë. Në kohën antike, prodhimi i mëndafshit kërkonte më shumë punë. Ndaj shkrimi me mëndafsh ishte tepër i shtrenjtë.
Kërkesa për të gjetur një mjet më të lirë dhe më të lehtë për shkrimin, filloi të shtrohej edhe nga shumë banorë të thjeshtë. Në fakt, para 2000 vjetëve, në Kinë, njerëzit kishin bërë prova për të prodhuar "letër". Por, letra e prodhuar me teknikat dhe lëndën e parë të asaj kohe, nuk ishte e sheshtë dhe nuk përshtatej për t'u shtypur e as të shfrytëzohej. Qindra vjet më pas, zyrtari Cai Lun (61-121), revolucionarizoi teknikën e prodhimit të letrës. Ai arriti të prodhonte letër për të shkruar, vetëm pasi shtoi numrin e lëndëve të para dhe përdori një tjetër mënyrë përpunimi. Sipas tij, njerëzit duhet të përdornin lëkurën e drurit, pëlhurë, etj., si lëndë të para. Pasi materialet njomeshin ato mund të thyheshin. Më tej materialet vlonin dhe nga temperatura e lartë ato shkatërroheshin e shndërroheshin në plazmë. Me këtë lëng të trashë, mbulohej sipërfaqja e një pllake të sheshtë. Kështu kur ajo thahej në zjarr ose me ajër natyror, mbulesa e hollë kthehej në letër.
Teknika e Cai Lunit, u përsos nga pasardhësit e tij kinezë. Njerëzit gjetën gjithnjë e më shumë materiale për të prodhuar letrën, të cilat përfshijnë bambunë, kallamin, hardhinë, kashtën dhe lëkurën e pemëve të shumëllojshme. Në të njëjtën kohë, me përmirësimin e teknikave të prodhimit, mjeshtrit mund të prodhonin letër të bardhë si bora, të sheshtë si nefri, madje të zbukuruar me piktura të bukura në sfond.
Teknika kineze e prodhimit letrës u përhap në fillim në gadishullin Korean dhe Vietnam. Më tej në shekullin e 7-të në Japoni, në shekullin e 8-të në botën arabe, në mesin e shekullit 12-të në Evropë dhe vetëm 400 vjet më vonë në Amerikën Jugore. Duke filluar nga shekulli i 2-të para erës sonë deri në shekullin e 18-të, d.m.th., afro 2000 vjet, Kina ishte vendi më i përparuar në prodhimin e letrës. Ajo kishte dhënë një kontribut jashtëzakonisht madhor për shënimin dhe përhapjen e njohurive, për shkëmbimin e trashëgimin e qytetërimit njerëzor.
Duke folur për 4 shpikjet më të rëndësishme në Kinën e lashtë, që përfshijnë letrën, busullën, shtypshkronjën dhe barutin, filozofi britanik Francis Beikon, vlerësoi se "ato ndryshuan gjendjen dhe fytyrën e tërë botës, nga të cilat erdhën ndryshime të panumërta. Nuk kishte pasur asnjë perandori, as një sekt, as një figurë madhështore që mund të ushtronte më shumë fuqi ose ndikimin sesa këto shpikje kineze mbi çështjet humanitare".
Edhe tani, në qytezën Dengcun të qytetit Si Hui të provincës Guang Dong të Kinës Jugore, banorët ende ruajnë procedurat origjinale të prodhimit të letrës, si në kohën e Cai Lunit. Ata shfrytëzojnë bambunë e vendit dhe prodhojnë letër me cilësi të lartë. Produktet e tyre pëlqehen nga blerës të vendeve të ndryshme në Azinë Juglindore. Ndërkohë, teknika unike tërheq edhe vizitorët që të shkojnë në këtë qytezë të vogël, për të parë me syrin e tyre prodhimin e letrës sipas recetës së paraardhësve, plot 2200 vjet përpara.(Çan Yean)