Siç e dimë, sipas teknikës së tanishme, njerëzit marrin vaksina kundër li-jës nëpërmjet infektimit paraprak me virusin, nga kafshë të infektuara, kryesisht nga lopët. Por, para kësaj zgjidhjeje mjekësore evropiane, kinezët e shpikën më herët metodën për të fituar imunitetin ndaj li-jës, nëpërmjet infektimit të njerëzve të shëndetshëm me virusin nga të sëmurët, pra, drejtpërdrejt nga pacientët. Kjo metodë mendohet se lindi nga tradita e mjekësisë tradicionale kineze, për parandalimin e sëmundjeve. Një teori shumë e rëndësishme për mjekët kinezë thotë që më mirë të parandalohet sëmundja sesa të mjekohet me vështirësi. Kjo teori e veçantë në fushën mjekësore shtjellohet me hollësi në shumë libra të lashtë kinezë.
Por, në fakt, në lashtësinë kineze nuk kishte li-jë, por ajo erdhi në shekullin e 2-të nga vendet e huaja në Jug të vendit. Pasi mësuan se kjo sëmundje infektive vdekjeprurëse mund të përhapej në masë, mjekët filluan të kërkonin rrugën e mjekimit të saj. Thuhet se tre metodat që u shpikën në shekullin e 8-të nga mjeku Zhao, në shekullin e 11-të nga një mjek në malin Ë Mei dhe në shekullin e 16-të nga banorët në Ning Guo të provincës An Hui të Kinës Jugore, u bënë bazë për shpikjen e një metode efektive përfundimtare kundër li-jës. Por pavarësisht nga ndryshimet që kanë këto tri metoda nga ana praktike, teoria e tyre bazë është e njëjtë. Imuniteti fitohet nga injektimi i virusit të marrë nga të sëmurët.
Përhapja e metodës për parandalimin e li-jës, i ndihmoi njerëzit e atëhershëm të shpëtojnë nga epidemia e madhe. Por kontrolli në mënyrë të dukshme i sëmundjes, lidhet ngushtë me propozimin e perandorit Kang Xi të dinastisë Qing (1636~1911). Në vitin 1681, Kang Xi dërgoi mjekun perandorak Zhu Chungu, në krahinat verilindore të vendit, për t'iu injektuar virusin të rinjve dhe funksionarëve të lartë të kombësisë man dhe mongole. Perandori u kënaq shumë pasi mësoi se ky mjekim, kishte pasur rezultate të shkëlqyera në parandalimin e li-jës, ndaj urdhëroi mjekët e vendit ta përhapnin këtë metodë. Duke folur për të, Zhang Yani, një tjetër mjek i asaj kohe, ndihet krenar. "Unë kam zbatuar këtë metodë mbi 9000 veta, por në rreth 20 njerëz nuk pati sukses", tha mjeku. Pra, ai u kishte shpëtuar jetën e të paktën 8000 njerëzve. Por, shifër kjo nga ana tjetër tregoi se përqindja e efektivitetit të metodës kundër li-jës, kishte arritur në 97-98%, që ishte një nivel i lartë.
Pas propozimit të perandorit, përhapja e li-jës u vu nën kontroll në Kinë. Ky lajm i mirë u mësua edhe nga vendet e huaja. Në vitin 1688, Rusia dërgoi mjekët në Kinë për të mësuar metodën kineze kundër li-jës. Në një libër të botuar më vonë, mjeku britanik Daxheon (Dudgeon) shkruan se bashkëshortja e ambasadorit anglez në Mongoli, Znj. M.W. Montag mori injektimin kundër li-jës në Kinë nga mjekët vendas. Pas kësaj, kjo teknikë u prezantua në Britani dhe fitoi besimin e Mbretëreshës.
Evropianët e dinë se ishte znj. Montag që e prezantoi këtë metodë nga Turqia në Evropë, dhe turqit e mësuan këtë nga vendi fqinj, Kina. Për të kundërshtuar njerëzit e atëhershëm që kritikuan popullarizimin e metodës kineze kundër li-jës, ideologu i shkëlqyer francez Voltar (1694-1778) tha: "Kam dëgjuar që për më shumë se 100 vjet, kinezët kështu e kishin zakonin. Kjo arritje duhet të konsiderohet si fryt i shkëlqyer i një kombi, më i sjellshëm dhe më i zgjuar në botë".(Çan Yean)