Hou Fangyu ishte një nga katër djemtë fisnikë më të njohur në fund të dinastisë Ming dhe një nga tre shkrimtarët e mëdhenj të fillimit të dinastisë Qing. I ati ishte ministër financash i dinastisë Ming dhe anëtar i forcës politike "Donglin", e cila ishte një forcë e drejtë politike dhe kundërshtari kryesor i forcës së eunukut gjatë asaj kohe.
Hou Fangyu zuri vendin e parë në provimin fillestar të komunës për zgjedhjen e funksionarëve. Në vjeshtën e vitit 1639 Hou Fangyu erdhi në qytetin Nankin për të marrë pjesë në provimin e mëtejshëm për përzgjedhjen e funksionarëve të ardhshëm. Në këtë qytet ai u takua me kurtizanen e njohur Li Xiangjun dhe të dyve u lindi shpejt dashuria për njëri-tjetrin, duke bërë piktura dhe shkruar poezi së bashku çdo ditë. Ata i dhanë fjalën njëri-tjetrit që do të plakeshin së bashku. Hou Fangyu i dhuroi Li Xiangjun-it një erashkë mbretërore si simbol të dashurisë së tyre.
Në atë kohë, si një kurtizane aq e njohur dhe e virgjër, Li Xiangjun-it i duhej një ceremoni solemne martese në moshë të rritur. Në këtë ceremoni duhej të ftoheshin zotërinj të famshëm fisnikë e të kulturuar dhe t'i jepeshin shumë para kujdestares së Li Xiangjun-it. Por Hou Fangyu nuk kishte aq shumë para. Në këtë kohë të vështirë miku i tij Yang Longyou i dha në kohë një ndihmë të madhe me shumë para për këtë ceremoni solemne. Por këto nuk ishin paratë e Yang Longyou-së, por të anëtarit të forcës politike të eunukut Yuan Dacheng, i cili ishte një dramaturg dhe letrar i shkëlqyeshëm në fundin e dinastisë Ming, por me një moral dhe famë shumë të keqe. Në atë kohë, forca e eunukut po pësonte goditje të madhe politike dhe Yuan Dacheng-u ishte hequr nga posti i funksionarit të lartë. Ai i dhuroi para Hou Fangyu-së për ta joshur të merrte pjesë në forcën e tyre politike, për shkak se babai i Hou Fangyu-së ishte zyrtar i lartë dhe vetë Hou Fangyu ishte djalë fisnik i famshëm me talent. Pasi mësoi identitetin e vërtetë të dhuruesit, Hou Fangyu ishte në mëdyshje t'i kthente apo jo këto para, por Li Xiangjun-i u zemërua dhe e kritikoi rreptë Hou Fangyu-në për pranimin e parave jo të pastra. Li Xiangjun-i shiti të gjitha sendet dhe stolitë e veta të çmuara dhe filloi të merrte hua nga miqtë. Më në fund ajo mblodhi para të mjaftueshme dhe ia ktheu Yuan Dacheng-ut.
Veprimi i Li Xiangjun-it e ofendoi rëndë Yuan Dacheng-un, i cili u betua që do të hakmerrej ndaj çiftit në të ardhmen. Me ndryshimin e gjendjes politike në fundin e dinastisë Ming, perandori Chongzheng vrau veten pasi kryengritësit fshatarë zunë kryeqytetin e kësaj dinastie, Pekinin. Mbreti Zhong Yousong u bë perandori i ri me përkrahjen e forcës së eunukut dhe formoi qeverinë e re të pjesës jugore të Kinës në Nankin. Yuan Dacheng u emërua si ministri i ri i mbrojtjes. Pasi mori shumë pushtet, Yuan Dacheng-u filloi menjëherë goditjen dhe hakmarrjen ndaj forcave kundërshtare të tij, si fraksioni "Donglin" etj. Hou Fangyu e kishte parashikuar këtë hakmarrje, prandaj u arratis jashtë.
Pas largimit të Hou Fangyu-së, Li Xiangjun-i refuzoi t'i shërbente çdo mysafiri tjetër dhe ia ngulte sytë çdo ditë erashkës mbretërore, dhuratës dashurore të Hou Fangyu-së, duke shprehur qartë dashurinë e saj besnike. Por Yuan Dacheng-u nuk e harroi ofendimin e Li Xiangjun-it, ai e nxiti funksionarin e besuar të perandorit të ri, Tian Yang-un, ta merrte Li Xiangjun-in si konkubinë. Një ditë Tian Yang-u mblodhi shumë shërbyes dhe solli një bartinë dasme në shtëpinë e Li Xiangjun-it për ta detyruar vajzën të martohej me të. Li Xiangjun-i refuzoi pa ngurrim, por Tian Yang nguli këmbë për këtë martesë. Li Xiangjun-i e lëndoi kokën te parmakët e shkallëve dhe gjaku i saj rrodhi në erashkën e dashurisë. Tian Yang-u, që u frikësua se mos Li Xiangjun-i vdiste, u kthye me zhgënjim të thellë. Më vonë, miku Yang Longyou pikturoi në këtë erashkë një dru me shumë lule pjeshke duke përdorur pikat e gjakut të Li Xiangjun-it dhe kjo erashkë dashurie u emërtua "Erashka e luleve të pjeshkës".
Më vonë qeveria jugore e perandorit Zhong Yousong u përmbys nën sulmet e fiseve nomade të Kinës Veriore, kombësisë man. Li Xiangjun-i u fsheh në një tempull budist duke u hequr si murgeshë dhe pas një viti Hou Fangyu e gjeti në këtë tempull.
Edhe sot shumë historianë kinezë i vlerësojnë lart ndikimet pozitive të Li Xiangjun-it në historinë e Kinës. Ajo ishte vetëm një kurtizane e thjeshtë, por parimet e larta morale të saj kanë prekur shumë breza të kinezëve. Ajo është bërë një shembull dhe është quajtur si kurtizania me parime të larta morale.