PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
"Zonja pistil"
2010-03-10 10:53:07 cri komenti juaj Printoni
Dihet që vajza me pamje të bukur është e lehtë të bëhet gjahu i meshkujve. Por një femër që jo vetëm ka bukuri fizike, por edhe mençuri të rrallë, është edhe më e pëlqyer nga meshkujt. Në historinë mijëravjeçare kineze, "Zonja pistil" është një prej këtyre femrave tërheqëse. Por jeta e saj ishte plot me zigzage dhe thashetheme misterioze.

"Zonja pistil" nuk është emër i vërtetë, por një titull vlerësimi për bukurinë e një konkubine të sunduesit Meng Chang të pushtetit Houshu në provincën e sotme të Kinës Sichuan.

Provinca Sichuan njihet në Kinë si "vend i pasur me burime natyrore". Lulëzimi ekonomik dhe burimet e pasura të shumëllojshme e bënë këtë zonë të jetë vatra e mbretërive të ndryshme sa herë që përmbysej ndonjë dinasti perandorake. Para afro 1100 vjetëve këtu u krijua pushteti i quajtur Hou Shu nga forca separatiste e familjes Meng. Mbreti Meng Chang ishte sundimtari i dytë i këtij pushteti.

Burimet e pashtershme, pasuria e mbledhur dhe baza ushtarake e vendosur nga sunduesi i parë krijuan kushte të rehatshme jetese dhe qeverisjeje për mbretin e ri Meng Chang, i cili nuk pati nevojë të luftonte për dhjetëra vjet, duke kaluar një kohë në qetësi dhe gëzime. Ndër konkubinat e shumta në pallatin e tij, "Zonja pistil" pëlqehej më shumë nga Meng Changu.

Në krahasim me vajzat e tjera, "Zonja pistili" jo vetëm ishte e bukur nga pamja fizike, por edhe shumë e zgjuar e me talent letrar. Ajo mund të shkruante vjersha të bukura e tekste këngësh.

Për arsye se kësaj konkubine të bukur i pëlqenin shumë zambaku dhe bozhurja, Meng Changu dërgoi njerëz në mbarë vendin për të grumbulluar laritë më të mira të këtyre luleve dhe, për ta kënaqur atë, ndërtoi një kopsht me bozhure dhe madje e detyroi çdo familje të thjeshtë vendore të mbillte këto dy lloje lulesh. Kështu që çdo vit në stinën e çeljes së luleve, qyteti Chengdu, kryeqyteti i mbretërisë, gjendej në "detin e luleve". Në atë kohë, lulet e panumërta përhapnin aromë të këndshme, duke zbukuruar qytetin me ngjyra të larmishme.

Një ditë, kur Meng Changu shijonte lulet e çelura, i tha konkubinës: "Sa e bukur je! Bozhurja nuk mund të krahasohet me ty. Je bukuroshe si pistili i lules. Sot do të të jap titullin 'Zonja pistil'."

Por megjithëse gëzonte një jetë luksoze, "Zonja pistil" nuk e la pasionin e shkrimit të vjershave. Talenti i shkëlqyer shfaqej plotësisht në veprat e saj. Në disa nga antologjitë më të njohura letrare kineze përfshihen mbi 100 vjersha të "Zonjës pistil".

Mirëpo jeta luksoze e mbretit të pakujdesshëm nuk zgjati për një kohë të gjatë. Shpërdorimi i pasurive shtetërore dhe korrupsioni dobësuan forcën e vendit. Në vitin 964, trupat e perandorit të parë të dinastisë Song Zhao Kuangyin pushtuan trojet ku sundonte Meng Changu, duke shkatërruar lehtë ushtrinë e tij. Meng Changu u gjunjëzua dhe u çua në Pekin së bashku me "Zonjën pistil".

Takimi me "Zonjën pistil" i la perandorit Zhao Kuangyin një mbresë jashtëzakonisht të thellë. Por 7 ditë pas këtij takimi, mbreti Meng Chang vdiq papritur për arsye të paditura. Mbase ai nuk u ambientua me jetën e re në vendin e pushtuesit. Ndoshta takimi e bindi perandorin Zhao ta marrë këtë bukuroshe me çdo mjet të mundshëm. Por fakti ishte që "Zonja pistil" u bë vejushë dhe u pranua shpejt në pallatin perandorak.

"Zonja pistil", e bukur dhe e mençur, u bë e parapëlqyera e perandorit. Zhao Kuangyini e donte shumë, sepse ajo dallohej për talentin, guximin dhe virtytet që të tjerat konkubina nuk i kishin. Pas një kohe shumë të shkurtër, "Zonja pistil" pati ngritje të shpejtë në hierarki ndër gratë e perandorit dhe u radhit në vendin e dytë vetëm pas perandoreshës.

Sipas mendësisë së atëhershme, "Zonja pistil" duhej ta kalonte jetën e mbetur në pallatin e perandorisë së re, duke bërë më shumë progres në krijimtarinë letrare. Mirëpo, ndoshta për një bukuroshe kaq të rrallë dhe kaq të talentuar, jeta shpesh ka ndryshime të befasishme. Në fakt, bukuria i solli asaj jo vetëm të mira, por edhe tragjedi.

Përveç perandorit, edhe vëllai i tij i vogël Zhao Guangyi ishte pas "Zonjës pistil". Por ishte ai që e vrau me duart e veta këtë grua që e donte shumë.

Në disa libra historikë thuhet se "Zonja pistil" u vra në një gjueti të zhvilluar nga familja perandorake. Vëllai i perandorit Zhao Guangyi, që merrte edhe ai pjesë, hapi harkun me të gjitha forcat, duke u shtirë sikur po përgatitej për të goditur një kafshë larg. Por në minutën e fundit ai befas e ktheu harkun dhe e drejtoi nga "Zonja pistil".

Lidhur me arsyen e kësaj vrasjeje, disa njerëz komentojnë se Zhao Guangyi shqetësohej për pasionin e jashtëzakonshëm të të vëllait ndaj kësaj femre. Ai kishte frikë që të mos përsëritej përmbysja e perandorisë së familjes ashtu si mbretëria e Meng Changut. Prandaj ai e vrau "Zonjën pistil" për hir të pushtetit.

Por shumica e njerëzve mendojnë se Zhao e vrau këtë bukuroshe për arsye se nuk kishte aftësi të mjaftueshme konkurrimi me vëllanë e madh. Pra, ai ia mori jetën nga xhelozia për t'u hakmarrë, sepse ka edhe disa dëshimi që tregojnë lapërdhinë e tij.

Pavarësisht nga thashethemet e trashëguara në këta 1000 vjet, "Zonja pistil" radhitet ndër bukuroshet më të njohura në historinë kineze. Edhe vjershat e krijuara nga ajo vlerësohen lart në historinë letrare kineze.

Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China