Huan Antonio Samarançi është spanjoll, ai ka lindur më 17 korrik të vitit 1920 në një familje kapitaliste që merrej me tekstilet. Në kuadrin e Lojërave Olimpike të Moskës, më 16 korrik të vitit 1980, ai u zgjodh kryetar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, në vitin 1989 u rizgjodh në krye të këtij Komiteti, dhe më pas, në shtator të vitit 1993 e më 4 shtator 1997, u zgjodh përsëri edhe dy herë të tjera në këtë post. Ai tani është kryetar i përjetshëm nderi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Le të dëgjojmë historitë e Samarançit me Kinën.
Miqësia e Samarançit me Kinën filloi para 31 vjetëve. Në vitin 1978, kur Kina sapo filloi të hapte portën ndaj botës, i duhej rimëkëmbja në gjithçka. Në atë kohë Kinës nuk i ishte kthyer ende vendi i ligjshëm në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe populli njëmiliardësh kinez ishte ende jashtë familjes së madhe olimpike. Pikërisht po atë vit, 1978, Samarançi, që ishte nënkryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, bëri vizitën e tij të parë në Kinë.
Qysh nga ajo kohë Samarançi filloi të endej lart e poshtë për t'i këshilluar anëtarët e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që ta përkrahnin rikthimin e vendit të ligjshëm të Kinës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Kështu pas një viti projekti për t'i rikthyer vendin e ligjshëm Kinës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar më në fund u miratua, si rezultat Kina u rikthye në familjen e madhe olimpike ndërkombëtare.
Samarançi thoshte atë kohë: "Në ato kohë nuk e kuptoja: pse një vend i madh me një popullsi një miliard nuk ishte anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar?"
Në vitin 1984 u zhvilluan Lojërat e 23-ta Olimpike në Los Anxhelos të SHBA-së. Në ditën e parë të garave qitësi kinez Xu Haifeng fitoi medaljen e artë në qitjen me pistoletë. Kjo ishte medalja e parë e këtyre lojërave olimpike, ishte gjithashtu medalja e parë e kinezëve e fituar në Lojërat Olimpike.
Samarançi ia vuri personalisht këtë medalje të artë mbi gjoks Xu Haifengut. U mbajt premtimi që Samarançi bëri para këtyre Lojërave Olimpike, që t'ia dorëzonte personalisht medaljen e artë të parë Kinës. Kjo medalje e artë ishte medalja e parë e artë e Lojërave Olimpike Verore, e dhënë nga Samarançi pasi ai u bë kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Pas Lojërave Olimpike të Los Anxhelosit, Samarançi u ftua nga Kina për të marrë pjesë në veprimtaritë festive me rastin e 35-vjetorit të shpalljes së Kinës së Re. Në këtë vizitë ai u takua edhe me udhëheqësin kinez Ten Siao Pin.
Pas pjesëmarrjes së tij në ceremoninë festive të ditës kombëtare të Kinës, Samarançi i tha He Zhenliangut, që ishte në atë kohë anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, se Kina duhej të mendonte për të paraqitur kërkesën për organizimin e Lojërave Olimpike të vitit 2000. Pikërisht nga inkurajimet e Samarançit, qeveria kineze vendosi të fillonte fushatën e paraqitjes së kërkesës për organizimin e Lojërave Olimpike.
Përveç He Zhenliangut, edhe fati i një sportisteje kineze ndryshoi nga Samarançi, ajo është Den Yaping. Pasi la sportin, me prezantimin e Samarançit, Den Yanping u bë anëtare e Komitetit të Sportistëve të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, duke u bërë sportistja e parë kineze që hyri në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Më 13 korrik të vitit 2001 zoti Samaranç e shpalli Pekinin si qytet organizues të Lojërave Olimpike të vitit 2008!
Gjatë procesit të kalimit të stafetës së flakës të shenjtë të Lojërave Olimpike të Pekinit, nga disa qarqe të Perëndimit u përhapën zëra për bojkotimin e olimpiadës. Samarançi e kundërshtoi qartë bojkotimin e Lojërave Olimpike të Pekinit, kundërshtoi politizimin e Lojërave Olimpike. Ai tha: "Bota sportive është e mrekullueshme. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar është një familje e madhe, e përbërë nga 204 anëtarë me raca të ndryshme, me tradita të ndryshme dhe me sisteme të ndryshme shoqërore, të gjithë duhet të jetojnë në paqe, prandaj Lojërat Olimpike janë takim rinor, sportiv dhe paqësor. Ngjarja e Tibetit nuk duhet të jetë pretekst për bojkotimin e Lojërave Olimpike."
Ai u shpreh gjithashtu: "Ato vende që akuzojnë Kinën për problemin e të drejtave të njeriut, duhet të shikohen vetë të parët në pasqyrë dhe nuk duhet të shfrytëzojnë Lojërat Olimpike për të arritur qëllimet e tyre politike. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk është një organizatë politike. Problemi i sistemeve të ndryshme shoqërore nuk është puna jonë. Zgjedhja e sistemit të përshtatshëm për veten është çështja e çdo vendi."
Samarançi ishte i mendimit: "Zgjedhja e Pekinit si qytet për organizimin e Lojërave Olimpike është shumë e drejtë. Për këtë unë nuk pendohem kurrë. Gjatë 25 vjetëve të fundit në Kinë kanë ndodhur ndryshime të mahnitshme, zhvillimi i saj ekonomik ka tërhequr vëmendjen e botës, fituesi i madh është populli. Kina, dikur një vend i varfër dhe i vuajtur shumë nga katastrofat, është bërë një fuqi e madhe ekonomike gjithnjë në rritje. Puna organizatore e Lojërave Olimpike të Pekinit ka rëndësi historike. Objektet e Lojërave Olimpike në Kinë, si stadiumi 'Foleja e zogut', pallati i notit 'Kubi i ujit' etj. do të shënohen në faqet e historisë."
Në korrik të vitit 2008 Samarançi erdhi përsëri në Kinë, bëri vizitë në Pekin dhe mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të Pekinit, pa edhe ndeshjet e garat.
Në shtator të vitit 2008, në gazetën spanjolle "La Vanguardia", në artikullin e tij me titull: "Pse e dua dhe e respektoj Kinën?" Samarançi shkruan: "Populli kinez është një komb me forcë tepër të madhe kujtese. Ata dinë të çmojnë miqësinë e lidhur në vështirësi, nuk i harrojnë njerëzit që u qëndrojnë pranë në kohë të vështirë. Pikërisht nga këto, në Lojërat Olimpike të Pekinit unë mund të gëzoj miqësinë dhe dashurinë e popullit kinez për mua. Këto janë ndjenja që vështirë të përshkruhen me fjalë. Gjatë 30 vjetëve unë e kam vizituar 29 herë Kinën, prej së cilës kam fituar dashurinë e miqësinë e saj dhe kam mësuar edhe të dua e të respektoj popullin kinez." ( Drita-Daming )