Duke u hedhur një shikim 60 vjetëve të kaluar, vëren se Kina ka pësuar ndryshime kolosale. Këtu do t'ju kallëzoj për ndryshimet në jetën e një qytetareje të Pekinit dhe të një fshatari të periferisë së tij.
Para 60 vjetëve, kur kryetari Mao Ce Dun shpalli të formuar Kinën e Re dhe gjithë populli kinez u ngrit më këmbë, Lin Li ishte vetëm 2 vjeçe.
"Kam lindur në një kishë. Sapo linda, kisha u shkatërrua nga bombardimet, por unë shpëtova nga kjo katastrofë."
Në një fshat të distriktit Huairou në periferi të Pekinit Li Mingcai 11-vjeçar u tërhoq nga të shtënat e fishekzjarrëve në qytet.
"U formua Republika Popullore e Kinës, ngrohtësi e madhe, parada, parakalime, ushtrime ushtarake, ecje ushtarake."
Në atë kohë të dy ata nuk e dinin fare se çfarë do të nënkuptonte ai moment për ta.
Para shpalljes së Kinës së Re, fshatarët kinezë pothuajse nuk kishin tokë, e punonin tokën me qira, shumicën e korrjeve ia dorëzonin çifligarit. Nuk kaloi shumë kohë pas shpalljes së Kinës së Re dhe u bë në përpjesëtime të mëdha reforma agrare, mbi 300 milionë fshatarë kinezë morën tokën e vet dhe nuk do të dorëzonin më qiranë e tokës.
Familjes së Li Mingcait iu shpërndanë afro 0.3 hektar tokë dhe një ka.
"Atë ditë kur na u shpërndanë kafshët, edhe unë shkova për të tërhequr atë ka të zi të madh, i cili na hynte shumë në punë, si për punimin e tokës, dhe për grumbullimin e plehrave organike.
Në vitin 1952 prodhimi i drithërave në mbarë vendin u shtua afro 43 % në krahasim me vitin 1949. Kur erdhi Viti i Ri, në fshatin tonë u ndezën fishekzjarrët, kudo dëgjohej zhurma e daulleve e gongeve dhe çdo familje gatuante raviole të shumta, që i hanim shumë rrallë në të kaluarën."
Por ata nuk mjaftoheshin vetëm me tokën. Në rastet e thatësirës ose të përmbytjeve, fshatarët prapë mërziteshin. Në vitin 1958 Li Mingcai dhe mbi 60 mijë krahë pune të distriktit Huairou ndërtuan një rezervuar uji prej 100 milionë metrash kubë.
Në vitin 1954, kur familja e Li Mingcait punonte në arë, vajza Lin Li e qytetit duhej të hynte në shkollë për të mësuar. Mirëpo prindërit e saj ishin shumë të zënë me punë, madje harruan edhe ta çonin atë në shkollë, vetëm e lanë atë dhe vëllain e motrën e saj në kopshtin e fëmijëve.
"Kur nëna ime u kthye nga shërbimi dhe pa se isha ende në shtëpi, pa vajtur në shkollë, më tërhoqi menjëherë jashtë për të kërkuar shkollën."
Ekonomia kombëtare e Kinës u rimëkëmb me shpejtësi, sa filloi plani i parë pesëvjeçar, Kina filloi të marshonte drejt industrializimit. Nëna e Lin Lisë punonte në Ministrinë e Hekurudhave, ku i përgjigjej për punët me jashtë për një numër objektesh të ndërtuara me ndihmën e ish-Bashkimit Sovjetik, duke përfshirë edhe Urën e Madhe të Wuhanit mbi lumin Jance. Para shpalljes së Kinës së Re, industria e rëndë kineze pothuajse nuk ekzistonte, infrastruktura ishte shumë e prapambetur. Por në pesë vjet ndërmarrjet e industrisë së rëndë u ndërtuan njëra pas tjetrës, u hapën nëpër Kinë rrugët automobilistike e hekurudhore dhe urat, në uzina e fabrika dëgjoheshin zhurmat e makinave…
Në fshat, familjet fshatare filluan të kalojnë ditë të mira, por kishte edhe familje që u mungonin krahët e punës ose që, nga fatkeqësitë e natyrës, ose nga sëmundjet, ishin zhytur në varfëri. Në të njëjtën kohë nga industrializimi u shtuan shumë popullsia në qytet dhe kërkesa për drithëra.
Për të ndaluar "ndarjen në dy pole" në fshat e për të garantuar grumbullimin e drithërave për t'ua dhënë banorë të qytetit, shteti kinez në fillim organizoi kooperativa bujqësore, më pas edhe komuna popullore në përpjesëtime më të mëdha, ku tokat iu kthyen kolektivit, fshatarët filluan të hanin në mensën kolektive dhe humbën lirinë e shitjes së produkteve bujqësore dhe të nënprodukteve ushqimore në pazar. Nga administrimi tepër i centralizuar, nga monoforma e administrimit dhe nga shpërndarja absolute mesatare, fshatarëve u humbi entuziazmi për prodhim dhe produktet bujqësore e nënproduktet filluan të mungonin. Deri në vitin 1959 Kina pësoi tre vjet me radhë fatkeqësi natyrore, si pasojë prodhimi i drithërave pati rënie për vite me radhë dhe jeta e banorëve u vështirësua më shumë. Qeveria u detyrua të zbatonte furnizimin e banorëve të qytetit e të qytezave me sasi të caktuara drithërash, nënproduktesh dhe sendesh të përdorimit të përditshëm.
"Atë kohë na jepnin triska të ndryshme, si të pëlhurës, të miellit, të orizit, të vajit, çdo njeriu i caktohej sasia e përdorimit. Vëllai im i vogël nuk ngopej me bukë, prandaj nëna ime i jepte atij shpesh racionin e vet."
Nga mungesa e madhe e ushqimeve, shumë banorë të Pekinit vuanin nga edemat (ënjtjet), hepatiti dhe sëmundje të tjera.
Në vitin 1966 në Kinë nisi Revolucioni i Madh Kulturor. Nën ndikimin e kultit të individit të tërbuar dhe në mes të shtrëngatave politike të furishme, u ndalua pranimi i studentëve në shkollat e larta. Kështu Lin Li, e cila ishte bërë gati për t'u regjistruar në shkollën e lartë të gjuhëve të huaja, për t'u marrë me diplomaci pas diplomimit, nuk e arriti objektivin e saj. Ajo dhe disa shoqe e shokë të shkollës vendosën të merrnin pjesë në ndërtimin e bazës së kauçukut në provincën Yunan të Kinës Jugperëndimore. Më pas, në përgjigje të thirrjes së kryetarit Mao Ce Dun, rreth 20 milionë të rinj e të reja të shkollave të qyteteve e qytezave të Kinës shkuan në zonat fshatare e kufitare.
Vetëm kur vajti në fshat, Lin Li kuptoi se kushtet aty ishin tepër të thjeshta.
"Drithi që hanim, kishte qenë i rezervuar për mbi 6-8 vjet, orizi nuk kishte shijen e tij të mëparshme, kur hanim sikur hanim ashkla druri. Banesa jonë ishte bërë me bambu, që kishin çarje të mëdha."
Zona kufitare e Yunanit ndodhet në zonën tropikale, ku ka klimë të nxehtë. Kur punonin ata nuk kishin asnjë pikë uji për të pirë gjatë ditës, kurse çdo njeri duhej të priste me thikë qindra drurë kauçuku në ditë.
Lin Li dëshironte të bënte punë, por lëvizja politike nuk mbaronte së zhvilluari dhe puna e jeta ishin ndikuar shumë. Ajo ishte e paqartë për të ardhmen e saj.
Në vitin 1976 Kina ndodhej në një periudhë të tronditjeve të mëdha. Mao Ce Duni dhe dy themeluesit e tjerë kryesorë të Republikës u ndanë nga jeta, në Kinën Veriore ra një tërmet i fortë, mbi 400 mijë njerëz vdiqën ose u plagosën.
Në tetor të atij viti Komiteti Qendror i partisë vendosi dhënien fund lëvizjes politike dhe atëherë Revolucioni Kulturor, që zgjati 10 vjet, përfundoi dhe filloi kthesa e madhe historike. Në vitin e dytë, domethënë viti i 10-të i vajtjes së Lin Lisë në fshat, rifilluan provimet e pranimit të studentëve në shkollën e lartë, që ishin ndërprerë për 11 vjet me radhë. Po atë vit 5.7 milionë të rinj e të reja morën pjesë në këto provime. Lin Li dhe i shoqi, të sapomartuar, kaluan provimet dhe hynë në shkollë të lartë.
Në fund të vitit 1978 Komiteti Qendror i partisë vendosi që theksi i punës së mbarë vendit të kalonte në lulëzimin ekonomik. Pak kohë më parë në Xiaogangcun, një fshat i Kinës Lindore, kishte ndodhur një gjë që tronditi mbarë vendin. Atë vit në ato vise pati thatësirë të madhe. Pas korrjes së të lashtave, çdo fryme të fshatit Xiaogangcun iu shpërndanë vetëm më pak se 4 kilogramë grurë. Për të jetuar, 18 fshatarë vendosën fshehurazi t'ua ndanin tokat e skuadrës së tyre çdo familjeje për t'i mbjellë, që pas dorëzimit të pjesës së të korrave për shtetin dhe kolektivin, ato që mbeteshin t'i përkisnin familjes mbjellëse.
(Drita-Daming )