Megjithëse në programet e kaluara ju kam folur për shumë krahina të bukura të Kinës, përsëri ndiej vështirësi t'ju njoh me vnedin për të cilin do t'ju flas sot, sepse këtu ka aq shumë pika të njohura turistike, saqë kam frikë se duke filluar prezantimin e tyre, programi ynë do të zgjatet deri në disa orë! Por, mos kini merak, kësaj here do të zgjedh vetëm disa prej tyre, më tërheqëset për turistët e huaj, dhe pasi të merrni njohuri të përgjithshme për këtë provincë dhe nëse keni interes, ju ftoj ta vizitoni atë, provincën Zhë Jiang.
Provinca Zhë Jiang laget nga Deti i Kinës Lindore. Në këtë provincë ka shumë si vargmale, kodra, ishuj, fusha, liqene etj., duke krijuar kushte të mira turizmi. Për arsye të lulëzimit ekonomik që nga koha e lashtë, ajo njihet nga njerëzit edhe me emra të tjerë, si "qendra humanitare", "vendlindja e mëndafshit", "djepi i çajit" etj. Nga ana turistike, Zhë Jiang mund të ndahet në katër pjesë kryesore turistike sipas karakteristikave të tyre të posaçme. Së pari, të shkojmë së bashku në kryeqendrën e kësaj province, qytetin Hang Zhou.
Gjatë historisë mijëravjeçare të qytetërimit kinez, shumë qytete kanë qenë nganjëherë kryeqytete të ndonjë dinastie. Por, shumica dërrmuese prej tyre ranë përfundimisht gjatë kohës së mëpasshme. Sidoqoftë, gjashtë ndër to, të cilat u caktuan për fat të mirë si kryeqytete të disa dinastive, janë bërë shembujt më të shkëlqyer që përfaqësojnë qytetërimin kinez në periudha të ndryshme dhe qyteti Hangzhou është një prej tyre.
Për arsye të pozitës ideale gjeografike dhe klimës së përshtatshme, Hangzhou është një qendër e rëndësishme e prodhimit të drithërave, bimëve industriale etj. Duke jetuar në një qytet me panoramë aq të bukur natyrore dhe duke gëzuar një jetë të pasur, banorët vendorë, madje edhe ato të krahinave të tjera, e vlerësojnë këtë qytet si "parajsë në tokë". Në programin e ardhshëm do t'ju njoh me lulëzimin ekonomik të këtushëm, ndërsa sot, le të fillojmë një vizitë të shkurtër në disa pika tërheqëse natyrore të Hang Zhou-t.
Pika më e njohur turistike e Hang Zhou-t është liqeni Xihu. Megjithëse liqeni njihet nga shumë njerëz, një vizitë e plotë në malet e zonat rreth këtij liqeni është e pamungueshme për çdo turist që vjen këtu sepse që nga lashtësia, këtu janë të përqëndruara dhjetë peizazhet mahnitëse të Hang Zhou-t. Ndërsa, nëse keni qenë më parë në Pallatin e Verës ose kopshtin perandorak të Qytetit të Ndaluar të Pekinit, besoj se do të habiteni kur të mbërrini në zonën turistike të liqenit Xihu sepse ato u ngjajnë shumë njëra-tjetrës! Përse?
Siç ju kam treguar në programet e kaluara, perandorët e dinastisë së fundit feudale preferonin shumë të bënin vizita në krahina të ndryshme të vendit për të inspektuar funksionarët e tij dhe për t'u njohur me jetën e banorëve. Ata shëtitën pothuajse pjesën dërrmuese të vendit, ndërsa në Hang Zhou, qëndruan më shumë kohë, sepse panorama e këtushme është më e bukur sesa ajo në Pekin dhe sa herë vinin, nuk dëshironin të ndaheshin nga Hangzhou. Pra, besoj se sa herë u duhej të ktheheshin në kryeqytet, do të ketë qenë një kohë e trishtueshme për ta. Për të plotësuar kërkesën e perandorëve që të shijonin në vendbanimin e tyre mrekullitë natyrore, të cilat ndodheshin mijëra kilometra larg, mjeshtër e arkitektë të panumërt shkuan në Hangzhou dhe imituan këto dhjetë pika më të bukura në shumë ndërtesa perandorake të Pekinit.
Megjithatë, këto kopje ose vepra imituese nuk janë aq të njohura sa panoramat "origjinale" sepse pa një mjedis natyror që përputhet pikërisht me stilin arkitekturore, magjia e këtyre mrekullive nuk mund të shfaqet plotësisht. Duke mos përmendur se këto dhjetë pika më të bukura u ndërtuan sipas klimës vendore. Ato shpërfaqin bukuritë e veçanta të qytetit të Hangzhou-t në të katër stinët e vitit.
Përveç shëtitjes, pirja e një gote çaj është e domosdoshme për turistët, sepse çaji Longjing i këtushëm është një ndër më të njohurit ndër mijëra llojet e çajit të Kinës. Ndërkohë, pa ujin e të posaçëm të Xihu-së, është e pamundshme të provoni aromën më të këndshme të këtij çaji.(Çan Yean)