Më 29 maj të vitit 1948, sipas një rezolute të miratuar, Këshilli i Sigurimit dërgoi 36 vëzhgues ushtarakë në Jerusalem për të mbikëqyrur armëpushimin midis vendeve arabe dhe Izraelit pas luftës së parë në Lindjen e Mesme. Kështu filluan veprimet paqeruajtëse të OKB-së. Që atëherë kanë kaluar 61 vjet, por këto veprime paqeruajtëse nuk janë ndërprerë kurrë dhe helmetat blu të OKB-së janë aktivizuar dhe aktivizohen në çdo skaj të botës të mbuluar me tym baruti. Gjatë kësaj periudhe gjithnjë e më shumë paqeruajtës kinezë kanë marrë përsipër detyrat e rëndësishme të ngarkuara nga OKB-ja, duke kryer misionin e shenjtë të mbrojtjes së paqes botërore dhe të nxitjes së zhvillimit të përbashkët.
"Të gjithë ushtarët, djathtas kthehu, ngjituni në aeroplan. Me vrap, marsh!"
Më 23 nëntor të vitit 2007 në mbrëmje, në aeroportin ndërkombëtar Xinzheng të provincës Henan mbizotëronte errësirë e madhe. 135 komandantë e ushtarë të skuadrës pararojë xheniere të kontingjentit të parë të trupave paqeruajtëse kineze që do të shkonte në Darfur të Sudanit, u ngjitën shpejt në aeroplanin që priste prej kohësh. Atëherë në viset e Kinës Veriore sapo kishte filluar dimri, në aerodromin e madh frynte veriu i egër. Por komandantët e ushtarët që po niseshin, nuk i përmbanin dot emocionet e tyre.
"Ne e ndiejmë se kjo detyrë është e vështirë e me përgjegjësi të madhe, është një mision i lavdishëm. Ne do t'i kryejmë me cilësi, karakteristika dhe sukses të nivelit të parë të gjitha detyrat që na ngarkon OKB-ja, duke hedhur një bazë të fortë për dislokimin e trupave të tjera paqeruajtëse, dhe do të japim ndihmesë të mëtejshme më të madhe për stabilitetin e zhvillimin e zonës së Darfurit dhe për mbrojtjen e paqes në botë."
Këta 135 komandantë e ushtarë kinezë përbënin repartin e parë paqeruajtës të dislokuar nga OKB-ja në Darfur. Në raportin e tij mbajtur në sesionin e 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon përmendi në mënyrë të veçantë se veprimet paqeruajtëse në Darfur ishin më të ndërlikuarat në historinë e ruajtjes së paqes të OKB-së.
Disa muaj pas arritjes së kontingjentit të parë paqeruajtës kinez në Darfur, ne shkuam atje për të parë nga afër jetën e vështirë të ushtarakëve kinezë, shkruajnë korrespondentët e radios sonë. Komandanti i skuadrës xheniere Shangguan Linhong na tha kështu:
"Në Darfur fryn shumë erë me pluhur e rërë, nganjëherë nuk shihet fare brenda disa metrave, në mesditë temperatura është gjithmonë mbi 42 gradë celcius. Në fillim zona e kazermës ishte e shkretë dhe plot me shkurre, madje zbuluam 6 gjarpërinj helmues, si dhe hardhje, akrepa dhe një merimangë helmuese 13 centimetra të gjatë."
Me gjithë kushtet e vështira, ushtarakët kinezë e kryen me efektivitet të lartë ndërtimin e kazermës. Brenda një kohe të shkurtër ata u ngarkuan me dhjetëra detyra konkrete, si ndërtimi i aeroportit, rrugëve, kazermës e objekteve mbrojtëse, hapja e puseve etj., përfunduan me sukses të plotë ndërtimin e zonës së kazermës, të vendqëndrimit të helikopterëve dhe zonës së pritjes së misionit të posaçëm të OKB-së dhe Bashkimit Afrikan në Darfur etj., si dhe ndërtuan 6200 metra rrugë. Përfaqësuesi i posaçëm i përbashkët i OKB-së dhe Bashkimit Afrikan Rodolphe Adada u shpreh me kënaqësi: "Paqeruajtësit kinezë kanë krijuar çudira!"
Kryerja e detyrës paqeruajtëse në Darfur është vetëm një miniaturë e veprimeve paqeruajtëse të Kinës. Në prill të vitit 1990, Kina dërgoi për herë të parë 5 vëzhgues ushtarakë në komisionin e mbikëqyrjes së armëpushimit të OKB-së, duke filluar kështu pjesëmarrjen e saj në veprimet paqeruajtëse të OKB-së. Në vitin 2002 Kina hyri zyrtarisht në sistemin e gatishmërisë së kategorisë së parë të veprimeve paqeruajtëse të OKB-së. Sipas përcaktimeve përkatëse, brenda 90 ditëve duhet kryer përcaktimi i personave dhe përgatitja e pajisjeve të tyre dhe duhet të ekzistojë kurdoherë gatëshmëria për t'u ofruar veprimeve paqeruajtëse skuadra të sigurimit të prapavijës, si skuadra xheniere, ekip mjekësor, të transportit etj.
Në historinë 61-vjeçare të veprimeve paqeruajtëse të OKB-së, Kina ka marrë pjesë vetëm për më pak se 20 vjet. Por kjo periudhë prej 20 vjetësh është koha kur në veprimet paqeruajtëse kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Epoka e Luftës së Ftohtë përfundoi, por konfliktet e ndryshme dhe struktura politike që po ndryshon pandërprerë, i kanë futur në gjendje të vështirë përpjekjet botërore për ruajtjen e paqes; personat paqeruajtës të OKB-së kanë marrë përsipër detyrat jashtëzakonisht të mëdha dhe ndodhen përpara një gjendjeje të ndërlikuar të paparë. Kina, potenciali i së cilës po shtohet pandërprerë, dhe bota po përballojnë së bashku sfidën e paqeruajtjes.
Kina, që nisi 5 vëzhgues ushtarakë në fillim dhe ka dërguar tani mbi 10 mijë paqeruajtës, është bërë vendi që ka çuar më shumë paqeruajtës nga 5 vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Personat paqeruajtës kinezë kanë lënë gjurmët e tyre në Sudan, Kongo (Kinshasa), Liberi, Liban, Timorin Lindor, Haiti etj. të Afrikës, Lindjes së Mesme, Azisë Jugore, dhe Amerikës Latine.
Në vendet që kanë vuajtur shumë nga konfliktet, paqeruajtësit kinezë me bereta blu dhe stemën e OKB-së kanë pritur së bashku me banorët vendorë rrezet e para të agimit paqësor, duke i shoqëruar ata në rrugën e vështirë të rindërtimit të vatrave dhe duke shpërndarë farën e miqësisë.
Chen Haihua, një mjeke e thjeshtë kineze, në vitin 2006, duke u ndarë nga djali i saj 8 vjeç, shkoi në kontinentin e Afrikës së bashku me kontingjentin e 4-t paqeruajtës kinez në Liberi. Gjatë periudhës 8- mujore të punës, ajo dhe kolegët e saj pritën mbi 5 mijë të sëmurë, 250 prej të cilëve rëndë. Edhe sot ajo nuk e harron çastin e shpëtimit të një gruaje shtatzënë.
"Më kujtohet se ishte 25 korriku i vitit 2006, thanë se erdhi në spital një grua shtatzënë që i kishte rënë të fikët, gjendja e saj ishte shumë serioze dhe rrezikohej jeta e nënës dhe e foshnjës. Vendosëm menjëherë që ta shpëtonim atë dhe foshnjën e saj."
Pas 8 orë përpjekjesh të palodhura, ajo grua lindi një djalë. Chen Haihua tha se kur ata, mjekët e infermieret, i çuan foshnjën dhe gruan në spitalin vendor, punonjësit mjekësorë të spitalit i duartrokitën ngrohtësisht, duke u radhitur në të dy anët e rrugës:
"Të afërmit e saj thanë se 'ju shpëtuat jetën e fëmijëve tanë, ne gjetëm mjekët e shenjtë të Lindjes. Na zgjidhni një emër për foshnjën tonë'. Komandanti e komisari ynë dhe të gjithë ne anëtarët mendonim për emrin e foshnjës. Më në fund zgjodhëm emrin Lihua, do të thotë 'Liberia dhe Kina'".
Tani Lihua i vogël është 3 vjeç.
Ka disa shifra domethënëse: repartet paqeruajtëse kineze kanë studiuar dhe ndërtuar mbi 7 mijë kilometra rrugë e mbi 200 ura, kanë vizituar e mjekuar mbi 40 mijë të sëmurë, kanë bërë mbi 4.7 milionë kilometra rrugë për transportimin e njerëzve e të materialeve dhe kanë hequr 7 mijë mina dhe sende të tjera shpërthyese. Qysh nga pjesëmarrja e Kinës në veprimet paqeruajtëse, 8 komandantë e ushtarë kanë rënë në krye të detyrës, ndërsa tani 2 mijë ushtarakë kinezë po kryejnë detyrën paqeruajtëse në 9 zona dhe në departamentin paqeruajtës të OKB-së.
Roli gjithnjë e më i dukshëm i Kinës në veprimet paqeruajtëse të OKB-së ka tërhequr vëmendjen e mbarë botës. Në një raport të shkurtit të këtij viti të Institutit të Studimit të Paqes Ndërkombëtare në Stokholm vihet në dukje se faktet tregojnë se Kina po luan një rol gjithnjë e më të madh në fushën e ruajtjes së paqes. Nëpërmjet kontributit të saj konkret për paqen dhe sigurimin botëror Kina i përgjigjet aktivisht pritjes së botës. Ndërsa gjithnjë e më shumë studiues kinezë e të huaj kanë vënë në dukje se vendosmëria e Kinës për ruajtjen e paqes në botë dhe roli i saj i rëndësishëm në veprimet paqeruajtëse tregojnë se Kina është një vend i madh i përgjegjshëm. (Pina)