Regjisori Roman Polanski u arrestua nga policia zvicerane në aeroport më 27 shtator, për një ekstradim të mundshëm në Shtetet e Bashkuara për marrëdhënie seksuale në vitin 1977 me një vajzë 13-vjeçare, bënë të ditur të dielën autoritetet .
Polanski fluturoi për në Zvicër për të marrë çmimin e nderit për kontributin e tij në kinematografi në Festivalin e Filmit të Zyrihut, kur u kap në aeroport, tha në një deklaratë Ministria zvicerane e Drejtësisë, duke vënë në dukje se autoritetet amerikane kanë kërkuar arrestimin e 76-vjeçarit në mbarë botën qysh nga viti 2005.
"Ishte një kërkesë e vlefshme arresti dhe ne e dinim që ai po vinte," i tha "The Associated Press" zëdhënësi i kësaj ministrie Guido Balmer. "Kjo është arsyeja pse ai u mor nën mbikëqyrje policore."
Balmeri tha se SHBA-së do t'i jepet tani kohë për të paraqitur një kërkesë zyrtare ekstradimi.
Polanski u arratis nga SHBA-ja në 1978, një vit pas shpalljes fajtor për marrëdhënie të paligjshme seksuale me një vajzë 13-vjeçare, dhe ka jetuar në Francë tre dhjetëvjeçarët e fundit, gjatë të cilëve karriera e tij vazhdoi të lulëzojë. Në vitin 2002 ai mori në mungesë çmimin "Oskar" për regjinë më të mirë me veprën e tij të njohur "Pianisti". Ai nuk u ekstradua nga Franca, pasi krimi i tij nuk parashikohet në marrëveshjet përkatëse që Amerika ka nënshkruar me këtë vend.
Në 1977, Polanski u akuzua për përdhunimin e një adoleshenteje kur e fotografonte gjatë një sesioni modelimi. Vajza tha se Polanski i dha të pinte me zor shampanjë dhe pilula Quaalude dhe e përdhunoi, me gjithë kundërshtimet e saj, në shtëpinë e Jack Nicholson-it kur aktori nuk ndodhej aty.
Viktima Samantha Geimer, e cila u identifikua vetë publikisht para shumë kohësh, i është bashkuar kërkesës së Polanskit për heqjen e akuzës ndaj tij, duke shpjeguar se ajo do që kjo çështje të marrë fund. Ajo e paditi Polanskin dhe arriti një ujdi të fshehtë. (Wang Xianya) (Artan)