Përfaqësuesja e Shqipërisë, Kejsi Tola, me këngën e saj "Carry Me Into Your Dreams", ka fituar 48 pikë dhe ka arritur të zë vendin e 17-të në Festivalin e sivjetmë të Eurovisionit të zhvilluar në Moskë. Kejsi Tola ka shkëlqyer përsëri në natën finale, duke u cilësuar nga spektatorët e huaj si një meteor i vërtetë që ra mbrëmë në arenën e kryeqytetit rus. Së bashku me tre balerinët e tjerë Kejsi Tola ka bërë mrekullinë e rradhës duke i detyruar spektatorët të duartrokisnin tepër gjatë. Nata finale ka qenë një fotokopje identike e natës gjysmëfinale, madje duke i bërë edhe përmirësimet përkatëse. Një këngë e mrekullueshme, një këngëtare e shkëlqyer dhe një performancë koreografike që do të shërbejë si model. Ky është përcaktimi që iu bë këngës shqiptare "Më merr në ëndërr", të interpretuar me mjeshtëri nga 17 vjeçarja Kejsi Tola. (Gazmend Agaj)









