Në hyrjen e pavijonit të Venecias është vendosur një hartë e madhe e Venecias ku me ngjyra të ndryshme janë shënuar zona të ndryshme të qytetit. Punonjësja e pavijonit Anna Morbiato na shpjegoi:
"Kjo hartë shfaq në përgjithësi përmbajtjen kryesore të ekspozitës tonë në Ekspozitën Botërore të Shangait. Në të mund të shohim që Venecia është jo vetëm një qytet i lashtë, por edhe një sistem qyteti i përbërë nga shumë ishuj."
Përballë hartës janë vendosur edhe 4 ekrane të ndjeshëm në prekje dhe nëpërmjet prekjes me dorë, vizitorët mund të shikojnë vidjo për t'u njohur në praktikë me Venecian për realizimin e barazisë midis jetesës qytetare e mjedisit natyror, rindërtimin e zonës industriale, mbrojtjen e objkteve historike, krijimin e sistemit kundër përmbytjeve etj. Drejtoresha e marrëdhënieve publike e pavijonit Giulia Dal Maso u shpreh:
"Në të shfaqen disa projekte të rëndësishme të sistemimit të mjedisit. Për shembull porti Marçera ishte një vend i ndotur rëndë dhe nëpërmjet sistemimit të mjedisit, tani atje është ndërtuar një park tekniko-shkencor. Ne zgjedhim posaçërisht këtë shembull për EXPO-n për të treguar se Venecia është edhe një vend me risi."
Që nga shekulli i 5-të, për t'u shmangur nga zjarri i luftës, peshkatarët erdhën me radhë në Venecia dhe gradualisht këtu u formua një qytet ujor. Në mesjetë, Venecia ishte qendra tregtare e kulturore, por për shkak të lëvizjes së pllakave kontinentale, të ndryshimit të klimës, të nxjerrjes së tepërt të ujit nën tokë etj., tani Venecia përballet me rrezikun e përmbytjes. Në janar të vitit 2001, Venecia pësoi fatkeqësinë më të rëndë të përmbytjeve në histori dhe pjesa dërrmuese e qytetit u përmbyt. Në vitin 2004, me përkrahjen e qeverisë italiane, nisi projekti ujor "Mose". Ky projekt ndërtoi një digë të lëvizshme për t'u shmangur kërcënimeve të përmbytjeve. Punonjësi pavijonit të Venecias Rikardo Pellison na shtjelloi për parimin e punës së projektit:
"Kur të nisin përmbytjet, diga e lëvizshme e ndërtuar nën ujë do të shërbejë si barrierë."
Sipas statistikave, deri në fund të qershorit, çdo ditë rreth 6000 vizitorë vizitojnë pavijonin e Venecias. Vizitori nga Shangai Wang Song shprehu imagjinatën e tij për jetën ujore në Venecia:
"Kam jetuar në një qytet të madh për shumë vjet duke gëzuar lirinë e sjellë nga komunikacioni i përsosur. Megjithatë, dëshiroj shumë të provoj jetën me ritme të ngadalta, për shembull të vozis me gondolë në Venecia."
Për të marrë pjesë në EXPO, pavijoni i Venecias projektoi posaçërisht stemën e pavijonit që shfaq idenë e qytetarëve të Venecias për zhvillimin e vazhdueshëm të qytetit. Anna Morbiato na njohu me këtë stemë:
"Në stemë është vizatuar luani fluturues 'San Marco' që është shenja e Venecias dhe një dragua kinez. Duam të shfaqim traditën e shkëmbimeve kulturore midis nesh për të zhvilluar pandërprerë marrëdhëniet midis të dyja palëve." (Fani)(Albana)