Pavijoni i Spanjës gjendet në pjesën Pudong të parkut të EXPO-s. Pamja e jashtme e tij është shumë e veçantë dhe i ngjan një vepre artistike prej kallami që tërheq shumë vizitorë. Për të vizituar pavijonin e Spanjës, zonjusha Liu ka pritur në radhë për mbi një orë. Ajo tha:
"Pamja e jashtme e pavijonit të Spanjës është shumë tërheqëse dhe materiali prej të cilit është ndërtuar është kallami, gjë që përputhet me prirjen e mbrojtjes së mjedisit. Shpresoj të shoh në pavijon panorama e zakone të Spanjës, ky është një vend romantik."
Spanja e Kina kanë histori të njëjtë mijëravjeçare të përdorimit të kallamit si material ndërtimi. Projektuesi i pavijonit të Spanjës është i mendimit se përdorimi i kallamit për ndërtimin e pavijonit mund të zvogëlojë distancën psikologjike me vizitorët kinezë. Siç bëhet e ditur, në ndërtimin e pavijonit të Spanjës është përdorur edhe teknologjia e re e mbrojtjes nga zjarri, me të cilën kallami nuk digjet nga zjarri i vogël, ndërsa zjarri i madh nuk përhapet.
Me pamjen e jashtme të veçantë, pavijoni i Spanjës ka fituar disa emra të bukur, si "Tigri i shtrirë", "Ana e fustanit 'flamenko' të valëvitur" etj. Punonjësit e pavijonit janë shumë të gëzuar për këta emra që sjellin risi dhe ndërtuesja e pavijonit Miralles Tagliabue u shpreh se të gjithë ata janë versionet zyrtare:
"Të gjithë këta emra janë të drejtë. Një ndërtesë nuk duhet të ketë vetëm një emër, vizitorët mund të zbulojnë bukuritë e ndryshme të ndërtesës. Magjia e këtij pavijoni është që ai ngjall imagjinatën e vizitorëve."
Edhe përmbajtja e ekspozitës brenda pavijonit të Spanjës është plot me imagjinatë e entuziazëm. 3 sallat e ekspozitës në këtë pavijon titullohen "Prejardhje", "Qytet" e "Fëmijë" dhe përfaqësojnë përkatësisht të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, duke shfaqur konceptin "Trashëgimi i qytetit nga paraardhësit dhe dorëzimi pasardhësve".
Pas hyrjes në pavijon, vizitorët vijnë në një shpellë të madhe mbi 10 metra të gjerë dhe 30 metra të gjatë. Në kulmin e shpellës varen edhe disa kocka kafshësh. Kjo shpellë është ndërtuar duke kopjuar vatrën e qytetërimit spanjoll – shpellën "Altamira". Në të dy muret e shpellës është e vendosur një perde e madhe ku shfaqet procesi i lindjes së qytetërimit spanjoll, dhe në të mund të shohim edhe figura tipike që shfaqin historinë e kulturën e këtij vendi, si për shembull qytete të lashta, festivali i zjarrit "Los San Fermin", Pablo Pikaso, ylli i tenisit Rafael Nadal etj. Në shpellë është krijuar edhe një skenë e vogël ku vallëzon një kërcimtare e flamenkos.
Në sallën e dytë të ekspozitës, në perde, shfaqet jeta në qytet. Elementët e ekspozitës, si stacioni i trenit, familjet e emigrantëve etj., shfaqin jetën e sotme të spanjollëve.
Tema kryesore e sallës së tretë janë fëmijët, domethënë e ardhmja. Me të hyrë në sallë, vizitorët shohin figurat e disa foshnjave me ngjyra të ndryshme lëkure që thonë "Tungjatjeta" në gjuhën spanjolle e në atë kineze. Në këtë sallë gjëja më tërheqëse është një foshnjë e madhe mekanike 6.5 metra e lartë, që mund të lëvizë e të qeshë, emri i tij është Miguelin. Përfaqësuesja e përgjithshme e pavijonit të Spanjës Maria Tena na njohu me të:
"Miguelini është figura përfaqësuese e pavijonit të Spanjës. Mendoj se ai e Haibao janë dy figurat më të famshme në Ekspozitën Botërore të Shangait."
Shumë vizitorëve u pëlqen së tepërmi Miguelini, zoti Lin nga Hangzhou është një prej tyre:
"Mendoj se salla e tretë është më interesante, sepse në të ka një foshnjë mekanike. Ai mund të imitojë shprehjen e fytyrës të foshnjave dhe është i natyrshëm."
Spanjollët nuk harrojnë të propagandojnë ushqimet e shijshme të tyre në EXPO. Restoranti në pavijonin e Spanjës mund të nxërë 200 klientë njëherësh, në të mund të shijojmë oriz me fruta deti, kofshë të kripur, verë Sherri etj. Kryekuzhinieri i restorantit është Pedro Larumbe, që ka fituar çmimin e parë kombëtar ushqimor të Spanjës. Ai u shpreh se kuzhina spanjolle është po aq e shijshme sa kuzhinat e tjera të famshme botërore dhe shprehu shpresën që më shumë kinezë do të provojnë ushqimet spanjolle:
"Për t'u përputhur me zakonet ushqimore të kinezëve, ne kemi bërë pak ndryshime në gjellët, por premtojmë se shija e çdo gjelle është autentike." (Fani) (Artan)