
Tema kryesore e pavijonit të Gjermanisë në Ekspozitën Botërore të Shangait është "Qyteti harmonik" që do të thotë që nëse arrihet baraspeshë midis risive e traditave, qytetit e natyrës, komunitetit dhe individit, punës e argëtimit, atëherë jeta në këtë qytet është e harmonishme. Sipërfaqja e pavijonit të Gjermanisë është 6000 metra katrorë dhe pavijoni përbëhet nga 4 ndërtesa të parregullta si skulptura që shfaqin bukurinë e peshores.
Drejtoresha e pavijonit të Gjermanisë, Urte Fechter është një zonjë serioze dhe e kujdesshme. Për të njohur më mirë mendimet e vizituesve kinezë, ajo filloi të mësojë gjuhën e kulturën kineze para dy vjetëve. Urte Fechter na njohu me pavijonin e Gjermanisë:

"Ndërtesat dhe pamja e pavijonit të Gjermanisë janë shumë tërheqëse dhe janë në stil futurist. Elementët brenda e jashtë pavijonit shfaqin temën kryesore të pavijonit 'Qyteti harmonik'."
Gjatë ndërtimit të pavijonit të Gjermanisë, është përdorur një membranë me sipërfaqe prej 12 mijë metrash katrorë për të mbuluar pjesën e sipërme. Projektuesi i pavijonit u shpreh se membrana është përdorur kryesisht për t'u mbrojtur nga drita e diellit dhe vapa. Në të ardhmen pas heqjes, kjo membranë do të përdoret për të prodhuar ombrella dielli, çanta etj. Njëkohësisht pas mbylljes së Ekspozitës Botërore, më se 1200 ton çelik i përdorur, do të riciklohet për ripërdorim.

Kur hyjmë brenda pavijonit të Gjermanisë, dëgjojmë zërin e ujit që derdhet dhe shikojmë ngjyrën blu dhe sikur të jemi në oqean. Këtu mund të shohim shpikjet më të reja nga Gjermania, duke ndierë jetën e bukur të sjellë nga risitë tekniko-shkencore.
Qendra e vëmendjes në pavijonin e Gjermanisë është "Burimi energjetik". Ky është një top i madh metali që mund të ndriçojë e të lëkundet. Ky top i madh me një peshë prej 3 tonësh vendoset me 400 mijë dioda dritëdhënëse dhe një pajisje e posaçme në top mund reagojë ndaj tingujve të jashtëm. Kur qindra vizitues thërrasin njëzëri, topi do të lëkundet si i tërbuar, duke shfaqur në të figura që japin me gjallërinë e jetës në qytet. Urte Fechter u shpreh se ky top metalik është prodhuar në Gjermani dhe është i vetëm në botë:

"'Burimi energjetik' është qendra e vëmendjes në pavijonin e Gjermanisë. Shpresojmë që kjo krijimtari të shfaqë idenë e bashkëpunimit për të realizuar objektivin 'Qyteti më i mirë, jeta më e mirë'."
Pas vizitës në pavijonin e Gjermanisë, presidenti i degës së Kinës i Grupit "Volkswagen", Winfried Vahland na foli mbi mbresat e tij:
"Pavijoni i Gjermanisë më ka lënë përshtypje të thellë. Së pari, pamja e jashtme e pavijonit është shumë tërheqëse për mua. Në këtë pavijon vizituesit mund të njohin jetën e gjermanëve dhe mund të njihen me teknologji të përparuara gjermane."

Për t'u shërbyer më mirë vizituesve kinezë, punonjësit në pavijonin e Gjermanisë do të flasin në dy gjuhë, gjermane e kineze. Zëdhënësja e pavijonit Marion Conrady tha:
"Të gjithë punonjësit e pavijonit të Gjermanisë do të zhvillojnë shkëmbime me vizitues në dy gjuhë. Disa punonjës kinezë kanë jetuar ose studiuar në Gjermani dhe kanë shumë njohje për kulturat e të dy vendeve. Njëkohësisht punonjësit mund të flasin edhe në gjuhën angleze."
Në pavijonin e Gjermanisë ndodhet edhe një vepër artistike që do t'u lërë vizituesve përshtypje të thellë. Në një mur të pavijonit është vizatuar një rrugë ku janë vendosur shumë copa metalike me figura të hebrenjve të përndjekur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo vepër ka për qëllim që t'i kujtojë njerëzit të mos harrojnë historinë e luftës.

Krahas këtyre, pas hapjes së Ekspozitës Botërore, në pavijonin e Gjermanisë, vizituesit do të shijojnë në shfaqje artistike të këngëtarëve gjermanë dhe do të provojnë ushqime tipike të këtij vendi. (Fani)









