Qyteti i Korçës zgjodhi mbretëreshën e bukurisë. Tea Cufe, 17-vjeçe meritoi kurorën e bukurisë "Miss Korça 2009", mes 16 vajzave që morën pjesë në konkurs. Spektakli i bukurisë tërhoqi vëmendjen e publikut korçar, i cili mbushi përplot sallën e Teatrit "Andon Zako Çajupi". Një natë plot emocion, e cila ofroi jo vetëm një garë të fortë, por edhe një spektakël të bukur. Gara alternohej me numra koreografikë të përgatitur nga Bardhi Pojani dhe Blerta Balliu, këngë e të ftuar. Por momenti më emocionues ishte ai i shpalljes së mbretëreshës së bukurisë. Fituesja e një viti më parë, Ertemiona Mejdani i dorëzoi kurorën 17-vjeçares Tea Cufe. Veç dy shoqërueseve të miss-it u ndanë edhe të tjera trofe, si "Miss Eleganca", "Miss Fotozhenia", "Miss Buzëqeshja" dhe "Miss Miqësia". (Gazmend Agaj)