Shangai, qyteti organizator i Ekspozitës Botërore, është një qytet i madh dhe i lulëzuar ndërkombëtar me shumë lëvizje. Në qytetin Hangzhou të provincës Zhejiang, 200 kilometra larg Shangait, ndodhet ligatina Xixi, një zonë e bukur piktoreske, e quajtur "mushkëritë e gjelbra të qytetit". Në programin e sotëm do të shkojmë së bashku me ju në këtë zonë ligatinore për të marrë ajër të freskët.
Si një nga 7 qytetet e lashta të Kinës, Hangzhou ka qenë i njohur qysh në lashtësi për liqenin e hijshëm Xihu. 5 kilometra në perëndim të liqenit Xihu gjendet ligatina e rrallë Xixi e qytetit. Për të shkuar prej Shangait në Hangzhou duhen vetëm 2 orë me makinë, ndërsa nga Hangzhou në këtë ligatinë ka autobus të posaçëm turistik.
Parku kombëtar ligatinor Xixi, parku i parë dhe i vetëm kombëtar i ligatinës qytetare, bujqësore dhe kulturore, përfshin një sipërfaqe prej 10.08 kilometrash katrorë. Në të ka burime të pasura ekologjike, peizazhe të thjeshta natyrore e përqendrim të thellë kulture. 6 lumenj që kalojnë në mënyrë të gërshetuar, shumë degë të tyre dhe hauze të shpërndara në park kanë formuar një bukuri të veçantë. Gjatësia e përgjithshme e lumenjve është mbi 100 kilometra, gati 70 % e sipërfaqes është nën ujë, si hauze, këneta etj., duke formuar peizazhin tipik të jugut të lumit Jance.
Duke shëtitur me një barkë druri klasike me bateri, disa turistë nga Shangai bënin pandërprerë fotografi. Ata u thanë korrespondentëve tanë se janë dashamirës të fotografisë dhe se e njihnin shumë mirë liqenin Xihu, por në ligatinën Xixi ishin për herë të parë. Ata mendonin të ktheheshin në Shangai duke marrë me vete këto panorama të bukura, për të gëzuar së bashku me miqtë. Një prej tyre, znj. Chen, tha:
"Si uji i ligatinës Xixi, ashtu edhe peizazhi në shi, janë shumë të bukur."
Sot sipërfaqja e gjelbëruar e këtij parku ka arritur në 85 %. Aty rriten 262 lloje bimësh dhe 112 lloje zogjsh; numri i këtyre të fundit përbën 50 % të numrit të përgjithshëm të zogjve në gjithë qytetin Hangzhou, duke krijuar një pamje joshëse me lule të shumta, me kallama të rritura në qindra hektarë kënetë, bambu të gjelbra njëmijëvjeçare dhe me mijëra çafkëbardha.
Për të përmirësuar cilësinë e ujit, në ligatinën Xixi rriten miliona peshq të shumëllojshëm. Diferenca e temperaturës midis Xixi-së dhe Hangzhout është 2 – 3 gradë celsius, në Xixi uji duket më i freskët.
Në histori Xixi-ja ka qenë vend vizite dhe strehimi i njerëzve të shkolluar dhe ka atmosferë të theksuar kulturore. Ndër dhjetëra monumente historike të shpërndara në këtë park, më e madhja nga sipërfaqja është shtëpia e funksionarit dhe studiuesit të njohur të dinastisë Qing, Gao Shiqi, ku ka ndërtesa të dinastisë Qing me mure të bardha dhe me tjegulla të kuqërremta. Këtu prapa çdo mbishkrimi fshihet një histori. Ciceronia e parkut ligatinor, znj. Zhang, na tha:
"Hieroglifët 'zhuchuang' (dritare bambuje) të praruara në një sfond të zi janë mbishkrimi i perandorit Kangxi, të cilat i kemi kopjuar nga shkrimet e perandorit të ruajtura në muze."
Në ligatinën Xixi ka edhe zakone dhe shprehi të veçanta. Në festën e 5 Majit sipas kalendarit kinez, barkat e stolisura me figurat e dragonjve të të gjitha fshatrave në Xixi mblidhen së bashku për të dhënë shfaqje të ndryshme folklorike.
Mund të shkoni edhe në rrugën "Hezhu" në ligatinën Xixi për të provuar ëmbëlsirat dhe për të dëgjuar një pjesë të operës vendore yue. Në këtë rrugë të bien në sy kudo fshataret e veshura me rroba basme, që thurin shporta të vogla të bukura. Fshatarja Jiang Jie na tregoi:
"Thurja e këtyre shportave të vogla ka një histori njëqindvjeçare. Në fshatin tonë Jiang prodhohen hurma të njohura. Këto shporta të vogla janë posaçërisht për të mbajtur një kile hurma të tilla."
Për të shfrytëzuar plotësisht ligatinën Xixi, Bashkia e qytetit Hangzhou ka hapur edhe Muzeun kinez të ligatinës, Qendrën e studimit të ligatinës, Qendrën e popullarizimit të njohurive shkencore, Zonën për vëzhgimin e zogjve, Parkun e florës ligatinore, Stacionin e kontrollit të mjedisit, Stacionin meteorologjik, Qendrën e ndihmës urgjente për kafshët e egra etj.
Zv/drejtorja e Drejtorisë Shtetërore Kineze të Bujqësisë Ying Hong shprehu mendimin se ligatina Xixi duhet të shërbejë si lëndë e gjallë mësimore për përmirësimin e mjedisit dhe për mbrojtjen ekologjike. Ajo tha:
"Në syrin e turistëve këtu është shumë e bukur. Në fakt ne dëshirojmë që nëpërmjet vizitave të tyre ta zgjojmë vetëdijen e njerëzve për mbrojtjen e ekologjisë dhe natyrës. Çdo njeri ka përgjegjësinë ta mbrojë mjedisin."
Tani parku ligatinor Xixi, përveç funksionit ekologjik, mund të jetë edhe "auditori" i posaçëm i adoleshentëve dhe "muzeu" i publikut, në mënyrë që sa më shumë njerëz t'i afrohen kulturës ligatinore.
Të dashur dëgjues, pasi ndoqët këtë program, a ju ka lënë ligatina Xixi një mbresë të bukur? Ju mirëpresim që të vini në Xixi për të përjetuar bukurinë origjinale të parkut të parë ligatinor kombëtar të Kinës. (Pina)