Yangzhou është një qytet i lashtë me një histori mbi 2500-vjeçare dhe një nga 24 qytetet e para të njohura historike e kulturore kineze. Në vitin 2006 Yangzhou fitoi çmimin e qytetit të përshtatshëm për banim të OKB-së. Yangzhou ndodhet në pjesën e mesme të provincës Jiangsu e ka qenë gjithmonë dhe është nyjë e transportit tokësor e ujor. Nga Shangai në Yangzhou janë vetëm 4 orë me autobus të posaçëm turistik. Ndërsa nga Pekini në Yangzhou ka tren ekspres të veçantë që niset në mbrëmje dhe arrin në mëngjesin e ditës tjetër.
Qyteti Yangzhou, që "ka qenë më i pasuri në histori", është një qytet-park me panorama shumë të bukura. Në pranverë këtu bie një shi i imët, çelin lule të bukura dhe anembanë kundërmon era e luleve. Në këtë stinë të turizmit, qyteti organizon çdo vit "Festivalin ekonomiko-tregtar dhe turistik të marsit". Në shtator e tetor, koha më e mirë për të shijuar hënën, organizohet "Festivali kulturor i hënës". Gjatë kësaj kohe zhvillohen aktivitetet e shëtitjes nëpër parqe, shëtitja me barkë nëpër lumë si perandori Qianlong, shëtitja me barkë në kanal në mbrëmje, festa ushqimore etj. Bukuria e Yangzhou-t, qytetit me përrenj e liqene në jug të lumit Jance, i tërheq vizitorët në të katër stinët.
Në Yangzhou ka shumë monumente historike dhe parqe të bukura dhe elegante. Liqeni Shouxihu është pika turistike që duhet vizituar patjetër. Në krahasim me liqenin Xihu të Hanzhout, liqeni Shouxihu është relativisht i gjatë dhe i ngushtë. Shpjeguesja Xia Liangping tha se liqeni Shouxihu është i hijshëm.
"Liqeni Shouxihu është i bukur, sepse është i gjatë dhe i ngushtë. Tani njerëzit i quajnë të bukur ata me trupin e hollë e të gjatë. Liqeni Xihu i Hangzhout është si bukuroshja e mbushur Yang e dinastisë Tang, ndërsa liqeni Shouxihu është i hollë si mbretëresha Zhao Feiyan e dinastisë Song."
Liqeni Shouxihu ka një histori të gjatë dhe është admiruar nga specialistët e ndërtimit të parqeve të periudhave të ndryshme historike. Në të dy brigjet e liqenit 5 kilometra të gjatë ka plot lule dhe shelgje, në malin Guanyin, mali numër një fetar në jug të lumit Jance, janë të shpërndarë si yje tempujt. Ndërsa ura Ershisi (që në gjuhën kineze do të thotë "njëzet e katër") është vendi më i mirë që në kohët e lashta për të soditur hënën.
Shpjeguesja Xia Liangping tha:
"Ju mund të ecni më këmbë ose të shëtisni me barkë nëpër liqenin Shouxihu, 5 kilometra të gjatë, për të soditur pezazhin e bukur, të përbërë nga disa kopshte private të ndryshme, të cilat janë të hijshme dhe elegante si Parku i Jugut e madhështore si Parku i Veriut. Ka një thënie të tillë: "Pavarësisht se çfarë doni, në Yangzhou mund ta gjeni, sidomos në liqenin Shouxihu."
Në Yangzhou ndodhen edhe tempulli i lashtë me histori të gjatë Daming, parku He i quajtur "pylli në qytet", parku Ge i famshëm për malet artificiale, gërmadha e pallatit të përkohshëm të perandorëve Sui Yangdi, Kangxi e Qianlong, dhe pika të tjera të bukura panoramike.
Sot Yangzou është një qytet i ri modern dhe i hapur, në fakt edhe historikisht ai ka qenë një qytet i njohur i hapur. Në dinastinë Tang Yangzhou ishte qyteti më i madh në zonën juglindore të Kinës dhe një nga 4 portet e mëdha për shkëmbimet ekonomiko-kulturore me botën e jashtme, atëherë numri i tregtarëve të huaj në Yangzhou arriti mbi 10 mijë. Murgu i madh Jian Zhen nga Yangzhou shkoi 6 herë në Japoni, ndërsa jugkoreani Chui Zhiyuan dhe italiani Marko Polo kanë lënë gjurmët e tyre në Yangzhou, i cili është binjakëzuar me 13 qytete të 10 vendeve.
Kryetari i Bashkisë së qytetit Breda të Holandës, qytet i binjakëzuar me Yangzhou-n, z. Velden, ka qenë më shumë se një herë në Yangzhou, dhe çdo herë ka pasur mbresa të reja. Ai tha:
"Mendoj se Yangzhou ka një të ardhme shumë të bukur nga ana ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Ai është një qytet shumë i mrekullueshëm. Kur kthehem në qytetin tim Breda u tregoj njerëzve të atjeshëm se Yangzhou është i mrekullueshëm dhe se ata duhet t'i bëjnë pushimet këtu."
Banorët vendas kalojnë një jetë shumë të këndshme. Në Yangzhou ka ushqime të ndryshme karakteristike dhe mënyra të ndryshme pushimi. Kryetari i Bashkisë së Yangzhou-t, z. Wang, u shpreh:
"Edhe në kohët e lashta Yangzhou ka qenë një qytet me mënyra të ndryshme pushimi, ku ka atmosferë të theksuar humanitare dhe shumë produkte turistike të freskëta, të cilat plotësojnë nevojat pamore dhe shpirtërore të turistëve. Këtu ata mund të shohin panoramat e bukura dhe njëkohësisht të rregullojnë gjendjen e tyre shëndetësore e shpirtërore dhe të marrin energji të re. Të gjithë turistët që vijnë në Yangzhou mund t'ia kalojnë gëzuar."
Z. Wang tha po ashtu se tani ata po hartojnë planin e "turizmit në qytet" dhe se do ta bëjnë gjithë qytetin një pikë piktoreske. Vizitorët do të kënaqen me panoramat e bukura e këtushme dhe do të përjetojnë nga afër atmosferën e pushimit të rehatshëm. Ai tha:
"Unë i ftoj mysafirët kinezë e të huaj të investojnë, të vijnë për vizitë dhe të kalojnë pushimet në Yangzhou, për të kërkuar rastet e zhvillimit. Më mirë të shikosh një herë sesa të dëgjosh 100 herë. Kur të ndodheni në Yangzhou do të jeni dakord me mendimet e mia dhe do të keni dëshirë të vini edhe një herë. Ju mund të vini shpesh për pushime turistike këtu. Po përpiqemi që të plotësojmë kërkesat e vizitorëve." (Pina)