Më 1 maj të vitit të ardhshëm do të hapet Ekspozita Botërore e Shangait. Nëse keni në plan të vini në Shangai gjatë kësaj ekspozite, ju paraqesim tani pikën tjetër piktoreske, liqenin Xihu në qytetin e Hangzhout, që duhet vizituar patjetër.
Nga Shangai në liqenin Xihu të Hangzhout ka çdo ditë tren të posaçëm turistik dhe duhen vetëm dy orë për të shkuar aty. Liqeni Xihu i Hangzhout, që është një nga tre qytetet më të mira turistike të Kinës, tërheq çdo vit shumë vizitorë kinezë e të huaj, të cilët shkojnë atje për të parë bukurinë dhe qetësinë e liqenit e të maleve të Hangzhout, i quajtur "parajsa në botën njerëzore".
Liqeni Xihu ndodhet në qendër të qytetit Hangzhou, dikur ai ka pasur emrat Wulinshui, Qiantanghu dhe Xizihu. Sipërfaqja e ujit të liqenit është 5.66 kilometra katrorë, ndërsa perimetri i bregut të tij është 15 kilometra. Nëse dëshironi të keni një kontakt të drejtpërdrejtë me liqenin, mënyra më e mirë është të shëtisni me varkë nëpër të. Në rast se shëtisni për herë të parë në këtë liqen me barkë turistike, do t'ju rekomandojmë një lundërtare aty që quhet Yang Xiuping.
Yang Xiuping, rreth 30-vjeçare, me fytyrë të kuqe e zeshkane të nxirë nga era dhe dielli, është një bukuroshe tipike e jugut të lumit Jance. Kur kishim zënë vend mirë të gjithë vizitorët, lundërtarja filloi t'u jepte lopatave dhe peizazhi i bukur shtrihej ngadalë si një pikturë e gjatë para syve tanë, shkruan korrespondenti. Duke dëgjuar gurgullimat e qeta të ujërave dhe këngët e gjinkallave në shelgjet në bregun e liqenit, lundërtarja Yang Xiuping filloi të tregonte:
"Në të katër stinët e vitit liqeni Xihu ka pamje të bukura. Në pranverë në pendën Su, që zë vendin e parë ndër 10 pikat piktoreske të liqenit, çelin lulet e pjeshkës, në verë çelin lulet e lotusit, në vjeshtë mund të sodisni hënën e bukur në pikën piktoreske me tre pagoda guri në formë shisheje, ndërsa në dimër mund të shijoni peizazhin me borë në urën Duanqiao."
Lundërtarja Yang Xiuping shpjegonte duke ngarë barkën, që më në fund arriti në pendën Su. Poeti i dinastisë Song, Su Dongpo, kur ishte guvernatori i Hangzhout, nxori lym nga shtrati i liqenit dhe ndërtoi një pendë të gjatë, së cilës pasardhësit ia vunë emrin "Penda Su". Kështu jo vetëm u pastrua liqeni Xihu që ta kishte ujin më të kulluar, por u krijua edhe një pikë jashtëzakonisht e bukur që quhet "Sudi Chunxiao" (Agimi pranveror në pendën Su).
Pas Lojërave Olimpike të Pekinit, po vjen Ekspozita Botërore e Shangait. Punonjësit e zonës piktoreske të liqenit Xihu kanë bërë përgatitjet e duhura për t'u ofruar shërbimet më të mira vizitorëve kinezë e të huaj. Zhao Yuanchen, pronarja e një dyqani ku shiten sende përkujtimore në pendën Su, dhe shitësit e dyqanit të saj mund të komunikojnë në mënyrë të thjeshtë me të huajt në anglishte, japonishte, në gjuhën koreane, malajzishte etj.
"Në pendën Su vijnë shumë turistë të huaj. Për t'u shërbyer më mirë atyre, kërkoj në radhë të parë që shitësit të dinë pak gjuhë të huaja, të paktën të dinë 6 - 7 gjuhë. Sepse kur dimë gjuhët e vizitorëve të huaj, mund të kuptojmë se ç'flasin ata, dhe ata mund të mësojnë se populli kinez është mikpritës dhe kjo është në të mirën e biznesit tonë."
Zhao Yuanchen tha se turistët në përgjithësi blejnë çadra të bukura prej mëndafshi Xihu, freskore aromatike dhe sende të tjera përkujtimore, dhe pastaj shëtisin me biçikletë rreth liqenit për ta parë nga afër atë.
Duke filluar nga 1 maji i vitit të kaluar, Bashkia e Hangzhout ka vënë në qendër të qytetit dhe në pikat piktoreske mbi 2 mijë biçikleta. Turistët mund t'i përdorin ato me qira, dy juanë në orë. Shumë vizitorë duan të shëtisin me biçikletë, me këtë mënyrë të thjeshtë, të modës dhe që mbron mjedisin.
Korrespondenti i radios sonë takoi në pikën piktoreske "Huangang Guanyu" një turist të ri nga provinca Jiangsu, z. Song. Sipas tij, shëtitja me biçikletë jo vetëm i mundëson të shohë panoramat e bukura të liqenit Xihu, por edhe përputhet me konceptin e "Lojërave olimpike të gjelbra". Ai tha:
"Shëtitja me biçikletë është e gjelbër, e lirë dhe mbron mjedisin. Të rinjtë si unë mund të kaliten fizikisht. Përdorimi me qira i biçikletës është i lehtë."
Në qytetin e Hangzhout, që ndodhet në bregdetin e Kinës Juglindore, në skajin jugor të kanalit të gjatë Pekin-Hangzhou, qytet që u quajt nga udhëtari italian i shekullit të 13-të Marko Polo "qyteti qiellor më i bukur dhe më luksoz në botë", që prodhon mëndafshin e çajin longjing dhe që ka ushqime tradicionale, si peshku me uthull Xihu, mishi i derrit Dongpo etj., ju mund të shijoni plotësisht jetën e parajsës qiellore.
Tani ju përshëndet pishtarja e Lojërave Olimpike dhe lundërtarja e liqenit Xihu, Yang Xiuping:
"Vizitoni Hangzhou-n, Xihu ju mirëpret!" (Pina)