PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Suzhou, "parajsa në botën njerëzore"
2009-09-30 19:25:54 cri Printoni

Nëse dëshironi të vini në Shangai gjatë Ekspozitës Botërore që do të hapet më 1 maj të vitit të ardhshëm, duhet të hartoni mirë planin e udhëtimit, sepse rreth Shangait ka shumë pika turistike për të vizituar. Në Kinë ka një thënie të lashtë: "Në qiell është parajsa, në tokë Suzhou e Hangzhou". Tani do të shkojmë bashkë me ju për një vizitë në "parajsën në botën njerëzore", Suzhou.

Qyteti Suzhou i provincës Jiangsu ndodhet në pjesën e mesme të deltës së lumit Jance, në lindje ai lidhet me Shangain, në jug me provincën Zhejiang, në perëndim me liqenin Taihu dhe në veri me lumin Jance. Sipas planifikimit urban, zona e lashtë e qytetit është e ndarë nga zona e re industriale, duke u mbrojtur kështu pjesa e lashtë e Suzhout dhe duke i dhënë zonës së re industriale hapësirë zhvillimi. Sot ky qytet i lashtë ruan ende strukturën e ecjes paralele të rrugëve ujore me ato tokësore dhe lidhjes së ngushtë të përrenjve me ndërtesat, dhe pamjen e vet të veçantë të formuar nga urat e vogla mbi përrenj, shtëpitë me mure ngjyrëtrëndafil e me tjegulla bojëhiri, si dhe nga monumentet historike dhe parqet e njohura. Në zonën e lashtë të qytetit ka 5 rrugë historike: "Pingjiang", "Zhuozhengyuan", "Yiyuan", "Shantang" e "Changmen", si dhe shumë monumente historike.

Rruga "Shantang" quhet "rruga numër një e Suzhout", në të ngrihen ndërtesa shumë të bukura e elegante dhe ka shumë dyqane. Në mbrëmje fenerët e kuq janë të ndezur, melodia e bukur e pingtanit (balada e Suzhout e shoqëruar me pipa), që dëgjohet nga larg, harmonizohet me gurgullimat e përrenjve. Turistja Huang Enling nga Singapori e shprehu kështu ndjenjën e vet.

"Ky është një qytet i lashtë dhe i bukur si pikturë, e ndiej veten shumë këndshëm."

Pas vizitës në rrugën "Shantang" në mbrëmje, mund të uleni në ndonjë çajtore e të pini një çaj të përgatitur me ujin e liqenit Taihu, duke dëgjuar melodinë e butë e të shtruar të pingtanit të Suzhout.

Në Pekin ju ndiqni me siguri Operën e Pekinit, atëherë në Suzhou duhet të shijoni patjetër pingtanin. Në Suzhou ka disa çajtore të mira, si "Qiantang Renjia", "Chunlei", "Shuitiantang", "Charencun" etj. Çajtorja "Chunlei" në bregun e liqenit Jinji është e stilit të lashtë dhe elegant, aty mbizotëron aroma e këndshme e çajit dhe dritat e errëta e bëjnë atë të duket e bukur dhe të qetë. Duke pirë çaj dhe duke dëgjuar melodinë e pingtanit këtu, do t'ju ikin të gjitha telashet e mërzitjet.

Nëse mendoni se Suzhou është një qytet me ritme të ngadalshme dhe me atmosferë klasike, gaboni.

Mund të themi se kjo muzikë moderne është muzikë simbolike e sheshit "Yuanrong Shidai" të Suzhout. Më i njohuri në këtë shesh është "ekrani qiellor numër një në botë", një rrip me mbi 20 mijë llamba LED, 500 metra i gjatë dhe 32 metra i gjerë, që u ndërtua me 100 milionë juanë. Gjithnjë e më shumë turistë vijnë në këtë shesh për ta parë atë. Ndër ta ishin edhe amerikanët Rico Harrison dhe Shawn James, që ndodheshin me shërbim në Suzhou. Rico Harrison tha:

"Ky ekran i pabesueshëm më ka lënë mbresë të thellë. Këto piktura të krijuara me kompjuter janë shumë të bukura, të krijojnë shijen e jetës dhe ndjenjën e realitetit. Më pëlqejnë 'Statuja e Lirisë', figurat e shqiponjave, si dhe piktura të tjera që përshkruajnë objekte të vendeve të tjera. Ekrani qiellor është shumë i mrekullueshëm."

Amerikani tjetër Shawn James tha se ka parë edhe në vende të tjera ekran qiellor LED, por ekrani super i gjatë i Suzhout e ka befasuar më shumë. Ai tha:

"Ky ekran qiellor ka përmbajtje më të pasur, ai tregon historinë dhe imazhin e Suzhout, ka tiparet më karakteristike vendore dhe është më i bukur."

Nëse keni qenë për vizitë në Stadiumin Kombëtar të Kinës në Pekin, në atë "Fole zogu" madhështore, të ndërtuar me armaturë çeliku, atëherë në Suzhou duhet të vizitoni patjetër Qendrën e Shkencës, Teknologjisë, Kulturës e Artit që quhet "Foleja e zogut" e vogël. Kjo ndërtesë në formë gjysmëhëne nga lart duket si një margaritar brenda në një midhje me dy kapakë pak të hapur.

Ashtu si "Foleja e zogut" e Pekinit, edhe këtë ndërtesë e ka projektuar arkitekti francez Paul Andreu. Kjo ndërtesë është gjithashtu me strukturë çeliku, por në të janë futur disa elemente moderne dhe klasike. Shpjeguesja e kësaj qendre Shen Jingjing tha:

"Në këtë ndërtesë janë përfshirë disa elemente bazë të parqeve të Suzhout. Muri perde i ndërtesës duket nga afër si fije mëndafshi të zmadhuara, ndërsa nga larg si një shtresë mëndafshi që ka veshur nga jashtë ndërtesa, gjë që tregon se Suzhou është qyteti i mëndafshit. Mbi 20 mijë llamba LED të vendosura në këtë mur perde lëshojnë ngjyra të ndryshme sipas tensionit elektrik. Ky mur i krijuar me shumë gjashtëkëndësha ka bërë që hapësira e ndërtesës të duket e zgjeruar."

Në këtë qendër ka një teatër të madh me 1200 vende dhe me pajisjet më të përparuara, një restorant të madh ku mund të hanë njëkohësisht 500 veta duke shijuar shfaqje artistike, një kinema IMAX dhe një qendër kinematografike me 7 salla të shfaqjes së filmave, një pallat ekspozitash e një qendër tregtare me një sipërfaqe prej 23 mijë metrash katrorë, prandaj ajo është një ndërtesë me funksione turistike, kulturore, tregtare etj.

Në Suzhou ndodhet edhe një ndërtesë e re e stilit klasik me karakteristika vendore, muzeu i ri i Suzhout. Ky muze është vepra e fundit e arkitektit të njohur në botë Bei Yuming, që është nga Suzhou, i cili e konsideron këtë vepër si vajzën e vet të vogël. Këtë muze ai e projektoi sipas parimit "jo i lartë, jo i madh dhe jo i dukshëm", dhe stilit të parkut klasik të Suzhout. Bambutë dhe pemët elegante në oborrin e muzeut krijojnë një bukuri harmonike së bashku me ndërtesën e fortë.

Për të shijuar bukurinë e Suzhout, ju duhet të shkoni atje. Suzhou është vetëm një orë me tren larg nga Shangai. Mund të bëni një vizitë me miqtë tuaj në këtë qytet, që ndodhet më afër Shangait. (Pina)

Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China