Më 18 dhjetor, kryeministri kinez Wen Jiabao mori pjesë në takimin e liderëve të Konferencës së Kopenhagës mbi Ndryshimin e Klimës, duke mbajtur një fjalim, ku shtjelloi në mënyrë të gjithanshme qëndrimin, pikëpamjet dhe masat e qeverisë kineze mbi përballimin e ndryshimit të klimës.
Wen Jiabao vuri në dukje se për përballimin e ndryshimit të klimës duhet besim i vendosur, përpjekje aktive dhe bashkëpunim më i ngushtë në komunitetin ndërkombëtar. Gjithashtu, duhet të ngulet këmbë për rregulla të barabarta dhe duhet t'i kushtohet rëndësi arsyeshmërisë së objektivave përkatëse. Ai tha gjithashtu se Marrëveshja Kornizë e OKB-së mbi Ndryshimin e Klimës dhe Protokolli i Kiotos janë arritje pas përpjekjeve të gjata, si dhe bazë ligjore dhe busull e veprimeve të komunitetit ndërkombëtar në përballimin e ndryshimit të klimës. Kështu, arritjet e konferencës së Kopenhagës duhet medoemos të jenë në bazë të parimeve kryesore të marrëveshjes së OKB-së dhe Protokollit të Kiotos. Ndërkohë, puna kryesore duhet të jetë arritja e synimit afatmesëm e afatgjatë dhe ndërmarrja e veprimeve.
Kryeministri kinez theksoi po ashtu se synimi i qeverisë kineze për pakësimin e lëshimit të gazit serrë është një veprim i bazuar në gjendjen e vendit, është pa kushte shtesë, pa lidhje me synimet e të tjerëve dhe është i përgjegjshëm për popullin kinez dhe njerëzimin. Pavarësisht se çfarë arritjesh do të ketë Konferenca e Kopenhagës, pala kineze do të ngulë këmbë për arritjen, madje kalimin, e këtij synimi. (Jiang Lei) (Artan)