Më 7 dhjetor, në kryeqytetin e Danimarkës Kopenhagë, u hap konferenca e 15-të e palëve nënshkruese të "Konventës Kornizë të OKB-së mbi Ndryshimin e Klimës", që është edhe konferenca e 5-të e palëve nënshkruese të "Protokollit të Kiotos".
Në ceremoninë e hapjes kryeministri danez Lars Rasmussen mbajti një fjalim, ku tha se ngrohja globale është bërë gjithnjë e më serioze me kalimin e kohës dhe ka ndikuar mbi vendet e mbarë botës. Ai shprehu shpresën që palët e pranishme të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe ta shndërrojnë vullnetin politik në veprime të përbashkëta, që të arritet një marrëveshje e efektshme, e zbatueshme dhe e pranueshme nga gjithë globi lidhur me ndryshimin e klimës.
Sekretari ekzekutiv i Konventës Yves de Boer nxiti pjesëmarrësit në konferencë të shfrytëzojnë arritjet që e kanë në dorë e t'i kthejnë në veprime konkrete.
Delegacionet zyrtare nga 192 vende të ndryshme marrin pjesë në këtë konferencë 12-ditore, ku do të diskutohen çështjet si përballimi i ndryshimit klimatik, pakësimi i lëshimit të gazit serrë, dhënia e fondeve për vendet në zhvillim dhe përkrahja teknologjike etj. (Wang Xianya)