Më 29 shtator në mbrëmje, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB Zhang Yesui dhe bashkëshortja e tij organizuan një pritje në selinë e delegacionit kinez në OKB për nder të 60-vjetorit të Republikës Popullore të Kinës. Në këtë pritje morën pjesë sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon, kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Ali Abdussalam Treki, ambasadorët e vendeve të ndryshme në OKB, punonjës të organizatave të OKB-së, drejtues të shoqatave të emigrantëve kinezë në pjesën lindore të ShBA-së etj.
Ban Ki-moon shprehu urime të nxehta për 60-vjetorin e krijimit të Republikës Popullore të Kinës. Ai tha se Kina është një vend anëtar shumë i rëndësishëm i OKB-së dhe ka dhënë ndihmesë të shkëlqyer për çështjet e ndryshme të kësaj organizate. Ban Ki-moon u shpreh në vazhdim se kryetari i shtetit i Kinës Hu Jintao mori pjesë në 3 samite të OKB-së dhe mbajti fjalime të rëndësishme në to. Z. Ban Ki-moon shprehu dëshirën e mirë për lulëzimin e Kinës dhe tha se pret që Kina të japë kontribut më të madh për paqen e stabilitetin e të gjithë botës.
Në këtë pritje gjithashtu u paraqitën shumë fotografi që tregonin sukseset e Kinës gjatë këtyre 60 vjetëve. (Yuan Xin) (Artan)