Më 23 shtator kryetari i shtetit i Kinës Hu Jintao u takua në Nju-Jork me presidentin e Rusisë Dimitri Medvedev, duke shkëmbyer me të mendime mbi marrëdhëniet kino-ruse dhe problemet ndërkombëtare e rajonale me interes për të dy palët.
Hu Jintao u shpreh se Kina e Rusia kanë miratuar zyrtarisht "Programin e bashkëpunimit midis rajonit verilindor të Kinës dhe Lindjes së Largët e Siberisë Lindore të Rusisë", i cili është një dokument me përmbajtje të pasur dhe me rëndësi për bashkëpunimin e rajoneve kufitare të Kinës e Rusisë. Të dy vendet kanë nënshkruar gjithashtu memorandumin e mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushën e gazit natyror, që është një hap tjetër i madh në bashkëpunimin energjetik. Kina shpreson që doganat e të dyja vendeve të përpiqen të forcojnë administrimin për të nxitur lehtësinë e zhdoganimit.
Hu Jintao tha se, pas incidentit të 5 korrikut në Rajonin Autonom të Singjian-Ujgurit, qeveria ruse i ka dhënë qeverisë kineze përkrahje të fortë. Pala kineze e vlerëson lart këtë dhe e falënderon shumë Rusinë.
Ndërsa presidenti Medvedev u shpreh se pala ruse do të zbatojë me seriozitet "Programin e bashkëpunimit midis rajonit verilindor të Kinës dhe Lindjes së Largët e Siberisë Lindore të Rusisë". Ndërkohë, ajo dëshiron të zhvillojë bashkëpunimin me palën kineze në fushat elektrike e bërthamore etj. Medvedevi u shpreh gjithashtu se çështja e Singjianit është çështje e brendshme e Kinës dhe asnjë lloj force e jashtme nuk duhet të ndërhyjë në të. (U Sen)