Më 23 shtator në Nju-Jork kryetari i shtetit i Kinës Hu Jintao mori pjesë në debatet e zakonshme të sesionit të 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke shtjelluar mendimet dhe propozimet e Kinës për problemet e rëndësishme botërore dhe gjendjen e tanishme ndërkombëtare.
Hu Jintao u shpreh se, në situatën e tanishme në botë, komuniteti ndërkombëtar duhet të zhvillohet së bashku dhe duhet të nxitë krijimin e botës paqësore, harmonike e të lulëzuar me konceptet e paqes, të zhvillimit, të bashkëpunimit, të përfitimeve të përbashkëta e të tolerancës. Duke folur për këtë, Hu Jintao propozoi që të shqyrtohet siguria nga një këndvështrim më i gjerë për të ruajtur paqen e stabilitetin botëror, duhet të trajtohet zhvillimi në mënyrë më të gjithanshme për të nxitur lulëzimin e përbashkët, duhet të zhvillohet bashkëpunimi me sjellje më të hapur për të nxitur përfitimet reciproke dhe duhet të shtohet toleranca e zemërgjerësia ndaj njëri-tjetrit për të realizuar bashkekzistencën harmonike.
Hu Jintao theksoi se Kina do t'u përmbahet me vendosmëri zhvillimit paqësor, strategjisë së hapjes me përfitime reciproke dhe 5 parimeve të bashkekzistencës paqësore.
Gjithashtu z. Hu Jintao deklaroi edhe masat e Kinës për të përkrahur vendet në zhvillim. Ai u shpreh se Kina do të vazhdojë të forcojë përkrahjen për vendet në zhvillim që janë prekur seriozisht nga kriza financiare ndërkombëtare, të zbatojë masat e paraqitura në mbledhjen e nivelit të lartë të Zhvillimit të Mijëvjeçarit të OKB-së lidhur me përkrahjen e vendeve në zhvillim, të zbatojë masat e ndihmës të përcaktuara në Samitin e Pekinit të Forumit të Zhvillimit Kino-Afrikan dhe të marrë pjesë në bashkëpunimin rajonal financiar e monetar. (U Sen)(Artan)