Më 19 maj, gripi A- H1N1 vazhdon të përhapet në 40 vende. Deri në orën 9 të 20 majit, sipas orës së Pekinit, numri i rasteve të konfirmuara në të gjithë botën ka arritur 10342. Vendet me numrin më të madh të rasteve janë sipas radhës SHBA-ja, Meksika, Kanadaja dhe Japonia.
Sipas të dhënave të publikuara më 19 maj nga Qendra Amerikane e Kontrollit dhe e Parandalimit të Sëmundjeve, numri i rasteve të konfirmuara të gripit A-H1N1 në SHBA ka arritur 5469, duke përfshirë 6 të vdekur.
Më 19 maj, Ministria e Shëndetësisë e Meksikës shpalli se numri i rasteve të konfirmuara të gripit A-H1N1 në atë vend ka arritur 3734, duke përfshirë 74 të vdekur.
Deri më 19 maj, numri i rasteve të konfirmuara të gripit A-H1N1 në Kanada ka arritur 520, duke përfshirë 1 të vdekur.
Deri në orën 1 të 20 majit, sipas orës vendore, numri i rasteve të konfirmuara të gripit A-H1N1 në Japoni ka arritur 193.
Sekretarja e përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë Margaret Chan u shpreh më 19 maj se megjithëse numri i rasteve të konfirmuara të gripit A-H1N1 në Japoni është rritur shumë, tani për tani alarmi i përhapjes së gripit në OBSH është ende në nivelin e 5-të dhe nuk ka plan të rritet në nivelin e 6-të. (Çang Çuo)