Gripi A-H1N1 vazhdon të përhapet në të gjithë botën. Deri në orën 17 pasdite të 11 majit sipas orës së Pekinit, sipas të dhënave të publikuara të OBSH-së, ka 4379 raste të konfirmuara të infektimit nga ky virus, dhe 49 të vdekur. Specialistët thonë që megjithëse rritet numri i të infektuarve duhet të shihet ana pozitive që shumë nga të infektuarit janë shëruar. Ndërkohë palët e ndryshme duhet të mbajnë vigjilencën dhe të marrin masa të përshtatshme për ngadalësimin e përhapjes së këtij virusi.
Sipas të dhënave të reja të publikuara më 10 maj nga Qendra e Parandalimit dhe e Kontrollit të Sëmundjeve e SHBA-së, numri i të infektuarve nga gripi A-H1N1 në këtë vend ka arritur në 2532, duke përfshirë 3 të vdekur.
Ndërsa Drejtoria Shëndetësore e Kanadasë bëri të ditur më 10 maj se atë ditë pati edhe 4 raste të reja të konfirmuara të kësaj sëmundjeje, duke e çuar numrin e përgjithshëm të këtyre rasteve në 284, përfshirë edhe një të vdekur.
Sipas të dhënave statistikore të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë e Panamasë më 10 maj, numri i të infektuarve nga gripi A-H1N1 në këtë vend ka arritur në 15. Po në Britaninë e Madhe, pati edhe 8 raste të reja të konfirmuara të kësaj sëmundjeje, duke e çuar numrin e përgjithshëm të këtyre rasteve në 55.
Një zyrtar i Qendrës së Parandalimit dhe të Kontrollit të Sëmundjeve të SHBA-së tha se është vështirë të parashikohet ky virus, i cili do të ndryshojë sipas rastit. (U Sen)