Më 2 prill, u zhvillua në Londër samiti i dytë financiar i G20-ës. Kryetari i Shtetit i Kinës Hu Jintao mori pjesë në të dhe mbajti një fjalim të rëndësishëm.
Tema e fjalimit të Hu Jintao-s është "bashkëpunim, ndihmë reciproke". Në këtë fjalim, Hu Jintao u shpreh se tani detyra më urgjente është që të ndihmohet rritja e ekonomisë botërore me të gjitha forcat, të parandalohet një rënie e madhe ekonomike; të kundërshtohet proteksionizmi në çdo mënyrë, të ruhet një ambient i lirë e i hapur i investimeve tregtare; të shpejtohet reforma përkatëse, të rindërtohet rendi financiar ndërkombëtar. Hu Jintao theksoi se duhet të forcohet bashkëpunimi në mbikëqyrjen dhe kontrollin financiar, duhet të përmirësohet administrimi i institucioneve pranë FMN-së dhe BB-së, duhet të forcohen fuqitë e përfaqësimit dhe e drejta e fjalës e vendeve në zhvillim dhe duhet të përmirësohet sistemi monetar ndërkombëtar.
Hu Jintao u shpreh gjithashtu se për ta përballuar krizën financiare, Kina zbaton politikën aktive financiare dhe politikën monetare me lirinë e kufizuar, gjë që ka formuar një sërë programesh që zgjeron më tej kërkesën e brendshme dhe nxit rritjen ekonomike. Kjo luan një rol pozitiv jo vetëm në ekonominë e Kinës, por edhe ekonominë e rajonit dhe të botës.
Hu Jintao theksoi në fjalimin e tij se si një anëtar i përgjegjshëm në komunitetin ndërkombëtar, Kina gjithmonë merr pjesë aktivisht në bashkëpunimin ndërkombëtar në përballimin e krizës financiare. Kina do të vazhdojë të forcojë koordinimin e politikave makroekonomike me vende të tjera, do të nxisë reformë në sistemin financiar ndërkombëtar, do të ruajë aktivisht stabilitetin e tregtisë shumëpalëshe dhe do të japë kontribut të duhur për rritjen ekonomike botërore.(Jiang Lei)