Mobilizohet ndihma rajonale pas tërmetit shkatërrues në Mianmar 
04:08:21 2025-03-31
Share

Ndërsa numri i të vdekurve nga tërmeti në Mianmar rritet, Kina dhe vendet fqinje kanë mobilizuar me shpejtësi ndihmën kritike dhe kanë dërguar ekipet e shpëtimit në zonat më të goditura.

Foto nga VCG

Numri i viktimave është rritur në 1700. Ndërkohë janë mbi 3400 të plagosur nga tërmeti i fuqishëm, sipas Ekipit të Informacionit të Këshillit të Administratës Shtetërore të Mianmarit. 

Tërmeti me magnitudë 7.7 goditi të premten vendin e Azisë juglindore. Mandalay, Bago, Magway, shteti verilindor Shan, Sagaing dhe Nay Pyi Taw janë ndër rajonet më të goditura. 

Foto nga VCG

Ekipi i parë i shpëtimit i Kinës me 37 anëtarë nga provinca Yunnan, mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Yangon të shtunën në mëngjes, duke sjellë me vete detektorë të jetës, drone dhe sisteme paralajmërimi të hershëm të tërmeteve. 

Gjatë operacioneve të shpëtimit, një i moshuar u gjet i gjallë të dielën herët në kryeqytetin Nay Pyi Taw. Një ekip tjetër kinez shpëtimi me 82 trupa mbërriti gjithashtu në Yangon të shtunën pasdite, për të ndihmuar homologët e Mianmarit në kryerjen e aksioneve të ndihmës. Shoqata e Kryqit të Kuq të Kinës ka dërguar ndihma urgjente humanitare në Mianmar. Furnizimet e ndihmës emergjente, të cilat do të shpërndahen përmes Shoqatës së Kryqit të Kuq të Mianmarit, përfshijnë 300 tenda, 2.000 batanije, 600 shtretër portativë dhe pako ndihmash për 2.000 familje të prekura.

Kina ka vendosur t'i japë Mianmarit 100 milionë juanë (afërsisht 13.9 milionë dollarë) si ndihmë humanitare urgjente për të mbështetur përpjekjet për lehtësimin e dëmeve të tërmetit, tha një zëdhënës i Agjencisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim të Kinës. 

Foto nga VCG

Ekipi kinez i kërkim-shpëtimit gjeti me sukses një fëmijë në qytetin e goditur rëndë të Mandalay, Myanmar, të hënën në orën 05:37 sipas kohës lokale. Fëmija ishte bllokuar për mbi 60 orë nën rrënojat e një apartamenti. Ky është personi i dytë që ekipi shpëtoi, që nga mbërritja në Mandalay të dielën. 

Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) tha në një deklaratë të ministrave të jashtëm se ajo njeh më tej nevojën urgjente për ndihmë humanitare dhe është e gatshme të mbështesë përpjekjet e ndihmës dhe rimëkëmbjes.

 “ASEAN pohon solidaritetin e saj dhe do të punojë ngushtë për të koordinuar ndihmën humanitare, për të mbështetur dhe lehtësuar operacionet e ndihmës dhe për të siguruar përgjigje humanitare në kohë dhe efektive”, thuhet në deklaratë. 

Agjencia kombëtare e menaxhimit të fatkeqësive të Malajzisë tha se vendi do të dërgojë të dielën në Yangon një ekip prej 50 anëtarësh për ndihmë humanitare dhe ndihmë për fatkeqësitë . 

"Malajzia mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për bashkëpunim rajonal. Vendi do të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë domethënëse në përpjekjet e ndihmave humanitare dhe menaxhimit të fatkeqësive në të gjithë ASEAN", tha agjencia.

Vietnami do të vendosë një task forcë ushtarake prej 79 anëtarësh, për të ndihmuar në operacionet e kërkimit dhe shpëtimit nga tërmeti, si edhe përpjekjet e rimëkëmbjes pas fatkeqësisë në Myanmar, njoftoi Agjencia e Lajmeve të Vietnamit.

Ministria e Mbrojtjes e Indisë tha në një deklaratë të shtunën, se do të vendosë një task forcë mjekësore në Mianmarin e goditur nga tërmeti. 

Singapori ka vendosur një kontigjent me 80 anëtarë nga forcat e mbrojtjes civile, për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit nga fatkeqësia. Kontigjenti, i cili u nis të shtunën, përfshin specialistë në operacionet e shpëtimit, mbështetje mjekësore, kërkimi, shpëtim dhe menaxhim të materialeve të rrezikshme. Ai shoqërohet edhe nga katër qen kërkimi. 

Zelanda e Re tha se do të dhurojë 2 milionë dollarë (1.14 milionë dollarë) përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, për të mbështetur reagimin emergjent në Mianmar. 

Të premten, Kombet e Bashkuara akorduan 5 milionë dollarë ndihmë për Mianmarin, tha Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. "OKB po mobilizon ekipe dhe mbështetje."