“Match-Maker Albania” në Tiranë, u prezantuan 30 projekte gati për investime
08:55:10 2025-03-29
Share

Ministri Gonxhja (Foto Atsh)

Eventi “Match-Maker Albania” mblodhi në Tiranë rreth 1000 përfaqësues nga 36 shtete, përfshirë investitorë, agjenci zhvillimi dhe eksportues shqiptarë për investimet në turizëm, pasuri të paluajtshme dhe infrastrukturë, si dhe për fuqizimin e markës “Made in Albania”.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në fjalën e mbajtur në këtë takim vlerësoi pjesëmarrësit nga 36 vende të botës, duke e cilësuar këtë event një pasqyrim të qartë të interesit dhe besimit në rritje në Shqipëri, si një destinacion për investime dhe inovacion, shkruan “ATSH”.

Ai tha se mbi 500 investitorë të huaj, 200 kompani shqiptare dhe më shumë se 30 eksportues elitarë janë mbledhur në kryeqytetin shqiptar, ndërsa prezantohen 30 projekte të gatshme për investime publike dhe private, që përfshijnë një gamë të gjerë sektorësh.

Kjo ngjarje, vijoi ministri, është më shumë se një platformë për bashkëpunime, pasi pasqyron momentin e rëndësishëm që Shqipëria ka ndërtuar.

Ministri Gonxhja vuri në dukje se investimet e huaja direkte në vitin 2024 arritën në 1.6 miliardë euro, nivelin më të lartë historik. “Kjo nuk është rastësi. Është rezultat i punës së palodhur, reformave dhe vizionit. Vendet si Turqia, Italia, Holanda, Austria dhe Kosova kanë udhëhequr rrugën në investimet në Shqipëri, duke forcuar lidhjet dhe hapur kapituj të rinj bashkëpunimi”,- tha ai.

Gonxhja shprehu besimin, se ky transformim i vendit do të jetë gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm.

“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit është e përkushtuar të mbështesë çdo investitor dhe çdo sipërmarrës që ndan këtë vizion. Ne jemi këtu jo vetëm për të nxitur rritjen, por për ta formësuar atë”,- tha Gonxhja.