Yuzuru Hanyu: Nuk jam kampion, por një sfidues i përhershëm
Yuzuru Hanzu, në finalen e patinazhit artistik të Olimpiadës Dimërore të Pekinit, 10 shkurt 2022/ VCG
“Mendoj se kam bërë përpjekjet më të mëdha në interpretimin e kërcimit ‘Axel i katërfishtë’”, i tha shtypit Yuzuru Hanyu, patinatori artistik japonez, pas finales së patinazhit artistik të Olimpiadës Dimërore të Pekinit, ku ai u rendit në vendin e katërt, me dështimin e provës së tij në kërcimin “Axel i katërfishtë”.
“Kam fituar dy medalje të arta olimpike, prandaj objektivi im në Olimpiadën Dimërore të Pekinit nuk është medalja e tretë e artë. Dëshiroja vetëm të shfaqja atë kërcim në olimpiadë dhe bëra të gjitha përpjekjet,”theksoi Hanyu.
Yuzuru Hanzu, u rrëzua në akull pas dështimit të kërcimit "Axel katërfishtë" në finalen e patinazhit artistik të Olimpiadës Dimërore të Pekinit, 10 shkurt 2022/ VCG
Katër ditë pas përfundimit të garës olimpike më 10 shkurt, Hanyu mori pjesë në një konferencë shtypi në Ditën e Shën-Valentinit në Qendrën Kryesore Mediatike të “Pekin 2022”.
8 vjet më parë, më 14 shkurt 2014, Hanyu, që atëherë nuk kishte mbushur as 20 vjeç, u shpall kampion i patinazhit artistik për meshkuj në Olimpiadën Dimërore të Soçit.
Komiteti Olimpik i Japonisë organizoi konferencën e shtypit, sepse mori shumë kërkesa për të intervistuar Hanyu-në.
Në konferencën e shtypit, duke folur për rezultatin e vet në finale, Hanyu tha: “Personalisht, u kënaqa me paraqitjen time në finale dhe u përpoqa të kryej kërcimin ‘Axel i katërfishtë’. Kjo sepse ‘djali nëntëvjeçar’ që jeton brenda meje, më thotë vazhdimisht të provoj ‘Axel-in e katërfishtë’ dhe kësaj here, ‘nëntëvjeçari’ kërceu së bashku me mua. Kur interpretova‘Axel-in e katërfishtë’ kësaj here, teknika e përdorur nga unë ishte pikërisht ajo që përdora në moshën 9-vjeçare, prandaj ndjeva se ky kërcim ishte vërtet ‘Axel-i i katërfishtë’ i Yuzuru Hanyu-ut.”
Yuzuru Hanzu, në finalen e patinazhit artistik të Olimpiadës Dimërore të Pekinit, 10 shkurt 2022/ VCG
Patinatori 27-vjeçar garoi në olimpiadën e Pekinit, pavarësisht nga dëmtimi në nyell dhe këshillat e mjekut për të mos bërë patinazh në ditët në vijim. Ai nuk zgjodhi teknikat e njohura për të që të fitonte medaljen e tretë olimpike, por sfidoi veten me kërcimin më të vështirë “Axel i katërfishtë”, të cilin asnjë patinator ose patinatore nuk ka arritur ta kryejë me sukses në konkurrim deri tani.
Për përpjekjen e Hanyu-së, Dick Patton, i pari patinator artistik që u shpalli kampion olimpik në dy edicione me radhë dhe sot është në moshën 93 vjeçe, shprehu mbështetje. Ai tha se pjesa dërrmuese e sportistëve të kësaj epoke nuk guxojnë ta ndryshojnë botën e patinazhit artistik, por kufizohen ngushtë nga rregullat dhe pikët, dhe shumë rrallë provojnë teknika të reja. Ai mendon se shfaqja e mrekullueshme duhet të jetë rrëshqitja e lirshme dhe emocionimi i shikuesve, duke bërë të mundur që vështrimi i çdo shikuesi të qëndrojë mbi ty. “Këtë Hanyu e arriti,”shtoi veterani.
Ashtu siç ka thënë Hanyu më se një herë: “Nuk mendoj kurrë se jam kampion, por një sfidues i përhershëm.”
Yuzuru Hanzu, në një shfaqje të patinazhit artistik në Tokio 2018/ VCG
Duke folur për të ardhmen, Hanyu tha: “Nuk e di nëse kjo do të jetë Olimpiada ime e fundit, por kam dëshirë të rrëshqas përsëri në Lojërat Olimpike, sepse dua ende të kryej ‘Axel katërfish’ tim. ”
Në postimin e tij në rrjetin social, një dashamirës kinez i patinazhit artistik shkroi: “Nuk jam ndjekës i Hanyu-së, por nga ai e kuptova pse motoja e Olimpiadës nuk është ‘medalja e artë, e argjendtë dhe e bronztë’, por ‘Më lart, më shpejt, më fort’, si dhe ‘së bashku’. Sporti emocionon shumë njerëz, jo me konkurrimin për medalje, por me sfidën e herëpashershme nga një grup njerëzish të talentuar në aftësisë fizike, në emër të të gjithë njerëzve, ndaj atyre rregullave, që duken si të përhershme dhe të pakapërcyeshme. Përpjekjet e tyre ndoshta do të dështojnë, por këto përpjekje demonstrojnë motivin dhe vendosmërinë e njeriut.” (Wang Lei/ Artan)