Su Yiming, në garën e rrëshqitjes me dërrasë dëbore nga trampolina e madhe, më 15 shkurt në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit/ VCG
Su Yiming, dhurata më e mirë për veten në prag të 18-vjetorit të lindjes
“Ëndrra u realizua,” i tha gazetarit Su Yiming-u, me buzëqeshje të dlirë, pas finales së rrëshqitjes me dërrasë dëbore në pjerrësi më 7 shkurt, kur mori medaljen e argjendtë.
“Shtatë vjet më parë, kur mora vesh që Lojërat Olimpike Dimërore 2022 do të zhvillohen në Kinë, kisha një ëndërr që të merrja pjesë në to dhe të konkurroja për nder të atdheut,” tregon 17-vjeçari Su.
Në këtë garë, kanadezi Max Parrot, fituesi i medaljes së argjendtë në Olimpiadën e Pyeongchang-ut 2018, mori medaljen e artë me 90.96 pikë.
“Kur stërvitesha në rrëshqitjen me dërrasë dëbore, Parroti ka qenë një nga idhujit e mi të fëmijërisë,” shton ai.
Kanadezi Mark McMorris, gjithashtu idhulli i Su-it, fitoi medaljen e bronztë në këtë garë.
Su Yiming, së bashku me dy idhujt e tij kanadezë në podium, më 7 shkurt 2022 në zonën e konkurrimit Zhangjiakou të Olimpiadës Dimërore të Pekinit/ Xinhua
“Sot konkurrova me dy idhujt tim dhe së bashku me ta u ngjita në podium. Jam shumë i emocionuar tani,” tha Su.
Duke folur për pikët që mori Max Parrot-i, për të cilat shikuesit qenë të mendimit se ishin më të larta sesa e meritonte, si pasojë e shpërfilljes së një gabimi nga gjyqtarët, Su u shpreh: “Si një dashamirës i rrëshqitjes me dërrasë dëbore, nuk më interesojnë shumë pikët. Përkundrazi, tregoj më shumë vëmendje për kryerjen e sa më shumë lëvizjeve të shkëlqyeshme akrobatike. Kënaqësia vjen nga kjo. E përqendrova të gjithë vëmendjen në kryerjen e objektivit tim. E arrita objektivin, prandaj nuk kam keqardhje.”
“Parrot-i dhe McMorris-i i kryen mirë lëvizjet e tyre dhe paraqitja e tyre më nxiti të garoja më mirë. Pas raundit të parë, u radhita në vendin e katërt, por e dija se nuk kisha shfaqur ende më të mirën time,” shtoi Su.
Gjatë intervistës për gazetarët, Parrot-i theksoi: “Su është një garues shumë i fuqishëm. Ai sot kreu me sukses të ashtuquajturën ‘hapëse të trefishtë’ 1800 gradë dhe bëri një paraqitje e mrekullueshme.”
“Para disa vjetëve, nuk e njihnim këtë djalë, por vitet e fundit ai është bërë i njohur dhe ishte një sfidë për mua sot. Ai është vetëm 17 vjeç, kurse unë jam 27,” shtoi ai.
Su Yiming, në garën e rrëshqitjes me dërrasë dëbore në pjerrësi, më 7 shkurt në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit/ VCG
Su filloi të merrej me ski qysh në moshën 4 vjeçe, i shoqëruar nga i ati.
“Gjatë stërvitjeve kam pësuar dëmtime të rënda. Veçanërisht gjatë katër vjetëve të kaluar, kur provova teknika të reja, kishte patjetër rreziqe.” Në vitin 2017, Su pësoi thyerje të kërcirit gjatë stërvitjes. Ai tha se gjatë periudhës së lëndimit, vështirësia kryesore nuk është shërimi, por është kapërcimi i pengesave psikologjike të shkaktuara nga plagët. Su thekson se Mark McMorris-i është shembulli i tij, sepse ai nuk hoqi dorë nga sporti edhe kur pësoi dëmtim shumë të rëndë dhe madje hyri në terapi intensive.
Edhe procesi i mësimit të lëvizjeve të reja ka pasur vështirësi. “Nganjëherë kaloja një kohë të gjatë për të zotëruar një lëvizje, por më vonë zbuloja se ajo lëvizje nuk mund të realizohej në dëborë. Kjo ishte një goditje e madhe për mua.”
Më në fund, Su Yiming-u mundi vuajtjet fizike dhe psikologjike. Ai tha se kjo erdhi thjesht nga pasioni për rrëshqitjen në dëborë. “Kur eci me dërrasë dëbore, shijoj një kënaqësi që nuk mund ta ndiej nga gjërat e tjera.”
Nga stërvitjet e mundimshme, Su Yiming-u ka kuptuar se përpjekjet nuk të zhgënjejnë kurrë.
Para “Pekin 2022”, Su u bë skiatori i parë kinez që shpallej kampion në Kupën Botërore të rrëshqitjes me dërrasë dëbore nga trampolina e madhe, në dhjetor 2021 në ShBA. Ai u konfirmua nga libri i rekordeve “Gines” si i pari person në botë që kreu rrotullimin e brendshëm 1980 gradë.
Su Yiming shpalli kampion në garën e rrëshqitjes me dërrasë dëbore nga trampolina e madhe të Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit, më 15 shkurt 2022/ VCG
Më 15 shkurt, Su u ngjit përsëri në podiumin të Olimpidës Dimërore, duke marrë medaljen e artë në garën e rrëshqitjes me dërrasë dëbore nga trampolina e madhe, tetë ditë pas fitimit të medaljes së argjendtë në rrëshqitjen me dërrasë dëbore në pjerrësi dhe tre ditë përpara se të mbushte 18 vjeç.
Su tha se plotësoi ëndrrën tjetër të tij, që t’i jepte vetes një dhuratë të bukur për festimin e hyrjes në moshën e pjekurisë.