Xu Mengtao plotësoi ëndrrën e 19-vjetorit në moshën 31 vjeçe
Skiatorja kineze Xu Mengtao feston pas fitimit të medaljes së artë në teknikën ajrore të skive në stil të lirë në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022, në Parkun e Dëborës “Genting” në Zhangjiakou të Kinës Veriore më 14 shkurt 2022/ Xinhua
“Fituam! Ne fituam në atdhe!” thërriti skiatorja 31-vjeçare kineze Xu Mengtao.
Më 14 shkurt 2022, Xu përmbushi ëndrrën e saj, duke dalë kampione olimpike në olimpiadën e 4-t dimërore ku mori pjesë.
Medalja e artë që fitoi ajo, është e para medalje olimpike e Kinës në garën e teknikës ajrore për femra të skive stil i lirë.
Në konferencën e shtypit, Xu tha se është shumë e emocionuar që plotësoi ëndrrën e vet të fëmijërisë dhe falënderoi veten për këmbënguljen gjatë katër vjetëve të fundit.
Skiatorja kineze Xu Mengtao në garën e skive në stil të lirë me teknikën ajrore në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022, në Parkun e Dëborës “Genting” në Zhangjiakou të Kinës Veriore më 14 shkurt 2022/ Xinhua
Në Lojërat Olimpike Dimërore të Vankuverit 2010, 19-vjeçarja e atëhershme Xu Mengtao mori pjesë për herë të parë në një olimpiadë dhe u radhit në vendin e 6-të në garën e teknikës ajrore të skive në stil të lirë. Që atëherë kanë kaluar 12 vjet dhe ajo mori pjesë edhe në dy olimpiada të mëvonshme, përkatësisht në Soçi dhe Pyeongchang. Në Soçi Xu Mengtao mori medaljen e argjendtë, kurse në Pyeongchang, në kulmin e karrierës së vet si skiatore dhe e renditur në vend të parë në botë për këtë disiplinë, ajo doli vetëm në vendin e 9-të për gabime të rënda.
Pas Olimpiadës së Pyeongchang-ut, Xu, që ishte atëherë 27-vjeçare e që kishte fituar 25 tituj kampione bote, shpalli me keqardhje përfundimin e karrierës sportive, për shkak të vuajtjes nga dëmtimet e rënda në gju.
Por dy vjet më vonë, Xu, që ëndërronte për një medalje të artë olimpike, u kthye përsëri në pistën e skive. Kësaj here, në Olimpiadën e Pekinit, ajo u shpall kampione për femra dhe fitoi edhe një medalje të argjendtë ekipore.
Xu Mengtao në "Soçi 2014" dhe në "Pekin 2022"/ Xinhua
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit se çfarë do të thotë për veten e katër vjetëve më parë, ajo tha: “E falënderoj Xu Mengtao-n që mundi të dilte nga periudha e rënies dhe vazhdoi përpjekjet me pasion në teknikën ajrore të skive stil i lirë, që është plot forcë tërheqëse, por edhe me sfida dhe vështirësi. E falënderoj veten që gjatë katër vjetëve të kaluar, ka ecur hapi pas hapi drejt objektivit të ëndrrës.”