Si çdo aspekt tjetër i zhvillimit të fëmijës, ndikohet nga konteksti në të cilin ndodhet. Gjatë viteve të para konteksti më i rëndësishëm është familja, ndaj është e rëndësishme që fëmijëve t’u tregohet dhembshuri dhe mirëkuptim në familje. Gjithashtu ata kanë nevojë që t’u mësohet se si t’i kontrollojnë dhe t’i shprehin ndjenjat e tyre me maturi.
-Formimi i personalitetit të fëmijës në familje
Çfarë është një personaliteti? Ky është rezultat i ndikimit kulturor, social dhe edukativ mbi një person. Askush nuk lind si person. Megjithatë, kur fitohen njohuritë, përvoja, cilësitë e karakterit dhe aftësitë, një person bëhet një individ,
-Stilet e kujdesit prindëror
Janë përcaktuar katër stile të rritjes së fëmijëve, të cilat kanë ndikim në zhvillimin dhe edukimin e tyre.
-Prindërit autoritarë
Janë kërkues, ushtrojnë një kontroll të fortë mbi sjelljet e fëmijëve të tyre dhe i detyrojnë të zbatojnë kërkesat e tyre me kërcënime. Fëmijët e prindërve autoritarë shqetësohen me lehtësi, duke shpalosur sjellje të paqëndrueshme, agresiviteti dhe probleme me sjelljen.
-Prindërit indiferentë
Në raport me të parët shohin shumë pak kufizime për fëmijet e tyre. Këta prindër japin shumë pak në mënyrën e vëmendjes, interesit ose mbeshtetjes emocionale, kanë tendencë të mos marrin pjesë efektivitete me lojëra të ndryshme, si dhe në bashkëveprimet shoqërore.
-Prindërit liberalë
Janë emocionalisht të ndjeshëm, por ata vendosin pak kufizime në sjelljet. Prindërit liberalë e përdorin ndëshkimin shumë rrallë dhe në mënyre të çrregullt.
-Prindërit me autoritet
Këta prindër u japin fëmijëve të tyre respekt dhe i dëgjojnë. Ata vendosin kufizime të qarta, presin bashkëpunime dhe sjellje të mira. Fëmijët që rriten nga kjo kategori prindërish, janë më të shëndetshëm emocionalisht.
Për këtë temë flet sociologia, Orilda Kalami.
CMG: A janë fëmijët pasqyra e prindërve?
Sociologe, Orilda Kalami: Familja është agjensia e parë e socializimit e për pasojë roli i saj është shumë i madh. Ajo luan rol në përçimin e vlerave, kulturës, trashëgimisë, luan rol të madh në edukimin që i bën fëmijës. Kur flasim për familjen e kam fjalën për familjen bërthamë, prindërit dhe fëmijët. Se sigurisht rolin më të madh te fëmijët e kanë prindërit ose personi që kujdeset për fëmijët, në rastet kur prindërit nuk janë të pranishëm. Mënyra se si një familje i transmeton këto vlera ndikon te individi që do kemi nesër në shoqëri. Fëmijët i marrin vlerat dhe edukimin nga modelet që shohin dhe normalisht modeli parësor është prindi.
CMG: A gabojnë prindërit në lidhje me mënyrën e edukimit të fëmijëve?
Sociologe, Orilda Kalami: Prindi ofron model në çdo fjalë, në çdo veprim, në çdo sjellje, në çdo mënyrë komunikimi, në çdo gjë që bën, qoftë edhe në leximin e librit apo në komunikimin me të tjerët, në gjërat që i jep përparësi, në sjelljet e përditshme, në vlerat që transmeton, në punën që bën se si e bën punën, në shqëtësimet që ka për shoqërinë, sa aktivë është, etj.
Mënyrat e të menduarit shfaqen në veprimtarinë e përditshme, pra këto mendime dhe veprime janë të ndërlidhura. Ajo që prindi mendon dhe ndjen, ofrohet si model në mënyrën se si e bën , në mënyrën si vepron dhe këtë gjë fëmija është aty përditë dhe e sheh.
CMG: Cila kategori e prindërve arrijnë të kenë fëmijë të suksesshëm?
Sociologe, Orilda Kalami: Nuk ka një recetë dhe nuk mjafton një këshillim, por fëmija sheh, imiton, formon të ndërgjegjshmen dhe të pandërgjegjshmen duke parë modelin e prindit. Prandaj baza e shëndoshë e edukimit fillon që në fëmijërinë e hershme dhe më tej fillon e pasurohet nga agjensi të tjera socializimi siç është shkolla, shoqëria, media, opinioni publik etj. Prindërit e bëjnë këtë gjë me dashuri, mënyrat janë nga më të ndryshmet për sa kohë individët janë të ndryshëm, kanë formime të ndryshme, prandaj dhe shoqëria është e larmishme.
Në këtë larmishmëri nuk mund të flasim për gabime, pra nuk mund të gjykojmë prindër, pasi të gjithë mundohen të bëjnë më të mirën e tyre jo vetëm në mëmyrë instiktive, por edhe me vetëdije. Prindërit falin dashuri, japin më të mirën e tyre, por kanë stile të ndryshme jetese, kanë formime të ndryshme, kanë përparësi gjëra të ndryshme, këto mund të çojnë edhe në mënyra të ndryshme të formimit të fëmijëve dhe vazhdojmë me të bukurën e të larmishmes. Në varësi të asaj se çfarë një prind quan të rëndësishme, parësore, bëhet dhe edukimi .
CMG: Cili është roli ideal për të qenë prindër të suksesshëm?
Sociologe, Orilda Kalami: Nuk mund të japim receta, por e rëndësishme ëahtë që në shoqërinë e sotme parësore të jetë edukimi me vlerat bazike të respektit, të empatisë, të dashurisë për punën, për dijen, për të formuar individë që kanë interes për shkollën, për punën, për të formuar individë që nuk duan t’i fitojnë gjërat lehtë, në mënyra të pandershme, por për të formuar fëmijë që kanë empati për tjetrin, për shoqërinë, për atdheun, për vendin, pra për një të ardhme më të mirë. Nëse bazohemi në tre modele prindërore, më i suksesshmi është autoritativi, as liberali, i cili e lë fëmijën të bëjë çfarë të dojë pa kontroll, as autoritari që mbyll gojën e nuk dëgjon, por autoritativi.
Ai që motivon, ai që këshillon, ai që dialogon, ai që pranon një mendim nga fëmija, që di ta dëgjojë fëminë, që lë hapësira komunikimi, që ja njeh aftësitë, që nuk e gjykon, etj. Pra nëse themi se prindi ka rol të rëndësishëm, absolutisht që po. Nëse mund të themi se prindi është produkt i kësaj shoqërie e themi, por secili nga ne mund të bëjë diferencën, duke dhënë më të mirën në edukimin e prindërve dhe të fëmijëve njëkohësisht.
Këshillat e sociologes
Edhe prindërit më të dashur mund t'u transmetojnë fëmijëve të tyre simptoma të padëshiruara të besimeve negative, pa e ditur këtë. Këtu janë disa shembuj të zakonshëm:
Rëndësia e tepërt e prindërve mund të çojë në rezultatin e kundërt fëmija do të jetë i fshehtë dhe jo shumë bujar. Kur fëmijët rriten në një atmosferë pengese të tepruar, ndërhyrje të bezdisshme të prindërve, sjellja e fshehtë shpesh bëhet zakon për ta. Kjo mund të ketë pasoja për fëmijën në të ardhmen, kur ai dëshiron të krijojë miqësi të thella ose marrëdhënie romantike dhe e gjen veten të paaftë për të ndarë ndjenjat e tij të thella.
Nëse prindërit e kritikojnë tepër një fëmijë në përpjekje për ta mësuar atë të bëjë gjërat siç duhet, kjo mund të çojë që fëmija të bëhet pasiv dhe i pavendosur, nga frika se vendimet e tij mund të kritikohen dhe gjykohen.
Fëmijët e rritur në një shtëpi ku prindërit i duan, por vazhdimisht zihen me njëri-tjetrin, mund të bëhen të pasigurt, sepse ndjenja e tyre e integritetit dhe sigurisë së brendshme kërcënohet.
Prindërit në ankth mund të rritin fëmijë të shqetësuar, pasi fëmijët nuk mund të pushojnë për shkak të energjisë nervore të prindërve të tyre.
Prindërit që janë tepër mbrojtës ndaj fëmijëve të tyre mund të kontribuojnë në zhvillimin e simptomave depresive tek një fëmijë, sepse i detyrojnë ata të shtypin nevojën e tyre natyrore për eksplorim dhe liri.
Për të kuptuar ndikimin që keni tek fëmija juaj, së pari është e rëndësishme të kuptoni se si ndiheni për veten tuaj, çfarë lloj autokritike keni dhe ndjenjat pozitive për veten që rrjedhin nga ju tek fëmija juaj në ndërveprimin e përditshëm me të.
Intervistoi: Sava Lena