Shqipëria, pjesëmarrëse në Forumin Rajonal për Zhvillim të Qëndrueshëm 2025 në Gjenevë
05:05:45 2025-04-04
Share

Foto nga ATSH

Shqipëria mori pjesë në Forumin Rajonal për Zhvillim të Qëndrueshëm 2025 në Gjenevë, përfaqësuar nga Eridana Çano, drejtoreshë e SASPAC, Sokol Duma, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dhe Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilët ndanë përvojat, sfidat dhe angazhimin e Shqipërisë drejt përmbushjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, shkruan “ATSH”.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale theksoi se në një platformë që bashkon aktorë nga Kombet e Bashkuara, Shqipëria vuri në pah politikat gjithëpërfshirëse dhe investimet e qëndrueshme që vendosin qytetarin në qendër.

Nën moton “Zgjidhje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në shkencë për agjendën 2030”, Shqipëria u bë pjesë e diskutimeve rajonale përmes përvojës shqiptare në fusha si barazia gjinore, punësimi i denjë, partneritetet për zhvillim dhe mbrojtja e mjedisit.

Pjesëmarrja në këtë forum është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rritjes së rolit të Shqipërisë në skenën globale të zhvillimit të qëndrueshëm, nënvizoi Gonxhja.