Banka Botërore mbështet transformimin dixhital në Shqipëri
07:07:49 2025-04-01
Share

Banka Boterore/Foto Telegrafi

Një program mbi transformimin e shërbimeve digjitale i qeverisë shqiptare, i mbështetur nga Banka Botërore, po sjell ndryshime në vend, duke nxitur një qeverisje më inteligjente dhe shërbime të orientuara drejt qytetarëve, shkruan “RTSH”.

Zyra e BB-së në Tiranë ndau një video mesazh të ekonomistit të lartë për sektorin publik në grupin e BB-së, Simon O’Meally, i cili dha disa informacione mbi programin e bankës që po transformon sektorin publik në Shqipëri.

Sipas tij, ky program ka të bëj me qytetarët dhe qeverisjen inteligjente. Ai kombinon reformat inovative në sektorin publik me ndryshimet në sjellje dhe mjete digjitale, për të siguruar shërbime publike më efikase, më transparente në shërbim të qytetarëve.

Aktualisht  janë 3 milionë përdorues të regjistruar në e-Albania dhe 95% e shërbime janë online. Mijëra fëmijë të shkollave fillore, 35 mijë nxënës aktualisht përfitojnë dhe mund të përmirësojnë aftësitë e tyre mbi leximin, numërimin dhe dijet dixhitale përmes “SmartLabs”, (216 “smartlabs” që janë aktualisht).

Së fundi, Bordi Ekzekutiv i Bankës Botërore miratoi një fond shtesë prej 80 milionë dollarë për këtë program. Ky program financimi do të arrijë tre rezultate të rëndësishme: rritjen e aksesit të qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet qeveritare në nivel vendor; së dyti, rritjen e transparencës dhe efikasitetit në prokurimet publike, duke sjellë më shumë përfitime ekonomike dhe së treti, përmirësimin e financave publike që paratë e taksapaguesve të përdoren më mire.

“Ky është një program i guximshëm dhe ambicioz, por puna e vërtetë fillon tani. BB-ja do të vazhdojë të punojë edhe në vitet e ardhme përkrah qeverisë shqiptare, për të siguruar shërbime cilësore të qëndrueshme për të gjithë qytetarë shqiptarë”,- tha O’Meally.