Reginaldo Silva: MTK-ja, në dobi të shëndetit të të gjithë njerëzve
07:20:17 2025-03-27
Share

Reginaldo de Carvalho Silva Filho/ foto nga postimet e "Faculdade EBRAMEC" në "Facebook"

Reginaldo de Carvalho Silva Filho, drejtori i Institutit të Mjekësisë Tradicionale Kineze të Brazilit (Faculdade EBRAMEC), vizitoi përsëri Kinën ditët e fundit. Si pionier i arsimit të mjekësisë tradicionale kineze në Brazil, ai paraqiti përvojën e vet për përhapjen e kësaj mjekësie në vendin e tij gjatë një interviste për agjencinë kineze të lajmeve "Zhongxin" (ChinaNews).

Më poshtë është rrëfimi i z. Silva:

Lidhja ime me mjekësinë tradicionale kineze (MTK) filloi nga një sëmundje stomaku. Në vitin 1999, kur isha në prag të diplomimit për drejtësi, u detyrova ta ndërprisja shkollimin për shkak të një gastriti serioz. Ilaçet e mjekësisë perëndimore e bënë stomakun tim si një laborator kimik, por dhembja e barkut nuk u zhduk, derisa provova mjekimin me akunpukturë nga trajneri im i ushtrimeve gjimnastikore tradicionale kineze.

Terapia me kupa / VCG

Ngrohësia e kupave të qelqit që lëviznin në kurrizin tim dhe dridhja e lehtë e hyrjes së gjilpërave të akupunkturës ishin "prova fillestare e magjisë orientale" për mua. Pas vetëm një kursi trajtimi, simptomat në stomak u zhdukën. Kjo më habiti shumë dhe më nxiti të mendoja më thellësisht: cili është parimi i MTK-së? Pse dhembja e kokës mund të shërohet ndërmjet mjekimit në këmbë? Pse para mjekimit me gjilpëra, mjekët duhet të vëzhgojnë motin?

Me këto pyetje, bleva librin tim të parë për MTK-në, "Parimet e brendshme themelore të Perandorit të Verdhë". Mora vendim që të ndërprisja shkollimin në degën e drejtësisë dhe të hidhja hapin drejt botës së MTK-së.

Por familja nuk e përkrahu vendimin tim, sepse, tek e fundit, profesionet e avokatit dhe gjyqtarit janë të parapëlqyera në Brazil, ndërsa MTK-ja nuk ishte e njohur gjerësisht në atë kohë, prandaj shumë njerëz nuk e kuptuan zgjedhjen time.

Në vitin 2001 erdha në Kinë dhe u regjistrova në Universitetin e Mjekësisë Tradicionale Kineze të Shandong-ut. U befasova kur pashë që 400 studentë recituan bashkërisht esenë e famshme të mjeshtrit të madh të mjekësisë kineze Zhang Zhongjing, "Sinqeriteti absolut i mjekëve të mëdhenj" (Betimi Kinez i Hipokratit). Sot në zyrën time është varur një vepër bukurshkrimi për integrimin e njeriut me natyrën (“天人合一”) , e dhuruar prej një bashkëstudenti nga Shandong-u.

Leksioni i dhënë nga z. Silva në Universitetin e Mjekësisë Tradicionale Kineze të Shandong-ut

Në fund të shkurtit të këtij viti e vizitova përsëri Kinën. Kësaj here erdha në Kinë bashkë me mamanë dhe djalin tim të madh. U tregova sesi studiova në Kinë dhe u bëra një mjek profesionist. U fola atyre edhe për Universitetin e Mjekësisë Tradicionale Kineze të Shandong-ut, ku mora gradën "doktor për akupunkturë të MTK-së". Jam i pari brazilian që e kam marrë këtë gradë "doktor".

Deri më sot jam marrë me MTK-në për 25 vjet. Mendoj se konceptet thelbësore të MTK-së kanë ardhur nga mençuria e lashtë kineze dhe kanë lidhje të ngushtë me kulturën kineze. Ajo nuk mjaftohet vetëm me mjekimin e sëmundjeve, por ndjek një koncept tërësor, që kupton thellësisht marrëdhëniet midis njeriut dhe natyrës. Nga energjitë ying dhe yang, deri te Pesë Elementet dhe deri energjia jetike, gjaku dhe meridianet, këto koncepte drejtojnë jo vetëm metodat e mjekimit të MTK-së, por reflektojnë edhe filozofinë kineze.

Qysh prej vizitës së parë në Kinë, nuk synova vetëm studimin e mjekimit klinik, por desha edhe ta përhap këtë mjekësi të lashtë.

Gjatë mbi 20 vjetëve, brazilianët e kanë ndryshuar gradualisht perceptimin ndaj MTK-së. Para 20 vjetëve, të sëmurët mund të pyesnin: "A ka rrezik infektimi nga Sida ndërmjet akupunkturës?". Ndërsa tani ata më pyesin: "A ka barna kineze që rregullojnë energjinë jetike dhe gjakun?"

Në vitin 2016 mora dokumentin nga Ministria e Arsimit për miratimin e krijimit të Institutit të Mjekësisë Tradicionale Kineze të Brazilit, të cilin e kisha pritur për 15 vjet.

Si e para shkollë e lartë për MTK-në në Amerikën Jugore, ajo ka 1 523 studentë tani, të cilët ndjekin tre degë: akupunktura, farmaceutika e mjekësisë tradicionale kineze dhe terapia me masazh.

Brazili dhe Kina janë vende të pasura me bimë mjekësore, prandaj të dy vendet kanë potencial të madh në shkëmbimet e bashkëpunimin në MTK. Një nga drejtimet e rëndësishme të bashkëpunimit është prova e mbjelljes së bimëve kryesore të MTK-së në Brazil, gjë që jo vetëm do të shtojë gjasat për përdorimin e barnave kineze, por edhe do të ulë koston e tyre e do të bëjë që ato të hyjnë më lehtë në tregun brazilian.

Po kërkojmë metodën që t'i analizojmë dhe kategorizojmë burimet bimore braziliane me sistemin e MTK-së, që të zgjerojmë sferën e barnave kineze.

Me teorinë e "katër aromave dhe pesë shijeve" të MTK-së, shpjegojmë shumë bimë të shtrenjta braziliane, që të kërkojmë metodën e përpunimit të tyre në përputhje me klimën tropikale.

foto nga postimet e "Faculdade EBRAMEC" në "Facebook"

Më i shumëprituri është pa dyshim "Plani i digjitalizimit të barnave": ndërmjet inteligjencës artificiale, do të analizojmë qindra mijë mostra të bimëve nga fjalorët farmaceutikë të Kinës, të Brazilit dhe të vendeve të tjera. Presim që të krijojmë modelin e ri të përdorimit të barnave kineze.

Thelbi i MTK-së është koncepti i tërësisë dhe projekti personal i mjekimit. Ajo thekson ekuilibrin ndërmjet yin e yang dhe integrimin ndërmjet njeriut e natyrës. Këto koncepte përshtaten jo vetëm me kinezët, por janë në dobi të shëndetit të njerëzve të mbarë botës.

Sigurisht, ndërkombëtarizimi i MTK-së nuk duhet të mbetet vetëm në shtresën e përhapjes së teknologjisë, por duhet të lidhet ngushtë me përhapjen e kulturës kineze. Ashtu siç e kam theksuar, MTK-ja nuk mund të kuptohet e shkëputur nga kultura kineze. Ajo është jo vetëm një sistem mjekimi, por edhe një filozofi, një kuptim i veçantë për jetën.

Por përgatisim brezin e ri të mjekëve, që do të mund të lexojnë tomografinë e kompjuterizuar (CT) dhe njëkohësisht mund të analizojnë dhe shtresën në sipërfaqen e gjuhës. Ata do të shërbejnë si ura e dialogut ndërmjet qytetërimeve.