Sistemi i pagesave në euro.efekti i kursimit tek qytetarët
Bankat(Foto Albanian Construction portal)
Në hapjen e Javës së Parasë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi rëndësinë e edukimit financiar dhe përfshirjes financiare si pjesë të ndërgjegjësimit të brezave të rinj dhe qytetarëve për vendimmarrjen e tyre ekonomike. Në fjalën e tij, Sejko vuri në dukje qëllimet dhe iniciativat e Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim:
" Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me institucione të tjera si Shoqata e Bankave, Ministria për Rininë dhe Sportet, organizon këtë javë çdo vit. Java e Parasë organizohet në më shumë se 160 vende të botës nën kujdesin e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Në këtë kontekst, edhe ne si bankë qendrore organizojmë Javën e Parasë me qëllim kryesor edukimin e brezave të rinj."
Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë ka krijuar një strategji për edukimin dhe përfshirjen financiare, e cila synon të ndihmojë qytetarët, veçanërisht të rinjtë, të marrin vendime më të informuara për të ardhmen e tyre financiare:
" Banka e Shqipërisë ka krijuar një strategji për edukimin financiar dhe për përfshirjen financiare një strategji që është në funksion të këtij objektivi që ne kemi, pra për të kërkuar sa më mirë, financiarisht të rinj në vendimmarrjet e tyre për të ardhmen për të kuptuara më mirë sesi funksionojnë financat publike, si funksionojnë kursimet, cilat janë konceptet konceptet dhe nocionet bazike financiare të cilat i shërbejnë të gjithë qytetarëve në jetën e përditshme. "
Duke kaluar në një histori të shkurtër të Bankës së Shqipërisë, Sejko theksoi rëndësinë e zhvillimit të sistemit financiar shqiptar që nga themelimi i saj:
Guvernatori i BSH Gent Sejko ( Foto Banka e Shqiperise)
"Këtë vit Banka e Shqipërisë do të festojë 100 vjetorin e krijimit të saj. Po t’i referohemi historisë së kësaj banke që prej krijimit, do të shohim që evoluimi i pagesave dhe i tregut financiar shqiptar ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm duke filluar që nga themelet, që nga esenca e këmbimeve kryesisht themelimit të monedhës kombëtare, krijimit të monedhës kombëtare dhe zhvillimit të pagesave. Kjo pasi para krijimit të Bankës së Shqipërisë edhe monedha kombëtare nuk eksitonte në vitin 1925, por me krijimin e bankës u themelua për herë të parë monedha dhe tregjet financiare dhe gjatë këtyre viteve ka pasur një evoluim të madh.."
Guvernatori vuri në dukje disa nga arritjet më të rëndësishme të Bankës së Shqipërisë në fushën e sistemeve të pagesave:
" Vetëm gjatë viteve të tranzicionit sistemet e pagesave në Shqipëri kanë pasur një evoluim të jashtëzakonshëm. Banka e Shqipërisë në vitet 90-të ka krijuar për herë të parë sistemin e pagesave AIPS, pagesave të brendshme kombëtare dhe ky sistem qarkullon 5 herë më shumë pagesa sesa GDP e vendit, pra prodhimi i brendshëm bruto, që tregon se sa rëndësi ka ky sistem pagesash, në vijim banka qendrore ka krijuar edhe sistemin e pagesave të brendshme euro, AIPS në euro, i cili i ka kursyer qytetarëve mbi 100 milionë euro nga viti 2022. “
Sejko theksoi se një nga sfidat kryesore të së ardhmes është modernizimi dhe digitalizimi i sistemeve të pagesave:
" Gjithashtu kemi dhe një sistem pagesash me vlerë të vogël, në funksion të kursimeve të qytetarëve si dhe kemi zëruar komisionet nga vitit 2020 për pagesat deri në 20 mijë lekë, të cilat kanë krijuar gjithashtu kursime për qytetarët dhe bizneset në vlerën e 700 milionë lekëve gjatë kësaj periudhe. Sfidë e të ardhmes është modernizimi i sistemit të pagesave dhe digjitalizimi i sistemeve të pagesave dhe në këtë drejtim ju keni dëgjuar që ne jemi bërë anëtar i SEPA dhe gjithashtu do të implementojmë një sistem pagesash nëpërmjet celularit që është një sistem që e përdor Banka qendrore e Italisë në të gjithë Evropën. Edhe ne në Shqipëri do të implementojmë një sistem në përputhje me sistemin e BE-së, i cili do t’u krijojë qytetarëve mundësinë për të bërë pagesa 24 orë në 7 ditët e javës nëpërmjet celularit. Të gjitha këto zhvillime teknologjike pozitive për modernizimin e sistemeve të pagesave kanë nevojë gjithashtu për një edukim të mirë financiar."- tha Sejko.
Teknologjia në sistemin bankar (Foto Sigal )
Sejko vuri në dukje se zhvillimet teknologjike kërkojnë një edukim financiar të fortë për të mbrojtur qytetarët nga rreziqet e mundshme:
" Për një edukim financiar jo vetëm në drejtim të përdorimit të këtyre sistemeve, por gjithashtu edhe të informacionit për t’u mbrojtur nga keqbërësit, nga informacioni i gabuar dhe për të mos rënë preh e mashtrimeve financiare sikurse ndodh në të gjithë botën. Për këtë qëllim Banka e Shqipërisë organizon çdo vit në bashkëpunim me institucionet dhe shoqatat shqiptare të bankave, institucionet e tjera publike partnere dhe Bankën botërore javën globale të parasë, për të formuar sa më mirë të rinjtë, studentët dhe qytetarët shqiptarë për vendimmarrjet e tyre financiare.”- tha Guvernatori.
Nëpërmjet këtyre fjalëve, Gent Sejko jo vetëm theksoi rëndësinë e edukimit financiar, por bëri një përmbledhje të historisë dhe arritjeve të Bankës së Shqipërisë, duke vënë në dukje rrugën e së ardhmes për një sistem financiar më modern dhe përfshirës.