Këngëtari David Dreshaj rrëfen sekretet e bashkëpunimeve
David Dreshaj (Foto nga instagrami)
David Dreshaj ne koncert (Foto nga instagrami)
Blero dhe David Dreshaj (Foto nga instagrami
Këngëtari nga Tuzi i Malit të Zi, David Dreshaj, mjaft i suksesshëm në tregun muzikor, e ka nisur muzikën që në shkollën fillore e më pas ka studiuar për disa vite privatisht në qytetin e Shkodrës me profesor Zef Çoba. Përveç këngës ai luan në piano dhe në kitarë. David Dreshaj ka realizuar shumë këngë të shoqëruara edhe me videoklip, këngë solo, por edhe në duet me këngëtarë të njohur si, Blero, Young Zerka, Elinel, etj. Këngët e tij kanë arritur mbi i milion klikime si "Ta dija", "Sonte", "Asaj", "Te Quiero Je T'aime". Ai ka sjellë edhe një album me këngë Krishtlindjeje, ku shumë prej këngëve i ka realizuar në Shqipëri. I ftuar në Radio Ejani, Davidi rrëfen për bashkëpunimet dhe projektet në vijim.
CMG: Kanë qenë të shumta hitet e tua këto tre vitet e fundit, ku hiti më i ri që ka pak që është publikuar është "Te Quiero -Je T'aime", që pavarësisht titullit kënga është në gjuhën shqipe.
David Dreshaj: Kënga është në gjuhën shqipe, vetëm titullin e ka në spanjisht dhe frëngjisht. Mendoj se është një këngë dashurie, e ëmbël për veshin. Më pëlqen mënyra si e kam sjellë deri në finalizim dhe jam i kënaqur që ka dalë një punë e mirë.
CMG: Xhirimet e këtij videoklipi janë realizuar në një pikë turistike shumë të bukur në Mal të Zi. Një vend mjaft i bukur, madje na bëre kureshtar ta vizitojmë edhe ne malin e Lovcenit. Na trego disa detaje rreth këtyre xhirimeve.
David Dreshaj: Unë jam lindur dhe rritur në Tuz të Malësisë së Madhe. Nga postimet në rrjetet sociale më ka rënë në sy ky vend kaq i bukur turistik që është mali i Lovcenit. Jam interesuar për të marrë leje për të xhiruar në këtë vend kaq të bukur, të cilin mund ta quaj jo të zakonshëm dhe xhirimet i dhanë hijeshinë e vet kësaj kënge.
CMG: Kujt i drejtohesh me "Te Queiro Je T'Aime"?
David Dreshaj: Ka qenë thjesht frymëzimi dhe kreativiteti i madh, për të sjellë sa më shumë këngë pozitive. Për moshën time rinore burojnë këngë të tilla, për të cilat bashkëpunoj me producentë që i përzgjedh, ua servir atyre idenë, e më pas ndodh magjia në studio.
CMG: Nuk është dedikim për ndonjë vajzë?
David Dreshaj: Se i rashë rreth e përqark. Në të vërtetë jo, nuk është një dedikim kjo këngë. Është një këngë e mirë për veshin dhe çdo njeri që e dëgjon, mund ta gjejë veten.
CMG: Një tjetër këngë mjaft e suksesshme që ka arritur miliona klikime, është edhe kënga që ke realizuar me Bleron. Si erdhi ky bashkëpunim?
David Dreshaj: Këngën "Ta dija" që kam në bashkëpunim me Bleron, kisha shtatë muaj që e kisha ideuar dhe realizuar me një producent nga Durrësi, një mik i përbashkët. Në atë kohë Blero ishte në formatin "Big Brother" në Kosovë, pas saj sapo e dëgjoi Blero e pëlqeu menjëherë. Brenda 25 orëve e regjistruam dhe e xhiruam videoklipin. Kënga i rrinte shumë mirë Bleros nga ana vokale.
CMG: Ke realizuar shumë bashkëpunime me emra të njohur të muzikës, por cilin do e konsideroje më të lehtin dhe më të vështirin?
David Dreshaj: Unë personalisht jam shumë kërkues në bashkëpunime. Kam patur pesë bashkëpunime me këngëtarë të njohur. Me Skerdin jam kënaqur në bashkëpunim, ka qenë energjia brenda. Në fushën e show bizzit është e vështirë për të mbetur shokë e miq, por me Skerdin kemi mbetur vërtetë shokë. Ndërsa ai më i vështiri ka qenë me Bleron. Mendoj se çdo njeri ka tekat dhe kërkesat e veta, ashtu siç i kam dhe unë.
CMG: Ke studiuar kanto dhe piano. Sa vite u bënë që përkushtohesh me muzikën?
David Dreshaj: Unë kam studiuar në shkollën e muzikës në Podgoricë për kanto, piano dhe solfezh, më pas kam studiuar për vite me radhë në mënyrë private 3-4 herë në javë udhëtoja drejt Shkodrës ku merrja mësime me profesor Zef Çobën. Aty kam marrë formim më të lartë në mënyrë profesionale. Piano më ka pëlqyer gjithmonë si instrument, ndërsa kitaren e kam mësuar me një djalë nga Tuzi. Gjatë asaj periudhe ndiqja shkollën gjatë ditës, e më pas udhëtoja në Shkodër për të marrë mësime private. Kështu e lashë pak anash kitaren, pasi u fokusova më shumë në këndim. Tani po vijoj karrierën time me muzikën moderne dhe shpresoj se po eci me sukses.
David Dreshaj gjate xhirimeve te videoklipit Te Quiero Je T'Aime (Foto nga instagrami)
David Dreshaj gjate xhirimeve ne kishe (Foto nga instagrami)
CMG: Ke dëshirë në të ardhmen të shoqërosh veten në piano, ndërsa këndon në ndonjë koncert recital?
David Dreshaj: Do të doja që në të ardhmen, të kisha një koncert të përmasave të mëdha në Pallatin e Kongreseve apo në stadium, si koncerti i Alban Skënderajt dhe ai i Elvana Gjatës. Por nuk mendoj se është tani ai moment. Kërkon shumë përgatitje dhe një staf shumë të madh muzikantësh që të interpretojnë live. Në të ardhmen pse jo?!
CMG: Sa i përket krijimtarisë tënde muzikore, duke qenë se edhe luan në piano, a ke krijuar ndonjë këngë vetë?
David Dreshaj: Po, jam natyrë shumë kreative, kam krijuar një këngë për motrën time. I kam bashkëpunëtorët e mi në Prishtinë, të cilët e realizuan, por me idenë time. Mendoj se deri tani nuk ka ndonjë artist që i ka dedikuar një këngë motrës. Kisha shumë emocione deri në momentin final, se si do dilte kënga, si do e priste motra ime, pasi ajo nuk dinte asgjë dhe unë e këndova atë këngë në ditën e dasmës së saj. Xhirimet aty dhe emocionet ishin shumë reale. Do mbetet një kujtim i bukur si për ne dhe për motrën time.
CMG: Si janë raportet e tua me muzikën live?
David Dreshaj: Më pëlqen shumë muzika live, më pëlqejnë edhe gabimet e vogla, të cilat të ndihmojnë për t’u përmirësuar në vazhdim. Më pëlqejnë gjithashtu dhe festivalet që organizohen live, por i kam vënë vetes qëllim, deri në momentin që do të kem një material të mirë muzikor, që të jem shumë i sigurtë për të, nuk do të marr pjesë në ndonjë festival. Nëse unë mbyllem një vit në studio të punoj vetëm për një këngë të mirë për festival, patjetër që mund ta realizoj. Por nuk është ky qëllimi i vërtetë tani, pasi fokusi janë realizimet e këngëve moderne.
CMG: Me sa kuptova është momenti për të krijuar sa më shumë fansa dhe për të realizuar sa më shumë koncerte. Cili ka qenë koncerti më i bukur që të ka mbetur ty në mendje?
David Dreshaj: Më i bukuri ka qenë ai që kam realizuar në Ulqin, një koncert që është mbajtur në shesh. Të gjithë kanë kënduar këngën që i kam dedikuar motrës me titull "Asaj". Aty jam mbushur me një energji të re, për të realizuar sa më shumë këngë të bukura në vazhdim dhe të sjell për publikun hite të shumta. Gjithashtu edhe një tjetër koncert që kam mbajtur në qytetin e Elbasanit. Këto mund t’i konsideroj si koncertet që kam patur më shumë suksese këto dy vitet e fundit, ku kishte rreth 20 mijë persona në publik.
CMG: David, meqënëse jemi në prag Krishtlindjeje, le të flasim për albumin tënd muzikor që ke realizuar me këngë Krishtlindjeje.
David Dreshaj: Dy vite më parë kam realizuar një album muzikor për festat e fundvitit, për Krishtlindjen. Aty bëjnë pjesë gjashtë këngë të njohura ndërkombëtare të Krishtlindjes dhe një këngë është në gjuhën shqipe "Si këmbanë". Me këtë rast kam fituar një album ndryshe, por jam përmbushur edhe me një satisfaksion shpirtëror, duke menduar edhe si një nga kujtimet e mia më të bukura.
CMG: Duke qenë se jemi në fund të vitit 2024, ku do të të gjejë mbrëmja e vitit të ri?
David Dreshaj: Nuk mendoj se do të jem në ndonjë mbrëmje për të kënduar në natën e ndërrimit të viteve. Më 30 dhjetor do jem në një koncert në Tiranë në shesh ku do të këndoj një duet me Young Zerkën. Koncertet nuk do të mungojnë, por për Krishtlindje dhe natën e vitit të ri do të jem me familjen. Për çdo gjë të re do i informoj fansat në rrjetet e mia sociale.
CMG: Çfarë do t’i thoje fansave që po të ndjekin në këto momente?
David Dreshaj: I falenderoj për mbështetjen. Faleminderit që më lini të eksperimentoj. Çdo sukses që arrihet është e vështirë për çdo artist që nuk ndalet dhe punon e beson tek vetja.
CMG: Gëzuar Krishtlindjen dhe vitin e ri! Suksese!
David Dreshaj: Gëzuar të gjithëve Krishtlindjen dhe vitin e ri gjithë dëgjuesve të Radio Ejani!
Intervistoi: Sava Lena