Kinë, zhvillohet Forumi i Davosit Veror me temën e mundësive të reja
2024-06-28 20:02:27

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Më 25-27 qershor u zhvillua në qytetin Dalian të Kinës Verilindore Forumi Veror i Davosit, ku morën pjesë mbi 1700 personalitete nga qarqet politike, ekonomike dhe akademike të mbi 100 vendeve e rajoneve të botës. Tema e forumit ishte "Fronti i ri për rritjen e ardhme”.

 

Në këtë veprimtari globale, dizenjuesja franceze në Forumin e Davosit, Jennifer Merio, ka zbuluar një surprizë të vogël, që ajo mund të përdorë aplikacionin e pagesës me celular, Wechat Pay.

 

Me mbështetjen nga Banka Popullore e Kinës, banka qendrore kineze, Wechat Pay këtë herë ka ofruar lehtësi shërbimesh për pjesëmarrësit dhe turistët nga vendet e ndryshme të botës. Me funksionin “Pagesë e vogël pa verifikim”, vizitorët nga jashtë Kinës mund të përdorin kartat bankare të lëshuara nga 6 institucione ndërkombëtare, si VISA.

 

Forumi i Davosit njihet si "barometri i ekonomisë botërore". Në një gjendje kur ekonomia botërore përballon mëkëmbje të dobët, zhvillimi i këtij forumi është një rast i mirë për ndërmarrjet dhe institucionet ndërkombëtare, që kanë nevojë për hapësirë dhe raste të reja të mbështetura nga teknologjitë dhe konceptet e reja.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Presidenti i këtij forumi në rajonin kinez, Chen Liming, u shpreh që ky aktivitet është një rast i mirë për stimulimin e potencialit inovativ dhe mund të injektojë gjallëri të re për zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik të botës.

 

Më 26 qershor, në Forumin e Davosit Veror, zv.kryetarja ekzekutive e kompanisë "Deloitte" në Kinë, Liu Minghua, u shpreh për CMG-në: "Qeveria kineze thekson ‘zhvillimin e shpejtë për produktivitetin e ri cilësor’ dhe ofron vazhdimisht gjallëri dhe epërsi të re zhvillimi. Krahas kësaj, edhe makropolitikat po japin efekte të vazhdueshme. Kjo na ka dhënë më shumë besim për synimet e rritjes ekonomike.”

 

Në këtë forum pjesëmarrësit shprehën gjerësisht mendimin që ekonomia kineze po tregon një fuqi të madhe rimëkëmbjeje. Kjo po tërheq kompanitë nga vende të ndryshme, të vazhdojnë të thellojnë bizneset e tyre në tregun kinez.

 

Presidenti i grupit japonez ORIX në Kinë, Liu Guoping i tha CMG-së: “Kemi më shumë se 40 vjet që bëjmë biznes në Kinë. Mund të themi që jemi pjesëmarrës, dëshmitarë dhe mbështetës të përmirësimit të mjedisit të biznesit në Kinë.”

 

“Ne kemi zhvilluar bashkëpunim të ngushtë me ndërmarrje nga Pekini dhe Shenzheni për kërkim produktesh,” u shpreh kryetari i një ndërmarrjeje teknologjike nga Jordania, Hussam Hamo. Ai bëri të ditur që ka ardhur në Dalian për të zbuluar më shumë teknologji të reja dhe më shumë raste zhvillimi.

 

Presidenti i kompanisë energjetike "Trina Power", Gao Haichun, u shpreh : “Lidhur me produktivitetin e ri cilësor, Kina ka eksperienca të suksesshme në energjinë e gjelbër, ka zgjeruar hapësirën e re për sektorët tradicionalë dhe ka nxitur sektorët e rinj me lidhje të ngushtë dhe perspektivë të gjerë. Kjo luan një rol nxitës pozitiv për ndryshimin e modelit energjetik të botës.”

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Zeng Yuqun, president i kompanisë CATL për prodhimin e baterive , u shpreh që vitet e fundit, kompania e tij ka bërë investime të shumta në inovacion. Vetëm vitin e kaluar, u bënë 20 miliardë juanë investime për kërkime lidhur me bateritë. Ndërkohë, me teknologji të përparuar, rimarrja e litiumit nga CATL ka arritur në 92%.

 

“Kjo do të thotë që ne mund të mbrojmë efektivisht mjedisin natyror dhe të japim kontribut për përballimin e ndryshimeve klimatike dhe zhvillimin e vazhdueshëm,” theksoi Zeng.

 

Sipërmarrësi indian Suhas Gopinath vuri në dukje që “Kina është qendra e inovacionit në botë dhe çdo sipërmarrës që synon një kompani të globalizuar, nuk duhet ta humbasë rastin e zhvillimit këtu në Kinë”.

 

Në fakt, fjalët e këtyre pjesëmarrësve nuk janë bazuar te ndjenjat e veta, por nga të dhënat konkrete. Në kontingjentin e fundit të 153 fabrikave "far" të publikuara nga Forumi i Davosit, 62 janë kineze, të cilat mbulojnë sektorin e teknologjisë së lartë, si pajisjet fotovoltaike dhe makinat me energji të re. Kina është vendi me më shumë fabrika “far” në botë. Të dhënat zyrtare nga qeveria kineze tregojnë që në janar-maj 2024, në Kinë janë regjistruar 21764 ndërmarrje me investime të huaja, 17.4% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Të gjitha këto shifra tregojnë besimin e vendeve të botës për zhvillimin ekonomik të Kinës dhe, me përparimin e modernizimit kinez, gjithnjë e më shumë njerëz do të ndiejnë mundësitë e reja të krijuara nga zhvillimi i Kinës. (Jiang Lei)