Deborah Keçi(Foto facebook)
Deborah Keçi është drejtore e Klubit Shumësportesh në Tiranë.
Ajo ka marrë pjesë në kampionate botërore dhe ballkanike që e vogël, por pika më e lartë në karrierën e saj si notare ishte në moshën 17-vjeçare, kur Deborah përfaqësoi Shqipërinë në Kampionatin Botëror të Notit në Romë, në vitin 2009.
Aty ajo u shpall notarja më e mirë për të reja dhe të rritura.
Po atë vit, Deborah fitoi edhe Kupën e Republikës, në kampionatin kombëtar të notit. Edhe pse pak kohë më parë mori vendimin për ta lënë sportin, Deborah nuk hoqi dorë së qëni garuese në aktivitete të ndryshme.
Në vitin 2016 ajo fitoi Maratonën e Tiranës në garën 10 km dhe pas saj fitoi vendin e parë në Triathlone-n e zhvilluar në Shkodër. Në maj të 2017-ës, mori pjesë në disa gara, siç ishte gjysmëmaratona në Shkup, ku u rendit e 8-ta mes shumë shteteve garuese dhe po në maj të 2017-ës vrapoi në gjysmëmaratonën e Beratit, ku zuri vendin e dytë.
Prej 4 vitesh, Triathlon vjen në kryeqytetin e Shqipërisë nën idenë dhe menaxhimin e saj dhe këtë vit pati një sukses të jashtëzakonshëm për të cilin Deborah ka pranuar të ndajë detaje për Grupin Mediatik të Kinës (CMG)
Foto Cover Deborah Keçi(Foto facebook)
CMG : Deborah, në gjithë këto vite angazhim dinjitoz, ju i jepni profesionit apo mendoni se ju ka dhënë më tepër?
Deborah Keçi:Sporti mua më ka dhënë shumë. Më ka dhënë forcën e karakterit dhe disiplinën. Për mua këto janë tepër të rëndësishme. Më ka mësuar se çfarë është fitorja e në të njëjtën kohë të gjej forcë për t’u ringritur kur jam rrëzuar.
Për të arritur majat është një sfidë e madhe, por pikërisht në majë fillon puna.
Me shumë krenari them që ky profesion më ka formësuar si njeri profesional.
Sporti më fal përherë ndjenjën e qetësisë dhe pozitivitetit.
CMG : Në këtë pikë të karrierës ku ndodheni, cilat janë impresionet e këtij çasti?
Deborah Keçi: Besoj që pas gjithë atyre viteve ngarkesë dhe që sporti më ka dhënë mua, unë tani po kontribuoj tek ky i fundit në qytetin tim, Tiranë.
Ndihem mirë që kam kapacitet për të ofruar në sport. Kemi bërë një progres në kontekst masiv për të zhvilluar aktivitetin sportiv qoftë në shkolla apo qoftë nga njerëzit e thjeshtë, të cilët kanë treguar gatishmëri për t’u marrë edhe më tepër me sport.
Kemi shtuar korsitë e biçikletave dhe ato të vrapimit tek liqeni pra, elementë të cilët janë madhorë për të ardhmen sportive të kryeqytetit.
Numri i eventeve sportive sa vjen dhe rritet. Detyra ime aktuale më jep mundësinë që të fokusohem tek sporti profesionist. Unë kam një peshë mbi supe sepse drejtoj shumë grupe dhe këto të fundit kanë shumë problematika në dukje të vogla, por që ndikojnë.
Jam duke dhënë një kontribut që t’ua lehtësoj punën dhe jetesën sportistëve profesionistë.
Tirana Triathlon 4 (Foto Instagram)
CMG :A keni pasur ju një fëmijëri me aktivitete sportive?
Deborah Keçi: Kam pasur një fëmijëri, të cilën do ta cilësoja të shëndetshme shpirtërisht. Me prindër, të cilët në një formë apo në një tjetër, janë përpjekur të më lumturojnë.
Kujtimet më të shtrenjta, i kam nga sporti padiskutim. Unë sportin e kam nisur në mënyrë krejt rastesore, asnjëherë nuk e kam menduar që do bëhem sportiste.
Vitet kaluan dhe unë u bëra kjo që jam sot vetëm falë angazhimit, durimit dhe besimit tim. Kam kujtime të jashtëzakonshme, duke nisur që nga udhëtimet e shumta që kam pasur me ekipet e ndryshme, të cilat patjetër më kanë dhënë shumë kujtime.
Do të doja të përmendja faktin që unë kam qenë në Kolegjin Turk dhe aty kam pasur shumë aktiviteve si dhe më ofronte një kurrikul të mirë arsimimi e jashtë shkollor.
Kam qenë një fëmijë aktiv dhe i angazhuar për të dhënë kontributin e saj në fusha të ndryshme. Më e rëndësishmja është që kam jetuar çdo hap të jetës, kam qenë fëmijë kur duhet dhe adoleshente kur duhet.
CMG : A e keni dashur përherë sportin?
Deborah Keçi: Këtë nuk di ta them me siguri sepse dikur kam qenë një fëmije pak i shëndetshëm dhe nuk kam pasur synime për t’u bërë sportiste.
Në moshen 12-vjeçare që nisa unë ka qenë disi vonë, por megjithatë për t'iu përgjigjur pyetjes nuk besoj që gjithmonë e kam dashur sportin, por e kam dashur me kalimin e kohës. Kam nisur të kuptoj se çfarë do të thotë ta marrësh seriozisht këtë gjë kur mora çmimet dhe konkurrimet e para. Pastaj çdo gjë ka qenë në vazhdimësi dhe në asnjë moment s’e kam ndare sportin nga jeta ime.
Gjej rastin të falenderoj prindërit që më kanë udhëzuar siç duhet.
Deborah Keçi(Foto Instagram)
CMG : Cilët njerëz të kane shoqëruar në këtë rrugëtim?
Deborah Keçi: Nuk do kisha bërë kurrë në jetën time pa prindërit. Jam e sigurt që çdo fëmije mendon kështu, por kam pasur fatin që jam rritur prej tyre.
Kam pasur suport të madh dhe falë tyre jam kjo vajza që jam, më e sigurt për gjërat që dua të arrij. Babai im ka qenë tifozi më i flaktë dhe mendoj që pa të s'do kisha arritur këto rezultate. Ka qenë aty për mua motivi më i madh i jetës sime.
Nuk ja them shpesh, por besoj që pa të s'do isha kurrë një sportiste kaq e mirë.
Nga ana tjetër jam rritur nga një nënë, e cila ka treguar kujdes të madh për mua do doja të isha sa gjysma e saj. Të dy këta njerëz kanë pasur impakt tek unë.
Edukata që më kanë dhënë bashkë me sportin si edukatë më vete, më kanë pjekur.
Dua të gjej rastin që të falenderoj këtu edhe trajnerin tim të notit, i cili fatkeqësisht është ndarë nga jeta. Prof, Agron Ismailati, një nga njerëzit që më ka mësuar shumë edhe unë gjithmonë e shoh si njeriun që më ka bërë kampione.
CMG : Cilat kujtime të këtij çasti vijnë të freksta?
Deborah Keçi: Unë përpiqem të bëj gjëra që më mbushin jetën dhe të më bëjnë të ndihem krenare. Unë kujtoj me mall çdo punë që bëj apo projekt që marr përsipër.
Detaje që kujtoj në karrierën sportive është pjesëmarrja në lojërat botërore Romë 2009, që ka qenë kulmi i karrierës sime si notare. Kur kam vrapuar maratonën time të parë të plotë 2km në Athinë ishte një sfidë e suksesshme. Ndërkohë nga ana tjetër edhe besoj që një nga projektet që kam kujtime të forta ka qenë projekti: "Një hap për Durrësin", një event që u organizua në qytetin tim të zemrës për t’i ardhur në ndihmë të prekurve nga tërmeti. Kam një mision që t’i jap një farë ndihme sado të vogël vendit tim të lindjes. Mesazhi që dhamë ishte mesazh shprese!
Ky event më la kujtime të forta pastaj kam shumë dhe do duhet shumë për të folur.
CMG : Je projekt i ëndrrave, të cilat i thurre bashkë me rritjen?
Deborah Keçi: Unë ëndërroj pak, por vendos objektiva të matshme dhe kur flas për objektiva gjithmonë jam munduar për t’i plotësuar. Sporti sërish më ka dhënë këtë lloj disipline pra, nëse unë këtë vit në një garë noti jam e treta do synoj të dal e treta. Nuk dal dot nga kampione e Shqipërisë në kampione bote, gjërat vijnë hap pas hapi. Kryesisht i projektoj lëvizjet në mendje që në fund të vitit t’i arrij disa objektiva.
Tirana Triathlon 4 (Burimi Instagram)
CMG : Triathlon, çfarë do të thotë ky term?
Deborah Keçi: Origjina është greke, njësoj siç është dhe maratona. Fjala “marathon” ka rrjedhur nga një njeri që ka bërë vrap nga një fshat që quhej Marathon në Greqi dhe drejt Athinës për t’i dhënë lajmin e fitores në luftë.
Distanca kishte qenë 42 km e cila është distanca e një maratone të plotë.
Sot e kësaj dite është traditë që çdo shtet të ketë maratonën zyrtare. Njësoj si Tirana që tashmë ka pesë vite që e organizon. Ndërsa Triathlon tregon tre sporte të bëra në një pra tre gara në një të vetme.
CMG : Si ndiheni që e sillni për herë të katërt?
Deborah Keçi : Në vitin 2018 kur Tirana e organizoi eventin e parë dhe e propozova si projekt, shumë njerëz nxituan të pyesin se çfarë është.
Në fillim u organizua në Shkodër nga njerëz e sollën si garë për herë të pare, ku unë mora pjesë dhe gjithashtu fitova. Ndaj nga Shkodra mendova ta sjell në Tiranë dhe mbaj mend që njerëzit ishin skeptikë, duke qenë që ka tre sporte brenda si: Not, biçikletë dhe vrap.
Sot teksa numërojmë edicionin e katërt nuk ndiej asgjë tjetër përveçse krenari për ta mbajtur gjallë si garë. Kjo është një garë që unë e dua shumë dhe të gjitha garat që i sjell si projekt i kam prekur njëherë vetë.
CMG : Çfarë synimi keni të sillni nëpërmjet këtij sporti?
Deborah Keçi : Dua që të masivizoj njerëzit të merren me sport, por edhe të argëtohen. Kjo garë është një adrenalinë që të jep ndjesi të mira. Nuk duhet parë vetëm në konceptin e garës, por duhet të marrësh përsipër që do stërvitesh sepse ta kërkon vetë lloji i garës dhe kjo është një mënyrë e mirë që ai person të rrijë i shëndetshëm gjithë vitin. Sa më shumë njerëz që e duan, punojnë dhe jetonë me sportin.
CMG: Pse u zgjodh zona e Farkës?
Deborah Keçi : Së pari liqeni është i notueshëm dhe ju dha garuesve mundësinë për të zhvilluar notin. Një tjetër pikë e fortë ishte që pati hapësirë për vrapin dhe biçikletën.
Farka është afër me Tiranën dhe me një liqen me kushte shumë të mira për të notuar dhe me rrugë urbane. Investimi i fundit në Farkë i ka sjellë një tjetër imazh dhe është kthyer në një vend të populluar, po aq sa liqeni i Tiranës.
CMG: A do të vijë sërish vitin që vjen?
Deborah Keçi: Po patjetër! Ky është një aktivitet i certifikuar tashmë dhe është traditë e Tiranës.
Intervistoi:Megi Latifi