Syrja Pepa ne Itali (Foto personale)
Syrja Pepa ka përfunduar studimet në shkollën ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, dhe më vonë për disa vite ka ushtruar detyrën e oficerit dhe majorit të ushtrisë deri në momentin që është larguar nga Shqipëria. Ai ka 25 vjet që jeton në Itali bashkë me familjen e tij, por vendlindjen e tij e viziton shpesh dhe nuk e harron. Që në moshë të vogël ka pasur pasion shahun dhe këtë sport e ushtron edhe në shtetin fqinj, duke qenë anëtar i Federatës Italiane të Shahut. Ka fituar 19 trofe në turne të ndryshme të shahut dhe pasionin për këtë sport vazhdon ta ketë si ditën e parë kur e nisi në Shqipëri. Në një intervistë për CMG, ai tregon për integrimin e tij në Itali si dhe arritjet në fushën e shahut.
Syrja Pepa dhe trofete e fituar ne turnete e shahut (Foto personale)
CMG: Z. Pepa përshëndetje dhe faleminderit për këtë intervistë në Radio Ejani.
Syrja Pepa: Unë ju falenderoj për ftesën në emisionin tuaj dhe jam shumë i lumtur.
CMG: Ndodheni në Itali bashkë me familjen. Sa vite keni që jetoni atje dhe si u ambientuat në fillim me jetën aty?
Syrja Pepa: Unë më datë 28 maj bëj 25 vjet që jetoj në Itali, në të njëjtin vend dhe qytet. Për mua ishte një gjë shumë e ndryshme sepse unë jam një ish oficer, ish major i ushtrisë në atë kohë dhe të lije punën për të ardhur këtu ishte një gjë shumë e jashtëzakonshme. Unë në Shqipëri kisha një ambient tjetër, një ambient familjar shumë të mire dhe punën e kisha shumë të mirë. Unë këto i lashë të gjitha duke i kthyer shpinën dhe erdha në Itali sepse pata për të bërë një vizitë të thjeshtë, por më dolën probleme dhe qëndrova këtu pastaj.
CMG: Si lindi pasioni për shahun?
Syrja Pepa: Unë kam filluar në shkollën ushtarake Skënderbej në vitin 1974 dhe pas dy vitesh në 1976 ishim një grup nxënësish të asaj moshe, që kemi luajtur shah me të rinjtë e Partizanit. Kemi pasur një trajner shahu të shkëlqyer si Aldo Zadrima, si mjeshtër sporti dhe kampion, por dhe si njeri i jashtëzakonshëm. Aldo Zadrima ka lënë një ndikim shumë të madh tek ne që luanim shah me të rinjtë e Partizanit. Unë kam luajtur shah që fëmijë sepse lunate vëllai im dhe ai ma mësoi mua, ndërsa unë e kisha pasion dhe e zhvillova më tepër. Unë e kam pasur qejf shahun që i vogël, sepse pasioni shpërthen që fëmijë.
Syrja Pepa me bashkeshorten dhe dy vajzat (Foto pesonale)
CMG: Në fakt shahu është një sport që të gjithë e luajnë për qejf, por ju duke qenë prefesionist e keni vijuar ta luani dhe në Itali.
Syrja Pepa: Patjetër që e vazhdova dhe në Itali, por në fillim nuk jam marrë shumë këtu sepse ishte fillimi dhe nuk dija të flisja dhe gjuhën, pastaj ngadalë fillova të luaja shah. Këtu afër qytetit ku unë jetoj është një ekip latino-amerikan shumë I dëgjuar dhe unë ka marrë pjesë dhe vazhdoj të jem anëtar i kësaj skuadre. Gjithashtu uën jam i federuar në Federatën Italiane të Shahut dhe vazhdoj rregullisht me të gjitha aktivitetet e shahut.
CMG: Gjatë karrierës suaj si shahist profesionist në Itali, sa trofe keni fituar?
Syrja Pepa: Unë kam fituar gjithsej vende të para 19 herë dhe kam kupa për secilën fitore në turne të ndryshme të shahut, jo vetëm në një turne që bëhet këtu ku unë jetoj, por kam fituar dhe në qytete të tjera si në Milano, Komo dhe në qytete të tjera të Italisë. Kështu që janë gjithsej 19 turne që unë kam marrë vendin e parë.
Syrja Pepa me bashkeshorten dhe kengetarin Bahri Rustja ne Itali (Foto personale)
CMG: Si ndjeheni me kaq shumë trofe të fituar?
Syrja Pepa: Kupat janë krenaria ime dhe çdo njeri që vjen tek shtëpia ime sepse i kam vendosur në një vend të dukshëm në hyrje të shtëpisë dhe shkëlqejnë, të gjithë që i shohin me habi dhe më pyesin. Unë pastaj ua spjegoj me modesti dhe jo për të shitur mend, sepse të gjitha kupat janë të shkruara për secilin turne që unë kam fituar. Unë kam dy vajza të rritura, të cilat janë të diplomuara dhe ato mburren me mua dhe kupat e mia dhe kur ju vjen ndonjë shok i tregojnë kupat e babait.
CMG: Nëse do të ishit në Shqipëri dhe do të vijonit me shahun këtu, mendoni se do të ishit dhe këtu kampion shahu?
Syrja Pepa: Kjo është një pyetje e vështirë, sepse Shqipëria e ka shumë të zhvilluar shahun. Kjo është një gjë shumë e mirë sepse ka shumë njerëz që luajnë shah, nuk them që luajnë apo e kanë të studiuar, por ju pëlqen ta luajnë pa e studiuar. Unë kam luajtur dhe në Shqipëri me të rinjtë e Partizanit, por nuk mundem të jap ndonjë gjykim sesi është shahu tani. Kur shkoj në Shqipëri e shikoj që e pëlqejnë dhe e luajnë shumë shahun. Kështu që dhe unë bëj pjesë në atë kategori të njerëzve që do luaja shah patjetër. Tani gjërat kanë ndryshuar shumë dhe Shqipëria nuk e ka atë organizim, zhvillim apo korrektësi që kanë vendet e tjera perëndimore, është akoma më mbrapa këtyre vendeve.
CMG: Çdo të thotë për ju të jesh anëtar i Federatës Italiane të Shahut?
Syrja Pepa: Kjo është një arritje e imja sepse unë tashmë e kam fituar besimin. Çdo shahist ka një koefiçent elo për të treguar forcën e tij. Unë e kam këtë koefiçent pak a shumë 2000, që është te mjeshtrat e sportit. Kështu që unë jam krenar për arritjet që kam dhe i ndjek, i luaj, jam i informuar për shahun ku jam dhe i abonuar në revistat e përjavshme të shahut dhe e ndjek me shumë kënaqësi. Kjo do të thotë shumë për mua, sepse çdo njeri që jeton jo vetëm këtu, por kudo që është, ka një pasion. Pasioni im është shahu sepse nuk ka njeri pa pasion, dhe kjo është shumë logjike.
CMG: Përveç shahut, keni ndonjë pasion tjetër në jetë?
Syrja Pepa: Unë lexoj libra dhe jam shumë i pasionuar pas librave. Këtë gjë ia kam trashëguar dhe vajzave të mia, madje ato ma kalojnë mua në të lexuar dhe unë jam shumë krenar për to. Pra ne e kemi si familje që lexojmë libra.
CMG: E vizitoni shpesh Shqipërinë dhe për çfarë ju merr malli më shumë për vendlindjen?
Syrja Pepa: Në Shqipëri për arsye pune këto dy vitet e fundit kam ardhur vetëm nga një javë, por unë zakonisht kur vij në Shqipëri qëndroj një muaj. Këto dy vitet e fundit kam qëndruar më pak sepse ka qenë pandemia dhe nuk na linin, plus që këtu në Lombardi ku unë jetoj ka qenë shumë e vështirë situata dhe rrinim në shtëpi. Shqipëria është vendi im dhe nuk mohohet dot.
CMG: Kur vini për të vizituar Shqipërinë, si e kaloni kohën këtu?
Syrja Pepa: Unë kam shumë shokë e miq në Shqipëri duke filluar që nga Shkodra, Tirana dhe deri në Sarandë. Unë banoj në Vlorë dhe e kaloj kohën me shumë harmoni me miqtë e mi të shkëlqyer.
Syrja Pepa ne kohen kur ka qene oficer ushtrie ne Shqiperi (Foto personale)
CMG: Luani shah me miqtë tuaj, kur vini për pushime në Shqipëri?
Syrja Pepa: Të them të drejtën në Shqipëri vij për qëllime të tjera dhe nuk vij për të luajtur shah. Unë shikoj kur luajnë sepse është tërheqëse për mua, por nuk marr pjesë në lojë. Unë jam shumë serioz nga natyra dhe aty lozin jashtë nëpër lulishte, dhe mua nuk më pëlqen fjalori që përdoret, prandaj nuk bën pjesë në sjelljen time sepse jam shumë i kulturuar dhe edukuar.
CMG: Kohët e fundit jeni bërë me nip. Si ndjeheni tani që jeni bërë gjysh?
Syrja Pepa: Para tre javësh jam bërë gjysh dhe jam shumë i lumtur për këtë. Sot unë shpreha gatishmërinë time të bëja gjyshin para vajzës time, ku e lashë në shtëpi vajzën dhe e nxora nipin shëtitje me karrocë jashtë. Më dha shumë kënaqësi sepse takova dhe shumë miq e shokë dhe ata ishin të lumtur bashkë me mua.
CMG: Jeni takuar me ish studentët e Shkollës së Bashkuar Skënderbej dhe miqtë që keni këtu?
Syrja Pepa: Patjetër që po, sepse ata i kam të parët që takoj dhe në çdo gjë janë të parët. Unë para ca kohësh isha 10 ditë në Shqipëri dhe shokët e mi më bënë një surprizë të jashtëzakonshme, duke më organizuar një drekë të shkëlqyer më 28 mars, në festën e shkollës Skënderbej. Ata më surprizuan në këtë ditë, duke më bërë një festë të mrekullueshme në Vlorë dhe unë nuk jua harroj kurrë këtë gjë që më bënë shokët e mi.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit e Radio Ejani dhe gjithë miqtë tuaj.
Syrja Pepa: Unë i falenderoj të gjithë me zemër miqtë e shokët e mi, të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani, e cila sjell në studio dhe njerëzit që kanë emigruar. Ju uroj gjithë të mirat e kësaj jete, shëndet e lumturi në familjet e tyre.
Intervistoi: Gazmend Agaj